Histori personale

Gazeta Paloma - - Front Page -

Momenti kur kuptova se duhej të largohesha nga burri im abuzues

Askush që nuk e ka provuar nuk e kupton se sa e vështirë është të ndahesh nga një burrë abuzues. Një ditë është gjithë dashuri, një ditë tjetër është i mbushur me urrejtje. Një minutë parajsë, një minutë ferr. Vjen një moment kur e kupton se thjesht duhet të largohesh, por të duhet kohë për të mësuar se si ta bësh këtë gjë. Po ju tregoj historinë time... Deni hyri në kuzhinë kur unë isha varur mbi lavaman, thuajse çdo pjatë peshonte 10 kg. Ishte ora 8: 30 e darkës, por isha rraskapitur në punë dhe mezi po prisja të mbaroja që të futesha në shtrat dhe të humbisja në ndonjë libër. Deni u afrua, u ngjesh pas meje, krahët rreth belit tim dhe duart që më përkëdhelnin barkun. Dalëngadalë filluan të zbrisnin poshtë dhe po më prekte midis kofshëve. Po shtrëngoja dhëmbët. Duart e tij i ndieja të huaja dhe po bëja një sforco të madhe për të mos i ulëritur: “Hiqi duart nga unë!” “Kam pasur një ditë shumë të lodhshme, jam shumë e lodhur”,- i thashë duke u përpjekur ta bëja sa më të lehtë situatën. Ai u tërhoq në një mënyrë shumë harbute. Në atë moment nuk e kuptova se sa seriozisht e kishte. Nuk e kuptova intensitetin e nevojës së tij dhe ishte një nga ato raste kur unë nuk kisha opsion zgjedhje. Mua nuk më lejohej të thosha “jo”, qoftë ora 8:00 apo 10:00 apo edhe mesnatë. “Ti gjithmonë do atë që dëshiron vetë”,- ma preu. “Nuk mendon asnjëherë për atë që dua unë”. Tashmë as nuk e çoja ndërmend t’i kundër- përgjigjesha “Si mund ta thuash këtë?” sepse kjo pyetje nuk ka marrë asnjëherë përgjigje. Në pak sekonda, e vërteta m’u përplas në fytyrë dhe e ndjeva veten edhe më shumë fundërrinë. Nëse nuk i ndiqja vallen, atëherë duhej të ndëshkohesha. Ngriva në vend. E njihja mirë atë shikim. Më goditi me shuplakë. M’u duk sikur një thikë e mprehtë më përshkoi fytyrën, pastaj një nxehtësi dhe afsh më kaploi gjithë trupin. U largua menjëherë për në dhomën e tij. Dëgjova vetëm një të sharë - “k… egoiste”. U mblodha si një topth, me duart e ngathëta mbulova fytyrën. I ula vetëm kur pata kurajën për të parë rreth e përqark, kuzhinën time, shtëpinë time, jetën time, botën në të cilën unë jetoja me këtë mashkull. U mbylla në banjë dhe pashë veten në pasqyrë. Më dukej sikur po shikoja një të huaj. Hunda e saj ishte thyer. Kishte gjak që po i rridhte drejt buzës. Ajo kishte nevojë për ndihmë. Mora një grumbull shamish letre dhe u ktheva në kuzhinë, mora çantën dhe çelësat. U futa në makinë dhe u largova. Mbase ai e dëgjoi zhurmën e makinës, por gjithsesi nuk do të kishte kohë të më arrinte. Me njërin sy gjysmë të mbyllur dhe me një dorë duke shtrënguar hundën me shami eca deri tek ambulanca e spitalit më të afërt. Gruaja e recepsionit më pa në një mënyrë shumë të çuditshme. Plotësova formularët dhe u ula për të pritur. Kërceva përpjetë kur dëgjova të thërrasin emrin tim. Emri im nuk duhet të ishte këtu. Më çoi në një dhomë të bardhë, akull të ftohtë dhe më ndihmoi. Më hodhi një batanije shpatullave. E falënderova, thua se më kishte hedhur ndonjë jelek shpëtimi në det. Më dukej sikur kishin kaluar orë, por në fakt nuk kishin kaluar më shumë se 15 minuta, derisa një mjek dhe një infermiere erdhën dhe më mjekuan. Më pyetën se çfarë kishte ndodhur. “Im shoq u nevrikos dhe më qëlloi”,- u thashë. Kisha ndërmend të vazhdoja, por e ndala veten. Papritur gjithçka ishte shumë e qartë për mua, ky ishte fillimi dhe fundi i gjithçkaje. Çfarë ndodhi para apo më pas nuk ka rëndësi. Ai e bën gjithmonë këtë gjë. Më mjekuan me kujdes gjithë plagët dhe më kërkuan të pushoja për pak. Ndërkohë që qëndroja, prisja që të më thoshin diçka, të më ndihmonin në një tjetër formë, por gjithçka që ai më tha ishte: “Për një gjysmë ore mund të kthehesh sërish në shtëpi”, Meqenëse nuk kisha një strehë, atë natë u ktheva vërtet në shtëpi, por diçka dramatike kishte ndodhur brenda meje. Pasqyra të tregon historinë tënde. Për herë të parë e pashë veten si një person që e meritonte dashurinë time, si një person që meritonte kujdesin tim. Pse? Pas katër vitesh duke jetuar me një abuzues, fillova të flisja me një terapist. E theva heshtjen që nxitej nga ndjenja e turpit dhe frikës dhe fillova të flisja për situatën time me njerëz që ishin të gatshëm të më dëgjonin. Më e rëndësishmja është se këto fjalë dilnin jashtë dhe i dëgjoja vetë. Nuk kisha zgjidhje tjetër veçse të reagoja. Ky ishte hapi im i parë drejt lirisë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.