brusketash

Fantazi

200 Receta - - Antipasta -

Brusketat duhet të konsumohen në momentin që piqen sepse më pas buka bëhet e fortë, por unë shpesh e pjek bukën më parë dhe sekreti që ato të mos thahen ose të bëhen të forta është që t’i lyeni me një shtresë të hollë djathi Philadelphia ose salcë kosi pasi t’i keni pjekur.

Përgatitja kur fetat e bukës i pjekim më parë:

Feta buke për tost, bukë për brusketa, ose bagetë; i thekim nga të dyja anët në një tigan të sheshtë që nuk ngjit, pa vaj. I lyejmë më pas me pak salcë kosi ose Philadelphia dhe i lëmë mënjanë.

Në momentin që do t’i shërbejmë mund t’i vëmë sipër:

* Copa të vogla domatesh të prera në kubikë, vaj ulliri, rigon dhe hudhër të grirë imët të cilat i kemi përzierë më parë në një tas, që të marrin aromat e njëra-tjetrës.

* Pançetë Hako, e prerë në kubikë dhe e skuqur në tigan, domate në kubikë dhe rukola.

* Kërpudha konserve të kulluara nga vaji dhe të thara me letër, ullinj të grirë, domate në kubikë, hudhër e majdanoz.

* Domate qershiza të ndara në mes, Mozzarella të vogla dhe borzilok. Në një tigan me pak vaj skuqim për një minutë domatet e ndara në mes. Fikim zjarrin dhe shtojmë Mozzarella-t e vogla dhe borzilokun. Kjo bën që ato të marrin aromat e njëra-tjetrës.

* Speca të pjekura në furrë që u kemi pastruar lëkurën dhe i kemi ndarë në feta, sardele konservë, rigon, kripë dhe piper, vaj ulliri.

* Mund t’i lyejmë me mus specash të kuq: në mikser grijmë copa speci, djathë të bardhë, qepë. Me mus me avokado: në mikser grijmë avokado, arra, qepë, kripë, piper dhe vaj ulliri.

Kur brusketat do t’i pjekim në furrë bashkë me mbushjen

Në këtë rast nuk ka nevojë që fetat e bukës t’i pjekim më parë pasi do të piqen së bashku me mbushjen. Mbi fetat e bukës mund të vëmë : 1. Përziejmë me një pirun djathë Philadelphia me salsiçe të freskët Hako, (i heqim lëkurën më parë dhe e ndajmë në thërrime) i lyejmë me një shtresë fetat e bukës dhe i pjekim për pak minuta në furrë të ngrohur më parë derisa salsiçja të jetë pjekur. 2. Lyejmë fetat e bukës me një shtresë të hollë salcë kosi, vëmë çikore të kuqe të grirë imët, proshutë krudo dhe copa të vogla djathi kaçkavall ose akoma më mirë djathë Scamorza të tymosur. I pjekim në furrë të ngrohur më parë derisa të shohim që djathi është shkrirë. 3. Peshk ton konserve dhe fasule konserve: grijmë pak qepë në feta të holla, e skuqim me pak vaj ulliri në një tigan, shtojmë fasulet nga kutia pasi t’i kemi kulluar nga lëngu, shtojmë peshkun ton të kulluar nga vaji dhe të tharë me letër kuzhine. Shtojmë pak salcë domatesh, rigon, kripë dhe e lëmë tiganin në zjarr për 5-10 minuta derisa të kemi një salcë të trashë. Më pas, kur të jetë ftohur e shpërndajmë me lugë mbi fetat e bukës dhe i pjekim në furrë për pak minuta. 4. Vëmë mbi fetat e bukës djathë Gorgonzola, arra të grira. I pjekim në furrë për pak minuta dhe nëse

dëshironi, kur t’i nxirrini nga furra, spërkatini edhe me pak mjaltë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.