Jeta ime si telenovelat turke

Gazeta Paloma - - Histori Personale -

Nuk doja ta besoja se përsëri Anila po tradhëtonte besimin tim, se përsëri po tallej me mua. Në atë moment e urreva. Unë po sakrifikoja harmoninë e familjes time për të, kurse ajo po ma punonte prapë pas shpine. Ndjenja hakmarrjes po zinte vend brenda meje. Nuk e di si u fshi me gomë gjithë dashuria që ndjeja për të, në një fraksion sekonde.

Shkova dhe e takova. E pyeta për lidhjen e re që kishte nisur. Ajo u transformua në atë sekondë. Pashë një njeri që nuk e kisha njohur më parë. Më tha se unë me familjen time isha për mrekulli dhe nuk mund t’i kërkoja llogari asaj pse donte të kishte një familje. Por për mua nuk ishte kjo çështja. Unë isha treguar i sinqertë me të. Ia kisha bërë të qartë që në fillim. Kurse ajo me mua jo. Më thoshte se donte të rrinte gjithë jetën me mua. Por ajo që kuptova ishte se donte vetëm të mirat materiale që i ofroja unë. Për këtë e bënte gjithçka. I thashë se me mua nuk kishte më punë, por nuk e parashikova atë që do të ndodhte më pas.

Që atë ditë kur shkova në shtëpi e gjeta Gentën të shqetësuar. Më tha se dikush i kishte shkruar mesazh, ku i thoshte se unë do ta lija për dikë tjetër. E kuptova menjëherë që ishte ajo. Mohova gjithçka dhe e mora në telefon Anilën. Ajo nuk m’u përgjigj. Turfulloja i tëri. Në ato momente e vetmja gjë që kishte rëndësi ishte familja ime.

E njihja mirë gruan time. E dija se ishte nga ata njerëz të duruar, që kur lëndohen marrin vendime të menjëhershme. Kisha frikë se do të më linte. Por e dija se nuk do të mjaftohej vetëm me fjalët e shkruara në një mesazh anonim.

Të nesërmen shkova ta takoja Anilën. Isha shumë i revoltuar dhe e kërcënova. I thashë se do ta gjente belaja, po të merrej me familjen time. Mendova se do të trembej e do të ndalonte, por fjalët e mia e kishin kurdisur më keq.

I shkruante Gentës mesazhe nga numra të panjohur. I thoshte se unë e kisha tradhëtuar dhe vazhdoja ta tradhëtoja, se paratë i prishja me femra të tjera, se nuk e doja atë. Genta përsëri nuk e jepte veten. M’i tregoi mesazhet dhe më tha se nuk donte t’i besonte. I thashë të rrinte e qetë se unë vetëm atë doja. Por brenda vetes e dija se duhet ta zgjidhja këtë problem, që në njëfarë mënyre ia kisha hapur vetë vetes. I kërkova Gentës të ndërronte numër, se mesa duket ishte dikush që nuk na donte të mirën e do të na bezdiste vazhdimisht. E dija që ajo e kuptonte se për këtë kisha faj unë, por nuk kisha guxim t’ia pranoja.

Nuk dua të zgjatem me gjithë përndjekjen që më bëri Anila për muaj me rradhë. Ajo donte që unë të kthehesha me të. Por një gabim të tillë e kisha bërë dy herë. Nuk mund ta përsërisja. Ndjehesha në faj para gruas time, të cilën e pata krahë gjithmonë.

Nuk do ma kishte marrë mendja se ajo do të arrinte deri aty sa ta takonte Gentën time e t’ia tregonte të gjitha. Por edhe kjo ndodhi. Për një çast e gjithë bota ime ndali. Por Genta edhe atëherë gjeti forcën për hir të fëmijëve.

Erdhi tek unë me sytë e mbushur me lot, por dinjitoze. Më pyeti se ç’kishte ndodhur, çfarë doja unë, si e mendoja jetën. Dhe unë u ndjeva i pafuqishëm që ta gënjeja. I thashë të vërtetën, i tregova për debulesat e mia, por i tregova edhe për dashurinë që kisha për të. I thashë se e vetmja grua që doja në krahë, ishte ajo. I kërkova falje, duke e ditur se nuk e meritoja faljen e saj. Dhe pas fjalëve të mia, Genta e kishte marrë vendimin e saj.

Më tha se për hir të fëmijëve, për hir të viteve që kishim kaluar bashkë do të më jepte një mundësi të dytë, do ta hidhnim pas krahëve këtë gjë. Mu duk sikur mbi shpinë kisha mbajtur një barrë të rëndë. Në atë çast u lehtësova prej saj.

Atë kohë vështirësitë nuk kishin të sosur. Edhe biznesi u bë i vështirë. Për herë të parë hodha lotarinë amerikane. E di se shumë shqiptarë e bëjnë prej vitesh një gjë të tillë. Por mua nuk më kishte shkuar mendja më parë. Ishte Genta që thoshte se na duhej një fillim i ri, një jetë më e mirë për fëmijët tanë. Dhe Zoti i kishte dëgjuar lutjet e saj. Ajo u përzgjodh si një prej fituesve të lotarisë amerikane.

Nuk e kisha menduar ndonjëherë të largohesha përfundimisht nga Shqipëria. Por sot mund ta them me plot gojë se është vendimi më i mirë që kam marrë. Bashkë me familjen time jetojmë në Amerikë. Në Shqipëri vimë vetëm për të takuar familjarët!

Kemi nisur një jetë të re, për të cilën i jam mirënjohës Gentës! Falenderoj Zotin për gjithë gjërat e bukura që më ka dhënë në jetë, për gruan e fëmijët e mi të mrekullueshëm!

Kjo ishte historia ime të dashur miq! Duke ju falenderuar për kohën që i kushtuat, uroj të mos ju kem lodhur. Shpresoj që t’ju vlejë mësimi që unë kam nxjerrë në jetë sepse jo të gjithë e kanë fatin të kenë një shans të dytë!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.