Kthim në rutinë

Gazeta Paloma - - Koktej -

Askush nuk do të kishte më shumë nevoj ë për pushime sesa personi që sapo i ka kaluar ato. Kështu kam dashur ta nis këtë editorial, sepse e di që shumë nga ne e gjejmë veten në fjalinë e parë të tij. Të gjithë vdesim për pak pushime, por ato janë aq të shkurtra. Kur je në punë apo në shkollë mezi ikën dita. Kur je pushim, ditët fluturojnë. Tani që këto ditë na kaluan e dimë se duhet t’i rikthehemi të përditshmes sonë, por duket sikur asgjë nuk po na e lehtëson këtë rikthim. Nga njëra anë pret që nga realiteti jashtë të dëgjosh gjëra të reja, që të të nxisin ta nisësh rutinën me optimizëm, por sërish të njëjtat gjëra, ndoshta edhe më të rënda se ato të vitit të kaluar: fëmijës i plas fishekzjarri në dorë; 19-vjeçari udhëton me shpejtësi dhe bën aksident; gripi në vend pushton thuajse çdo familje. Vendos më mirë ta fikësh televizorin sesa të stresohesh më shumë. Pastaj mendohesh thellë dhe kujton se do të fillojë sërish kaosi nëpër rrugë, fëmijët që do të qajnë para se të ikin në shkollë, kolegu ose kolegia e punës që do të na telefonojnë për të ditur se pse jemi bërë vonë për punë etj. Ec e krijo energji pozitive brenda vetes për ta nisur gjithçka! Por unë them më mirë t’i harrojmë këto gjëra dhe të fokusohemi te synimet tona për këtë vit të ri. Me siguri që secili ka shprehur një dëshirë kur fishekzjarrët shpërthyen në momentin e ndërrimit të viteve. Ndaj për ta plotësuar atë dëshirë çohu dhe fillo të bësh gjërat që duhen. Buzëqesh dhe shko në punë apo në shkollë. Takoji kolegët dhe miqtë e tu dhe uroju një vit sa më të mbarë. Përqendrohu në punë për të dhënë maksimumin tënd. Nëse je në shkollë, takoji të parët miqtë e tu më të mirë, por mos harro të takosh edhe miqtë e tjerë, me të cilët ndoshta nuk ke shumë muhabet. Uroju edhe atyre një vit sa më të suksesshëm dhe vetes jepi forca për të dalë sa më mirë. Sezoni i provimit po afron, ndaj do t’u duhen sukseset. Dhe për të gjithë në përgjithësi, e lamë një vit pas. Mendoj se ka ardhur momenti të ecim përpara bashkë me dështimet dhe momentet tona më të mira të vitit të shkuar. Mos u çudit që po lexon edhe se duhet t’i mbash me vete dështimet, sepse janë ato që do të vazhdojnë të na bëjnë më të fortë. Ato janë si forca që duhet për ta tërhequr shigjetën prapa dhe kur ne i pranojmë dështimet, ato e lëshojnë shigjetën dhe ajo ka vetëm një zgjedhje: të ecë me furi përpara.

Ndaj mblidhi forcat dhe dil nga shtëpia. Është një botë e tërë atje jashtë që duhet ta sfidosh edhe në këtë vit të ri. Mund të të duket jo shumë frymëzuese nisur nga lajmet e përditshme, por mos e krahaso veten me të tjerët. Mund të bësh gabime, por me siguri secili do të jetë i ndryshëm nga të tjerët dhe në fund do të mësosh diçka. Një vit i ri ka trokitur në jetën tonë dhe çdo ditë e tij është si një faqe e bardhë që kërkon të mbushet me ngjarje të reja. Janë pikërisht këto ditë që duhet t’i shfrytëzojmë në maksimum për të plotësuar veten tonë dhe për të plotësuar dëshirat dhe synimet tona, sepse ky është kuptimi i një viti të ri. Nuk ka vërtet ditë të reja. Ditët janë po ato. Është vullneti ynë, janë përpjekjet tona që e bëjnë atë të quhet i ri, sepse do të shërbejë si një fillim i ri për ne. Nuk është çudi nëse ke lexuar kudo nëpër rrjetet sociale “New Year, New Me”, që nënkupton ndryshimin e vetes me ndryshimin e viteve. Kuptimi është ky. Na janë falur ditë të tjera dhe ne duhet të përpiqemi t’i mbushim ato me dëshirat që kemi shprehur në vitin e shkuar. Ndaj unë e di që pushimet i duam të gjithë. Gjumi dhe rehatia janë të ëmbël, por mos prit që gjërat e mira të bien nga qielli. Duhet të çohesh e të luftosh për to, ndonjëherë duke nisur edhe me gjërat e përditshme, me rutinën tënde.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.