SHEJMA NUK ËSHTË E KEQE

KAM DALË ME METEN EDHE NË JETËN REALE

Gazeta Paloma - - Front Page -

Ja ku vjen një intervistë e re dhe ekskluzive e aktores bukuroshe 28-vjeçare, Nileri Sahinkaya. Te “Stina e qershive” ajo luan rolin e të keqes Shejma, ziliqare për Ëjkynë dhe është e fejuara e Metes.

Le të zbulojmë bashkë anën e vërtetë të aktores simpatike, kaq ndryshe nga Shejma dhe diçka në lidhje me projektet e saj të ardhshme.

Dimë që ke lindur në Senegal dhe ke jetuar në Paris, Bernë dhe disa qytete turke, meqenëse babain e ke diplomat. Mund të na thuash diçka për eksperiencat e tua në këto qytete? Cili të pëlqen më shumë?

-Kam jetuar 3 vite në Dyseldorf, 4 vjet në Paris dhe disa vite në Bernë. Të gjitha qytetet janë të mrekullueshme, por Parisi është një përrallë e vërtetë. E adhuroj qytetin ku dashurinë mund ta thithësh në ajër. Dashuroj edhe Romën.

Te “Stina e qershive” luan rolin e Shejmës dhe duke qenë antagonistja ke marrë edhe “urrejtjen” e publikut. Megjithatë, aktorët thonë se është më argëtuese të realizosh personazhe të tillë. Je dakord?

-Po, ke shumë hapësirë dhe Shejma është një vajzë shumë argëtuese. Është xheloze për Ëjkynë dhe ndonjëherë bëhet e keqe, por thellë në zemër është një njeri i mirë.

Jemi ende në seritë e para të serialit, por a mund të na tregosh nëse Shejma do të përjetojë një evolucion psikologjik gjatë zhvillimit të historisë?

- Po, do të përjetojë shumë faza tragjike në jetën e saj që do ta ndryshojnë.

Si do ta përshkruaje një femër të tillë, duke lënë mënjanë stereotipet? A mundet një person, në pamje të parë i keq, të jetë thjesht duke fshehur dobësitë e veta në këtë mënyrë?

-Nuk besoj se ka njerëz të këqij, por ka njerëz të dobët. Ekziston një frazë që thotë: “Ata që sot janë të pandjeshëm, dikur kanë dashur shumë”. Disa njerëz nuk janë mjaftueshëm të fortë për të qëndruar në rrugën e drejtë. Humbasin shpresat dhe nuk dashurojnë më. Shejma është shumë e dobët. Nuk ka asnjë plan për jetën e saj. Nuk ndihet e dashur nga prindërit, ndihet vetëm, nuk ka shpresë. Ëjky, përkundrazi, i ka të gjitha këto, prandaj kërkon ta shkatërrojë, por jeta do t’i mësojë Shejmës ato që duhet vërtet të dijë.

Je myslimane? Fakti që popullsia turke është kryesisht myslimane ka influencuar edhe në atë që shikojmë në televizion? (Për shembull shmangia e skenave tepër intime apo e alkoolit etj.)

-Jam myslimane dhe jetoj në Turqi që nga mosha 15 vjeç. Në fakt ka një lloj censure për shfaqjen e alkoolit në seriale televizive, por asgjë më tepër.

Cila është marrëdhënia që ke krijuar me partnerin tënd në serial, Daghan Kulegeç apo Mete, siç e njohim të gjithë? A do të ishte mashkulli yt ideal në jetën reale?

-Daghan e kam njohur për herë të parë në shesh-xhirimin e “Stina e qershive” dhe për pak kohë kemi dalë bashkë edhe jashtë punës. Është inteligjent dhe argëtues. Nuk kam një prototip mashkulli në mendje, por inteligjenca është kërkesa ime e vetme.

Po sa i takon marrëdhënies me pjesën tjetër të kastit? Si është atmosfera në shesh-xhirim?

-Kemi punuar vërtet shumë, ndonjëherë edhe 25 orë rresht, por kjo ndodhte vetëm atëherë kur bënim dy ditë pushim në javë. Atmosfera ka qenë më shumë sesa thjesht e bukur, dukeshim si miq shumë të mirë, madje edhe me regjisorin dhe producentin.

Dimë që për momentin je e impenjuar në një serial të ri ku do të punosh në krah të Aras Aydin, Emre te “Stina e qershive” . E saktë? Mund të na thuash diçka?

-“Stina e qershive” ka përfunduar në dhjetor 2015. Projekti im më i ri titullohet “Nolur Ayrilalim”, interpretoj një gocë punk, mikja më e mirë e Aras (Emre). Protagonistët janë dy aktorë të tjerë. Bëhet fjalë për një komedi romantike.

Si e përkufizon ti dashurinë e vër- tetë?

-Dashuria e vërtetë është ai person pa të cilin ti nuk mund të kuptohesh si njeri. Personi me të cilin ke dëshirë të bësh çdo gjë, të punosh, të ndryshosh...

Gjatë xhirimeve të sezonit të parë të “Stina e qershive” ti dhe Daghan Kulgeç (Mete) keni qenë çift?

-Po, në atë periudhë shoqëroheshim, por tani jo më. Nëse pyetja juaj i referohet lidhjes dashurore, ne thjesht jemi miq që argëtohemi bashkë.

Pra, në jetën tënde mungon dashuria?

-Le të themi që nga kjo fushë kam qenë e pafat. Prej vitesh pyes veten se pse po më ndodh kështu. Mendoj se problemi është që unë besoj te dashuria me shikim të parë. E di që nuk është se kur shikon një person për herë të parë ka xixa dhe fishekzjarrë, por ndjen diçka ndryshe, e kupton se është i duhuri.

Si e përfytyron veten pas disa vitesh?

-Stili Maldive, plazh, pije, kërcim… Shaka. Në fakt mendoj se sërish do të jem vetëm, por e rrethuar nga njerëz që jam me fat që i kam dhe e di që do t’i kem gjithmonë pranë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.