Arilena Ara zbulon më shumë për këngën e fundit

“Nëntori”, një histori e vërtetë dashurie?

Gazeta Paloma - - Koktej -

Muaji nëntor, në të vërtetë, është muaji i preferuar i Arilenës, por nga kënga me të cilën ajo konkuron këtë vit në Këngën Magjike nuk duket kështu. Megjithatë, është një prej baladave më të forta të këtij edicioni, aq sa është preferuar dhe komplimentuar edhe nga kolegë apo kantautorë të njohur shqiptarë, të cilët e kanë postuar edhe në profilet e tyre.

Aktualisht, “Nëntori” është mbi 2 milionë klikimeve dhe është ndër projektet që vetë Arilena e ka shumë përzemër. E ftuar në një intervistë në InTv “Tek Unë”, ajo tregoi më shumë për projektin e saj të ri, çfarë pret nga ky festival dhe cilat janë planet e së ardhmes.

Bashkëpunimi për “Nëntorin” me producentin Darko Dimitrov erdhi fare natyrshëm, tregon Arilena. Pasi kishte dëgjuar disa variante të bëra gati për të, ajo zgjodhi pikërisht “Nëntorin”: “Nëntori” është projekti më i rëndësishëm deri tani… Unë kam qenë pjesë e programeve muzikore, jam rritur në televizion, por kjo është një baladë e veçantë dhe shumë profesionale, një baladë e vërtetë.”

Por nëse historia e dashurisë për muajin “e mallkuar” ka ndonjë të vërtetë brenda saj, Arilena thotë se për këtë nuk di gjë: “Tekstin e ka bërë Lindon Berisha. Duhet pyetur ai për këtë. Nuk e di nëse ka ndonjë histori dashurie që i ka prekur zemrën”, – tregon ajo me të qeshur: “Pasi e lexova tektin, i thashë Lindonit “e paske mbytur nëntorin.” Mua më pëlqen shumë nëntori, është muaji im i preferuar, ndërkohë që aty them “nëntori i mallkuar”…

Pas kësaj balade të ndjerë dhe shumë profesionale, Arilena tregon edhe ambicien e saj: “Unë pres gjithçka që është e mundur, përveç gjërave që janë jashtë meritës sime. Unë pres të dëgjohet kjo baladë. Edhe sikur të mos ishte në Këngën Magjike, është një këngë që absolutisht do ta publikoja, sepse është ndër më të preferuarat e mia….”

Dhe të gjithë dashamirësit e muzikës së Arilenës presin shumë nga kjo këngë. Dhe jo vetëm që kënga të dëgjohet, por edhe të vlerësohet.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.