Artjola Toska pas 15-vjetësh martesë, prezanton bashkëshortin dhe këngën dedikuar atij

Gazeta Paloma - - Koktej -

Artjola Toska jeton një dashuri të lumtur me bashkëshortin e saj Adin, i cili për publikun nuk është një personazh i njohur. Jo vetëm për arsyen se këngëtarja është fanatike për ta ruajtur jetën e saj private larg syve kureshtarë, por edhe sepse Adi ka një profil tjetër që nuk ka lidhje me muzikën, edhe pse vjen nga një familje që e njeh dhe e vlerëson artin. E ftuar në “Rudina” pasi ka treguar projektet e fundit në muzikë dhe sukseset koncert pas koncerti, Artjola ka zbuluar edhe diçka më shumë për dashurinë e saj 15-vjeçare.

Me njeriun me të cilin lidhi jetën, ajo u njoh fillimisht në Prizren, në një darkë familjare të miqve të Adit: “Ishte dashuri me shikim të parë” – thotë ajo pasi tregon shkëndijën që lindi atë mbrëmje dhe që nuk do të shuhej më. Ndaj, sot, pas 15-vjetësh, Prizreni mbetet pas Tiranës, qyteti i dytë i preferuar i Artjolës. Jo vetëm sepse atje është njohur me bashkëshortin, por edhe sepse ai mbart shumë kujtime të çiftit dhe kohë të bukura atje. Por ai nuk është larg bashkëshortes gjithmonë sa herë ajo merr rrugë të gjata nëpër koncerte. Artjola tregon se ndonjëherë, kur ajo është një një koncert të ri, ku nuk i njeh organizatorët apo edhe kur është vetëm, Adi e shoqëron, ndërsa në rastet kur është në grupe dhe me kolege të tjera, jo.

Por nuk është e thjeshtë për ta menaxhuar kohën pa të: “Është e vështirë për të, e di që i mungoj. Edhe unë jam larg, por kam kolege dhe nuk e ndiej aq shumë mungesën. Edhe pse ai është gjithmonë këtu, me familjen, me shoqërinë e vet, sërish e ka më të vështirë…”

Pas hiteve e këngëve të panumërta, pas dedikimeve të dashurisë, Artjola dy vjet më parë i dedikoi edhe një këngë njeriut me të cilin ka lidhur jetën. Dhe këtë sekret e zbuloi tek Rudina. Kënga “Për ty”, që ajo publikoi për Shën Valentin dy vjet më parë, ishte këngë për Adin.

Këtë vit, mes shumë planeve për koncerte e hite, Artjola në jetën familjare ka edhe një ëndërr. E ka pasur gjithmonë, por ndoshta akoma nuk ka qenë ora: “Unë e kam dëshiruar prej kohësh, por s’ka qenë kismet. Nuk ka ardhur ora. Nganjëherë vijnë gjërat atëherë kur nuk i pret…” – tregon ajo pas pyetjes se a kanë në plan që të bëhen prindër së shpejti, duke shtuar se nuk ka pasur asnjëherë pengesë nga puna, siç mund të mendohet, por thjeshtë nuk ka qenë akoma momenti i tyre.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.