Duaje veten…dhe shokun!

Gazeta Paloma - - Koktej -

Jo shumë kohë më parë, një 17 vjeçar nga qyteti i Beratit, i cili ndiqte një gjimnaz profesional, u vetëvra, për shkak të talljeve të shokëve lidhur me origjinën e tij (jetonte në një fshat të Beratit).

Një i ri vetëvritet për arsye të bulizmit dhe shoqëria nuk reagon. Shqiptarëve i duket më me vend të reagojnë mbi fituesin e presidencës në Amerikë, se sa mbi problemet madhore në të cilat po kalon shoqëria jonë.

Na vjen për të qeshur kur kujtojmë thënien e Ollgës “Shitën gomarët dhe blenë biçikletat”, teksa shikojmë se në ditët e sotme fokusi i rinisë nuk janë biçikletat, por smartphonët dhe tabletat më të shtrenjtë. Por çfarë ndodh realisht në rrjetet sociale që na kanë mbërthyer të gjithëve, duke na larguar nga bota reale? Adoleshentët shpesh herë nuk e tregojnë nga frika se prindërit mund t’ia ndalojnë përdorimin e rrjeteve të tilla, por pak a shumë ne të gjithë e dime se si funksionojnë ato. Përtej fasadës me postimet apo fotot e bukura të miqve tanë, aty gjen edhe plot ofendime online, të cilat të rinjtë ia drejtojnë “miqve” të tyre të klasës, të kursit apo të lagjes.

Por problemi nuk është vetëm në rrjete sociale.

Mund ta shikosh dikë të veçuar nga të tjerët, me një fytyrë të përhumbur diku larg nga bisedat që po bëhen përreth, të mbyllur në vete dhe shpesh herë duke qarë. Kjo është pak a shumë pamja e një të riu, i cili ështër kthyer në një viktimë të bulizmit. (talljes)

Termi “bulizëm” është futur në përdorim vitet e fundit për të treguar një formë të dhunës psikologjike, ose të diskriminimit kryesisht mbi të rinjtë nga vetë bashkëmoshatarët.

Fjala bulizëm fitoi popullaritet nga filmi amerikan “Cyberbully”, ku aktorja kryesore tentoi të vetëvritej duke marrë ilaçe me shumicë, për shkak se miqtë e saj filluan të talleshin me të në rrjetet sociale.

Ndërkohë që shkolla duhet të jetë vendi ku mund të mësosh gjëra të reja, ku mund të bësh miq të rinj, apo ku mund të kalosh disa orë të këndshme me ta, kthehet në vendin më stresues për një adoleshent. Ju mund të pyesni se pse ndalemi në këtë temë vetëm tek të rinjtë, kur edhe fëmijët e vegjël hasin në probleme të tilla. …Thjesht sepse në adoleshencë krijohen bazat e një personaliteti që i shoqëron ata përgjatë gjithë jetës.

Bulizmi është një emër i ri, por fatkeqësisht jo një fenomen i ri për shoqërinë tonë, sepse tallja/përqeshja për mënyrën e të veshurit, sjelljen, origjinën apo karakterin e të rinjve kanë ekzistuar edhe më parë..

Psikologët thonë se personat që vuajnë prej bulizmit, por edhe ata që e përdorin bulizmin për t’i bërë të tjerët të ndihen keq, vuajnë nga nivele të larta ankthi dhe depresioni. Nuk duan veten.

A ju duket normale një gjë e tillë?

Për një të ri të gjendur në një situatë të tillë, bulizmi është diçka shumë e madhe për t’u përballuar. Ata vihen në dilemë nëse duhet t’i përgjigjen talljes dhe përqeshjes me të njëjtën monedhë apo të heshtin.

Për nga natyra adoleshentët, si rregull nuk flasin për këtë problem. Por duhet që prindëri të jetë më vigjilent.

Prindër, flisni me fëmijët tuaj. Bëjini ata t’ju tregojnë çdo problem, sepse kjo është detyra juaj si prindër

Duke shpresuar se gjërat do të ndryshojnë, duam ta mbyllim këtë shkrim me një thënie shumë të bukur të Dan Pearce “Njerëzit që e duan veten e tyre, nuk i lëndojnë njerëzit e tjerë. Sa më shumë ta urrejmë veten tonë, aq më shumë do të duam t’i shohim edhe të tjerët të vuajnë”.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.