A e duam ne librin?

Gazeta Paloma - - Koktej -

Hapja e panairit të librit është ndoshta ngjarja më e rëndësishme e vitit për të gjithë lexuesit shqiptarë. Mund t’i shohësh duke mbushur çdo cep të Pallatit të Kongreseve me lista nëpër duar dhe me dëshirën e madhe për të takuar nga afër shkrimtarët e tyre të preferuar.

Unë shkova që ditën e parë që u hap panairi, pavarësisht kohës me shi, dhe u kënaqa teksa shihja të rinj entuziastë duke mbajtur libra në duar. Nuk ka rëndësi çfarë lloj librash ishin. Çdo libër ka vlerë dhe kjo tregon se një pjesë e shoqërisë sonë vazhdon ta çmojë vlerën e tij.

Mirëpo ata që blejnë dhe lexojnë janë një pjesë shumë e vogël e shoqërisë sonë. Sipas përfaqësuesve të shtëpive botuese, shitjet e librave janë reduktuar shumë kohët e fundit. Kjo gjë nuk është për t’u çuditur, sepse të gjithë po e shohim se sa shumë po dominohet jeta jonë nga teknologjia dhe interneti.

Shoqëria jonë në përgjithësi nuk po lexon dhe është për të ardhur keq se si po degradojmë në këtë mënyrë. Na bëhet më e dashur një jetë virtuale, shpesh me njerëz që fshihen pas profileve të rreme, sesa nxitja e fantazisë gjatë leximit të një libri.

Nuk ka ditë kur mund të dalësh nëpër parqet e Tiranës e të mos shohësh të moshuar pa një libër apo një gazetë në duar. Kjo gjë nuk ndodh vetëm për faktin se ata nuk dinë të përdorin tableta apo smartphona. Ata e kanë kuptuar se mendja ushqehet vetëm me lexim dhe jo me humbje kohe të kota.

Dikush mund të mendojë se edhe në internet mund të lexosh materiale të vlefshme, por pyetja që unë ua bëj gjithmonë miqve të mi është: “A e mban mend njësoj, pas njëfarë kohe, diçka të mësuar në një libër dhe diçka të mësuar në internet?”.

Dhe ne e kemi vënë re se sa i domosdoshëm është libri, sidomos për të rinjtë, të ardhmen e këtij vendi. Sa herë na ka ndodhur të shohim në rrugë apo televizione të rinj që nuk dinë të artikulojnë fjalët siç duhet? Apo sa herë na ka ndodhur në rrjetet sociale të lexojmë komente me mangësi të theksuara jo vetëm në fjalorin e përdorur, por edhe në rregullat gramatikore? Ky është një fakt i qartë se shoqëria jonë ka mangësi shumë të mëdha dhe ende nuk po i kupton.

Unë çuditem se si prindërit e rinj preferojnë t’u dhurojnë fëmijëve të tyre celularë apo tableta, në vend që t’u bëjnë dhuratë një bibliotekë në shtëpi dhe ta nxisin fëmijën e tyre të lexojë e ta pasurojë atë bibliotekë.

Kam lexuar diku se një ndër personat më të pasur në botë, Bill Gates, i kushton përditë kohë leximit. Ai është shprehur se çdo natë para gjumit lexon një libër të paktën një orë dhe falë leximit pranon se ka mbërritur në nivelin social që e njohim të gjithë. Kjo nuk është për t’u habitur. Kanë ardhur kohëra në të cilat nuk mund të ecësh dot përpara nëse nuk ke kulturë të përgjithshme. Dikur ekzistonte një mënyrë tjetër përzgjedhjeje, ku mjaftonin njohuritë profesionale, kurse tashmë thuajse në çdo pozicion të lirë pune kërkohen “aftësi të mira komunikuese në grup”. Kjo nuk mund të arrihet kurrsesi nëse nuk ke lexuar dhe e ndjen se ke mangësi të theksuara në fjalorin që përdor.

Unë dua t’i bësh vetes një pyetje shumë të thjeshtë: Kur ke lexuar një libër për herë të fundit? Nëse kjo kohë të duket shumë e largët dhe e ndjen se ke nevojë ta përmirësosh fjalorin që përdor në të përditshmen tënde, fillo të lexosh. Nuk është kurrë vonë për të bërë gjënë e duhur. Shko dhe bli një libër. Telefonoje atë shok apo shoqe që lexon shumë dhe kërkoji një libër. Do ta ndjesh se sa shumë ka për të ndryshuar jeta jote pas çdo faqeje që do të lexosh. Do ta kuptosh se sa shumë do të ndryshojë këndvështrimi yt për çështje të ndryshme në jetë dhe ke për të qenë vetë ti që s’ke për të hequr më dorë prej leximit. Investo në mendjen tënde dhe kurrë nuk ke për të humbur.

E për ta mbyllur këtë shkrim, duam t’ju kujtojmë një thënie të famshme prej George R. R. Martin: “Një lexues jeton qindra jetë përpara se të vdesë. Një person që nuk lexon jeton vetëm një jetë”.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.