HISTORIA E DASHURISË MES HILLARY DHE BILL CLINTON

Gazeta Paloma - - Front Page -

Njohja

Bill dhe Hillary janë njohur në 1970-n në Universitetin e Yale pasi ishin takuar disa herë në librarinë e universitetit. Ka qenë Hillary që ka bërë lëvizjen e parë, në fakt. Pak ditë pas njohjes, ata dolën në takim për herë të parë.

“Unë studioja në bibliotekë dhe Bill po qëndronte në korridor duke biseduar me një student tjetër. E shikoja që më vështronte vazhdimisht. E bënte shpesh këtë gjë. Kështu që u ngrita nga tavolina ime dhe shkova e i thashë: “Nëse ti vazhdon të më shikosh dhe unë të të shikoj aty, atëherë mund edhe thjesht të prezantohemi. Unë jam Hillary Rodham”. Kaq ishte e gjitha.

Bill thotë se në ato momente nuk i kujtohej as emri i tij”.

Propozimi

Pas diplomimit të tyre për drejtësi, Bill e çoi Hillary-n për herë të parë në Europë. Shkuan në Londër dhe Bill e shëtiti atë në gjithë pikat turistike të qytetit. Në perëndim, ditën e parë të udhëtimit të tyre, ata ishin ulur buzë liqenit Ennerdale dhe Bill i propozoi. Gjithçka bukur dhe romantike, por Hillary e refuzoi. “Isha çmendurisht e dashuruar me të, por shumë konfuze për jetën dhe të ardhmen time”,tregon Hillary. “Kështu që i thashë: Jo tani”. Ajo që doja të thosha në fakt ishte: “Më jep pak kohë”. Ndihesha keq me këtë përgjigje. Pastaj rreth një vit më vonë, ai më propozoi sërish dhe i thashë “jo” prapë. Më tha se nuk do të ma bënte më këtë pyetje, derisa unë të isha gati për t’i thënë po”.

Çfarë e bëri të thoshte po?

Pas shkollës, Hillary u zhvendos në Arkansas. Duke mos pasur një punë fikse, ajo vendosi të kthehej në shtëpinë e saj në Chicago, për të vizituar familjarët, por edhe për të shqyrtuar mundësi punësimi. Gjatë rrugës për në aeroport ajo dhe Bill panë një shtëpi pranë universitetit që kishte tabelën “Shitet”. “Krejt pa e menduar u shpreha se ajo ishte një shtëpi shumë e këndshme, por nuk e mendova më gjatë”, - thotë ajo. Pas disa javësh në udhëtim, Hillary u kthye në Arkansas. Kur zbriti në aeroport, Bill kishte dalë ta priste dhe i tha: “A e mban mend atë shtëpinë që të pëlqeu atë ditë? Epo, e kam blerë, kështu që tani bën mirë të pranosh të martohesh me mua, pasi nuk mund të jetoj vetëm në atë shtëpi”. Këtë radhë ajo tha “po”.

Dasma

Hillary dhe Bill u martuan në dhomën e ndenjes së shtëpisë së tyre të re, më 11 tetor 1975. Ceremonia u mbajt vetëm me 15 miq dhe familjarë shumë të afërt. Pak pas martesës së tyre, miqtë organizuan një festë me qindra të ftuar në kopshtin e shtëpisë së çiftit. Ata shkuan për muaj mjalti në Akapulko Meksikë, një dhuratë nga mamaja e Hillary-t, Dorothy.

Lindja e vajzës së tyre

Në shkurt 1980 lindi vajza e çiftit, Chelsea.

Gara për presidencën

Në 1992- shin, Bill Clinton shpalli kandidaturën për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Hillary qëndroi gjithë kohës përkrah tij si një bashkëshorte e denjë. Ai fiton garën dhe Hillary u bë e para Zonjë e Parë me një zyrë të veten në Shtëpinë e Bardhë. Gjatë kësaj kohe ata vijojnë me jetën familjare, ku shihen shpesh së bashku me vajzën e tyre nëpër ceremoni diplomimi apo festa shkolle apo për pushime.

Tatëpjeta e marrëdhënies së tyre dhe tradhtitë e vazhdueshme

Hillary po mbështeste fushatën e të shoqit, kur e gjitha bota iu shemb nën këmbë nga akuza të disa femrave njëherësh se kishin pasur afera seksuale me të. Bill mohoi gjithë akuzat, por njëra nga akuzueset kishte prova dhe vërtetoi gjithçka. Shumë kandidatë janë tërhequr nga gara pas skandaleve të tilla, por Hillary me forcën që e karakterizon ishte e para që luftoi për fushatën e të shoqit dhe i qëndroi pranë.

Ajo deklaroi se nuk po qëndronte përkrah tij vetëm prej detyrës si bashkëshorte, por besonte vërtet në aftësitë e tij për të qenë president i vendit. Ajo qëndroi stoike, duke mbajtur përbrenda dhimbjen apo dyshimet dhe luftoi për të mbajtur gjallë aspiratat politike të të shoqit. Shumë e kanë akuzuar dhe përbuzur si një femër e ulët që duroi të tilla trajtime. Por ama ka edhe të tjerë që e vlerësojnë si femër të fortë dhe luftëtare dhe mbrojtëse e vlerave të familjes.

Pavarësisht të gjithave, ata vazhduan jetën e tyre familjare. Vite më vonë, Bill pranoi gjithë akuzat kundër tij dhe u kërkoi ndjesë familjarëve dhe të shoqes, por ata qëndruan bashkë, u bënë gjyshër dhe ish- presidenti ishte mbështetja e saj më e madhe gjatë fushatës për Shtëpinë e Bardhë, një garë të cilën ajo e humbi ndonëse luftoi fort për këtë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.