Dua një dhjetor me drita të fikura dhe me shpirtra të ndezur!

Gazeta Paloma - - Koktej -

Erdhi sërish ajo periudha e vitit kur të gjithë ndihemi nga pak fëmijë përbrenda. Ndoshta nuk kemi entuziazmin e plotë të një fëmije, por e ndiejmë dhe e dimë me siguri që jemi në muajin më të bukur të vitit, në periudhën kur të gjithë do të bashkohemi me të afërmit tanë dhe do të ngremë dollitë për një vit të ri më të mbarë sesa viti që po lëmë pas.

Këtë javë më ftuan për të dalë miqtë e mi dhe nga kurioziteti për të parë se si ishte zbukuruar qendra dhe korpusi universitar në Tiranë, pranova pa u menduar gjatë. Ç’të shihja! Një kryeqytet i gjithi me drita dhe zbukurime. Më pëlqeu që kishte ndryshime nga viti i shkuar, si në zbukurime, ashtu edhe në atmosferë. Muzika e festave buçiste në korpusin universitar dhe të ftonte të bëheshe pjesë e asaj atmosfere.

Teksa ecja, vura re se sa i ngrohtë dukej qyteti i kaosit dhe rrëmujës në jetën e përditshme. Nëse deri në atë moment Tiranën e lidhja me trafikun e rënduar, me zhurmat dhe ndërtimet për të zënë çdo hapësirë të mundshme të lirë, gjithë këto mendime u venitën në një moment të vetëm. Ishte festë dhe kjo gjë po ndihej. Entuziazmi im ishte i zbehur deri në atë moment, por gradualisht ai po zgjohej nga efekti i pemës dhe njerëzve që bënin foto rreth saj, nga pedonalja e zbukuruar dhe nga lojërat për argëtimin e fëmijëve në korpus. Jam i sigurt që shumë nga ju jo vetëm që e kanë parë një situatë të tillë, por edhe kanë shkuar për të luajtur në to, ashtu siç bënim kur ishim fëmijë që blinim xhetonat për të bërë xhiro me makinat tona të preferuara.

“Unë dua një dhjetor me drita të fikura dhe me shpirtra të ndezur” mund ta lexoni si një shprehje tepër të përdorur në këtë kohë nëpër rrjetet sociale. Në fakt, e shkruar nga një autor si Charles Bukowski duket si e pakundërshtueshme, por mendoj se jo gjithmonë ndodh kështu. E pranoj se një shpirt mund të ndiejë një botë të tërë, edhe kur përreth ka errësirë, por merrni parasysh edhe efektin e dritave në ndjenjën e lumturisë. Ndoshta kjo ju duket e pabesueshme, por provoni të dilni një herë në qendrën e qytetit tuaj. Shikojeni mirë pemën e zbukuruar dhe njerëzit që bëjnë foto të lumtur rreth saj, shikoni dritat në vitrinat e dyqaneve dhe fëmijët e gëzuar pamasë nëpër rrugët e qytetit. Është e pamundur apo jo? Është e pamundur të mos ndiesh diçka të ngrohtë brenda vetes. Njerëzit dhe gjërat të duken më të dashur.

Patjetër që ndoshta mendja do të rrijë edhe te problemet e tua, por unë do të kërkoja të mos e lodhje shumë mendjen tënde. Do të kesh kohë për të menduar edhe për hallet e përditshme. Më beso që ato kurrë nuk do të përfundojnë. Nëse do të zgjidhësh njërin problem, një tjetër do të të shfaqet dhe do të të mundojë. Njeriu kur fillon të piqet, në vend të entuziazmit, fillon të ushqejë stres dhe mendime negative. Dhe kjo gjë është shumë e vërtetë. Krahasoje veten me vite më parë. Në atë kohë mezi e prisje këtë periudhë për të ndezur kapsollat dhe për t’i plasur në rrugët e qytetit tënd. Tani këto ndjesi me siguri të janë venitur.

Mirëpo unë dua ta pyesësh veten, a ia vlen që edhe kohën më të bukur të vitit ta kalosh me mendime negative? Harroji problemet! Përpiqu ta ndiesh atmosferën e festave dhe t’i lësh gjërat të rrjedhin sipas asaj që është e shkruar. Përveçse do të mundosh veten, nuk ke për të fituar gjë. Kështu që, dil dhe argëtohu. Ka një botë të tërë atje jashtë që jam i sigurt se do të të kthejë paksa në fëmijërinë tënde. Mund të mos e besosh, por gjithë atmosfera festive ka për ta zgjuar fëmijën brenda vetes tënde, qoftë edhe vetëm për pak çaste, qoftë edhe nëse të rikthen me mendime në fëmijërinë tënde të lumtur dhe të mbushur me pafajësi.

Ndaj, ndriçoje shpirtin tënd me lumturi në këtë periudhë, ashtu si dritat e zbukurimeve kanë ndriçuar qytetin tënd. Largoji mendimet negative. Ndihmoji ata që kanë nevojë dhe fal dashuri, atje ku ajo mungon. Është festë dhe duhet të falim ato çfarë kemi me tepricë. Bamirësia nuk varfëron, sidomos në këto raste, për të kaluar të gjithë bukur, për t’u gëzuar, ashtu siç festat e kërkojnë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.