PROBLEMET ME DJALIN MË NISËN SAPO JU NDËRRUA MËSUESJA

Gazeta Paloma - - Front Page - *** NGA ERJONA SAQE

1. Përshëndetje mësuese! I kam lexuar me vëmendje pyetjet dhe përgjigjet e kësaj rubrike, ndaj vendosa t’ju pyes për një problem që kam ndeshur në shkollë me djalin tim, Drilonin. Djali im këtë vit është në klasën e gjashtë dhe ka mbi dy vjet që është bërë problematik në shkollë. Deri në fillim të klasës së katërt çdo gjë shkonte shumë mirë dhe unë nuk kisha patur kurrë ndonjë problem me shkollën e tij. Për shkak të një sëmundjeje të papritur, mësuesja që kishte e la punën dhe erdhi një mësuese e re. Bashkë me ardhjen e saj erdhën dhe problemet për djalin tim. Një herë djali im i ktheu fjalën për diçka dhe menjëherë mësuesja më thirri në shkollë. Që pas asaj dite në shkollën e djalit jam thirrur vetëm për probleme. Nuk them se gjithë fajin e ka mësuesja, por pse pikërisht me ardhjen e saj djali im u bë problematik? I flas djalit, por ai ndihet keq, mërzitet, nevrikoset dhe shpesh më thotë që do ta lërë shkollën. Ndërkohë te fëmija im shoh edhe gjëra që nuk shkojnë, por një gjë e ka të mirë: kurrë nuk më gënjen. Kur e ka bërë diçka, e pranon dhe kërkon falje. Jo pak herë ka qëlluar që jam thirrur në shkollë për një problem, ku djali im nuk ka patur asnjë lloj faji. Është bërë rrugë tani, sa herë ndodh diçka, fajin e ka Driloni. Kam folur me drejtoreshën e shkollës, por edhe ajo më thotë që me Drilonin i kanë provuar të gjitha, por nuk ia kanë dalë mbanë. Nuk dua që djali im të mbetet pa shkollë dhe për më tepër, nuk dua që ai të bëhet shkak për situata që rëndojnë të tjerët. Nuk di si ç’bëj të më rikthehet si më parë. Do ta vlerësoj çdo këshillë që do të më jepni. Me respekt, Albana.

Përshëndetje Albana! Sa herë ndeshem me situata të tilla, reflektoj edhe vetë mbi faktin se mësuesit kanë në dorë shumë më tepër se thjesht mësimdhënien. Ata kanë në duart e tyre fatet e fëmijëve, por një pjesë e arsimtarëve nuk janë krejtësisht të vetëdijshëm për këtë fakt. E mbështes mendimin tuaj që jo të gjithë fajin e ka patur mësuesja, por nëse Driloni deri në ardhjen e saj nuk ka paraqitur asnjë situatë problematike dhe ndryshimi vërehet pas ndërrimit të mësueses, sigurisht që një lidhje ekziston.

Ajo që shoh unë është pikërisht etiketimi ‘problematik’ dhe këtë mësuesit ia transmetojnë njëritjetrit, duke ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në mendimin dhe opinionin e kolegëve të tjerë. Qëllon që ndonjëherë, ndonjë nxënës të bën të kalosh ndonjë situatë jo të këndshme, por kjo nuk duhet ta shtyjë mësuesin të mbajë qëndrim ndaj fëmijës. Qëndrimi duhet mbajtur ndaj sjelljes, vesit dhe duhet parë me sy kritik, por pa e lënduar fëmijën. Me sa kuptoj Driloni është prekur që herën e parë kur mësuesja ju ka thirrur në shkollë. Ndoshta ndonjë sjellje më pas mund të ketë ardhur edhe si shenjë revolte nga ana e djalit, por mësuesja ka vazhduar në po të njëjtën linjë, duke ju thirrur juve në shkollë. Kjo ka vazhduar në mënyrë ciklike, derisa djali juaj është etiketuar si problematik.

Për situatën ka dy zgjidhje. Njëra kërkon shumë mund, pasi duhet të përpiqeni të ndryshoni mendimin e të gjithë mësuesve që ka aktualisht Driloni. Tjetra është më pak e lodhshme, mund të bëni ndryshimin e shkollës së djalit. Çojeni Drilonin në një shkollë tjetër dhe flisni më parë me djalin, nëse ai e pranon këtë vendim. Më pas flisni me të butësisht dhe kërkojini që në këtë ndryshim të ri ai duhet të tregojë më të mirën nga vetja, të bëhet shembull për mirë dhe të mos bëjë gabimet e mëparshme. Nëse të dy arrini në një konkluzion të përbashkët, atëherë nuk më mbetet veçse t’i uroj Drilonit: Suksese në shkollën e re!

2. Përshëndetje! Quhem Teuta dhe jam nënë e dy djemve, ku më i madhi prej tyre këtë vit filloi klasën e parë. Si çdo nënë e përjetova me emocion të madh ditën e parë të shkollës dhe takimin e Brianit me shokët e klasës dhe mësuesen. Ky emocion ishte i shoqëruar me një lloj frike, pasi djalit tim, Brianit, i mbahet pak goja kur flet dhe akoma më shumë e thekson këtë kur është i emocionuar. Doja të flisja me mësuesen ditën e parë të shkollës, por ajo ishte tepër e ngarkuar dhe e lashë për të folur me të në takimin e parë me prindër.

Dy javët e para çdo gjë shkoi mirë, por më pas vura re një ndryshim te Briani. U bë më i heshtur dhe goja po i mbahej edhe më shumë. Në pallat kam një djalë që është në të njëjtën shkollë me djalin tim, por në një klasë tjetër. Ai më tregoi një ditë se djalin tim, në klasën ku është, e tallin të gjithë shokët, madje edhe disa vajza. I kanë vënë një nofkë dhe me të e thërresin gjithë ditën, madje edhe kur janë në klasë. Ditën e nesërme shkova në shkollë dhe prita derisa mbaroi mësimi që të flisja me mësuesen. Briani erdhi me vrap drejt meje dhe në atë çast pashë në fytyrën e mësueses një lloj buzëqeshjeje të shtirur. Më takoi duke më thënë “nuk kam shumë kohë” dhe pastaj më tha shpejt e shpejt disa fjalë si “i dobët”, “mezi flet”, “duhet të flasë më shpejt” dhe përsëriti disa herë “jam e pakënaqur nga Briani”. Mbeta shumë e zhgënjyer. Mësuesja priste që djali im të fliste shumë shpejt pa e ditur fare problemin e tij dhe për më tepër ishte e pakënaqur me të, kur shkolla kishte vetëm pak javë që kishte filluar! Unë shkova që të flisja për problemin që Briani kishte me talljet e shokëve, por ajo që gjeta ishte edhe më zhgënjyese.

Vendosa në çast ta heq Brianin nga ajo shkollë, pasi as ndërrimi i klasës nuk do bënte punë me talljet e shokëve nëpër korridoret e shkollës. Në shkollën ku e kam çuar tani Briani ndihet shumë mirë. Mësuesja e mban pranë dhe asnjë nga shokët nuk i thotë ndonjë fjalë për ta vënë djalin në vështirësi. Ngrihet herët dhe me dëshirë për të shkuar në shkollë dhe për mua ky është gëzimi më i madh. Këtë letër e shkruajta për të falenderuar mësuesen e Brianit, Igdën. Ju falenderoj edhe juve për këshillat që jepni. Me dëshirë do prisja ndonjë sugjerim për situatën e Brianit. Këtë e kërkoj jo për vete, por për të gjitha nënat që mund të ndodhen në një situatë të ngjashme.

Gjithë të mirat! Teuta.

Përshëndetje Teuta! Ju falenderoj që e ndatë me ne shqetësimin dhe gëzimin tuaj. Ju respektoj për vendimin që keni marrë. Ju siguroj që është vendimi i duhur. Bullizmi është një fenomen që duhet luftuar nga të gjithë dhe mësuesit duhet të jenë të parët për ta parandaluar atë. Edukatorët, arsimtarët duhet të jenë mburoja dhe mbështetja e fëmijëve që lëndohen nga të tjerët. Të vjen keq kur këtë fenomen e sheh që në klasat e para të ciklit shkollor. Mësuesja e Brianit duhet të ishte bërë streha ku djali juaj të gjente qetësinë, por nga ajo që ju shkruani unë pashë që opinioni i mësueses për Brianin e kishte bërë atë qendër të talljeve dhe fyerjeve nga shokët. Mësues të tillë janë shembulli më i keq i edukimit, ndaj keni bërë shumë mirë që e keni larguar djalin tuaj prej një edukatoreje të tillë.

Ju e tregoni qytetarinë tuaj edhe në diçka që vlen për t’u theksuar. Keni përmendur emrin e mësueses që i është gjendur pranë Brianit, dhe me këtë rast edhe unë e falenderoj mësuese Igdën, por nuk keni përmendur në asnjë rresht emrin e mësueses e cila ju ka shkaktuar kaq shumë stres. Kjo tregon se ju jeni një nënë shembullore me etikë qytetare. Paçim sa më shumë nëna si ju! Paçim sa më shumë mësuese si Igda! Suksese Brianit!

mësuesin” është Përshëndetje! “Pyet do të trajtojë të një rubrikë e re që që hasni ju prindër gjitha problemet lidhje me shkollën. me fëmijët tuaj në që keni, Çdo pyetje, shqetësim dërgojeni në 0682766166.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.