A

Gazeta Paloma - - Psikologji - Kanxheri&Themeli, Studio Ligjore cel: 0684312422 kanxheri.themeli@gmail.com Bulevardi Zhan d’Ark, P. 8 kat, Ap. 3/2 Tirane.

I nderuar avokat, jam një lexuese e rubrikës tuaj. Lexova në gazetë për amnistinë për të burgosurit. Dua të di, a më takon ulje mua? Jam dënuar me 2 vjet shërbim prove për falsifikim dokumentesh dhe mashtrim me sigurimet shoqërore nga Apeli. Shkalla e Parë më ka dënuar me 1 muaj burgim dhe nga gjykimi i shkurtuar 20 ditë. Mjekohem në psikiatri prej vitesh për shëndetin mendor. A më takon ulje, dënim apo falje? Kam bërë 6 muaj paraqitje. Z.R.

- E nderuar lexuese, ne nuk mund të shprehemi dot mbi çfarë kanë nxjerrë gazetat për ligjin e amnistisë të këtij viti. Për momentin ekziston një propozim nga Ministria e Drejtësisë për amnisti, por ky propozim ende nuk është votuar në Parlament, pra ligji nuk ka hyrë ende në fuqi dhe për rrjedhim ai mund të ndryshohet deri në momentin që do të votohet.

Pra, ne nuk mund të shprehemi dot për rrethanat tuaja, kur deri tani ende nuk ka një ligj për amnistinë.

I nderuar avokat, nëse një punëmarrës pas disa vitesh pune konstaton se punëdhënësi nuk i ka derdhur kontributet shoqërore dhe shëndetësore, çfarë rruge duhet të ndjekë dhe ligjërisht a ka mundësi të kërkojë shumat që nuk janë derdhur, pavarësisht se janë pretenduar si të tilla ndër vite? Po marrja e pagesës mujore nëpërmjet bankës a provon derdhjen e kontributeve nga punëdhënësi? Faleminderit!

-I nderuar lexues, në rast se punëmarrësi konstaton se punëdhënësi nuk ka derdhur kontributet shoqërore ose shëndetësore, ai ka të drejtë që të ngrejë padi në gjykatë, duke kërkuar detyrimin e punëdhënësit që t’i paguajë atij të gjitha detyrimet e pamarra nga marrëdhënia e punës. Kjo përfshin edhe pagesën e përqindjes që ai nuk e mbante nga rroga, por e ka detyrimin ta paguajë vetë.

Ju sqarojmë se këto pretendime në gjykatë duhet të ngrihen brenda 3 vitesh nga momenti kur ju keni marrë dijeni për këto fakte. Ju këshillojmë të kontaktoni me një avokat për të pasur mbrojtjen më të mirë të të drejtave tuaja.

I nderuar avokat, jam një fshatar nga Tropoja, komuna Fierzë. Kam pasur një sipërfaqe toke prej 25 dynym, të cilën ma ka mbytur hidrocentrali i Fierzës në vitin 1979 dhe me gjithë përpjekjet që kemi bërë me këtë pushtet, nëse mund ta quajmë kështu, asnjë gjë nuk kam arritur të marr deri tani. Nuk kemi tapi se në 1997-n thanë se ishte djegur kadastra e Tropojës. Në mungesë, në vitin 2000, kemi bërë një gjyq dhe kemi fituar njohje pronësie përpara 1945- s. Pyetja ime është, a mund të marr gjë ndonjëherë dhe sa duhet të pres? Ju uroj gjithë të mirat!

- I nderuar lexues, ju nuk keni dhënë shpjegime të plota për rrethanat e çështjes, por keni shkruar në vija shumë të përgjithshme.

Ju sqarojmë se në rast se prona tuaj është përmbytur nga HEC- i i Fierzës, normalisht kjo pasuri ka kaluar nëpërmjet procesit të shpronësimit dhe ju tashmë nuk mund të keni pretendime të tjera, gjithmonë nëse kjo është situata.

Për sa i përket procesit që keni bërë në vitin 2000, nuk arrijmë të kuptojmë se çfarë lloj procesi ka qenë. Pra, vërtetim fakti apo proces pronësie me agjencinë e kthimit dhe kompensimit të pronave apo lloj tjetër.

Ju sugjerojmë të kontaktoni me një avokat, i cili të studiojë në hollësi çështjen tuaj.

I nderuar avokat, kam një të afërm në burg dhe është dënuar me 7 vite heqje lirie për vjedhje me dhunë, i kanë mbetur edhe 6 muaj burg. Doja të dija nëse përfiton nga amnistia që mund të bëhet e të lirohet përfundimisht. Shpresoj të kem qenë i qartë në atë çfarë kam shkruar. Faleminderit!

- I nderuar lexues, ashtu siç jemi shprehur më sipër, nuk mund të shprehemi dot pasi ende nuk ka një ligj për amnistinë.

Gjithsesi, nëse familjari tuaj ka vuajtur 6 vite e gjysmë nga 7, ju sugjerojmë që, sidoqoftë, të kërkojë lirimin e tij me kusht, konform Nenit 64 të Kodit Penal. Sipas kësaj dispozite, personat që janë dënuar për krime me dënim nga pesë deri në njëzet e pesë vjet burgim, në momentin që kanë kryer tre të katërtat e dënimit kanë të drejtë të kërkojnë lirimin me kusht.

Ju sugjerojmë ta eksploroni këtë mundësi ligjore dhe për të të kontaktoni me një avokat. Shpresojmë t’ju kemi sqaruar për pyetjen.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.