Kthimi dhimbshëm te dashuria parë

Gazeta Paloma - - Histori Personale -

Isha vetëm 15 vjeçe kur nisi historia jonë e dashurisë. Çdo gjë ishte perfekte ose mendoja unë atëherë. Kisha dhënë puthjen e parë. Si çdo ëndërr që kërkon realizim, edhe pse e vogël në moshë, mendoja gjithmonë të krijoja familjen time me të. Doja të ecnim të dy bashkë në rrugët e jetës. Ndihesha e lumtur për zgjedhjen time. Vazhduam kështu një vit pastaj çdo gjë ndryshoi. Ai nuk vinte më në takim, nuk më buzëqeshte si dikur, madje ndërronte rrugën sa herë takoheshim. Këto s’i përballoja dot. Vendosa ta pyesja se pse kjo sjellje, se ku gabova, mos kishte hyrë dikush tjetër në jetën e tij. Më pa në sy, më përqafoi dhe të vetmet fjalë që tha ishin “të dua”, të lumtur nuk më sheh më kurrë dhe vërtet ashtu ndodhi. Unë çdo ditë kërkoja sytë e tij, por s’i gjeta askund. Ishte zhgënjimi i parë dhe e vuajtja shumë pas tij. Nuk munda të kisha besim tek asnjë djalë. Vitet kalonin, por në zemrën time s’kishte vend për tjetër njeri. Çdo ditë pyesja veten se pse iku nga unë kur ne duheshim. Ndoshta frika se ishim të rinj apo ai kishte luajtur me ndjenjat e mia? Si përfundim, familja më fejoi me një djalë të shkolluar, me edukatë dhe shumë serioz. Pranova edhe pse zemra ime i përkiste dikujt tjetër. Andi quhej djali me të cilin lidha jetën, më donte por nuk e shprehte me fjalë. Çdo dëshirë e imja për të ishte urdhër. Arriti ta shëronte zemrën time nga pak derisa unë e dashurova vërtet, por lumturia sikur nuk ishte e shkruar për mua. Në prag të martesës ai bëri aksident dhe vdiq në spital. Për mua ishte goditje fatale të humbisja edhe Andin. Fati im i keq ndoshta më ndoqi nga pas, humba dy dashuritë e mia brenda pak vitesh. U mbylla në vetvete dhe s’e doja jetën. Vëllezërit e mi më kërkuan falje për çdo lot pasi ishin ata fajtorët që më ndanë nga dashuria ime e parë. E kishin kërcënuar me jetë që të largohej prej meje.

Prej ditës që kuptova të vërtetën, unë u ndjeva më e qetë sepse djali që dashurova nuk më kishte tradhtuar me tjetër, por ishte kërcënuar nga vëllezërit e mi. Në atë kohë isha edhe duke vuajtur humbjen e Andit. Ndjenjat e mia ishin ngatërruar aq keq, sa nuk dija të qaja apo të qeshja. Familja ime më donte shumë. Isha vajza më e vogël, por që përjetova shumë gjëra të trishtuara. Ata m’u betuan që nuk do të ishin më pengesë për jetën time, do ta respektonin çdo vendim pasi kisha arritur moshën e pjekurisë. Andi mbushi 9 muaj nga vdekja dhe ashtu mes lotëve shkova te varri i tij për t’i thënë faleminderit që më nxori nga errësira ku isha futur dhe t’i kërkoja falje që shumë vonë e dashurova, por nuk ishte faji im që ne nuk arritëm të jetonim bashkë. I premtova që do të ishte drita e jetës time. Më pak fjalë i thashë lamtumirë. Vendosa të kërkoja dashurinë time të parë, por me frikë se nuk do ta gjeja si dikur, ndoshta kishte krijuar familjen e tij dhe unë isha një pjesë e së shkuarës. Gjithë kohës pyetjet më torturonin dhe të vetmen shpresë kisha motrën time që më mbështeste, më jepte kurajë për çdo gjë. Falë saj nuk u dorëzova asnjëherë, por ecja me kokën lart se e dija që kishte të drejtë. Djali që unë doja ishte përfshirë në disa gjëra jo të këndshme dhe ishte në burg. Normale që nuk u ndjeva mirë, por e kisha ëndërruar ndryshe takimin tonë pas 5 vitesh të gjatë. U gjenda përpara një dhome burgu që s’e kisha pritur ndonjëherë, por dashuria kur është e vërtetë çdo gjë i duket parajsë. Asgjë nuk doja në ato çaste vetëm t’i shikoja edhe njëherë sytë e tij. Orët kalonin dhe pritja ishte e gjatë. Një zë më tha “mund të futesh brenda”. U hap dera dhe brenda ishte ai, ndoshta kishte ndryshuar në gjithçka, por si dikur më buzëqeshi dhe më përqafoi. Në ato çaste jam ndierë femra më e lumtur në botë. Isha aty ku doja vetë, pranë zemrës që e doja më shumë se çdo njeri. Lotët dhe malli zunë vend në atë dhomë të zymtë. Nuk qëndrova shumë pasi ashtu duhej. Iu betuam njëri - tjetrit që vetëm vdekja do t’i ndante zemrat tona. E prita derisa mbaroi dënimin dhe ne nisëm jetën aty ku ëndrrat tona u ndërprenë në gjysmë. Sot jemi të lumtur me njëri- tjetrin. Çdo gjë e trishtë ka mbetur në të kaluarën. Jeta ka sfida plot, por kurrë mos u dorëzoni. Tregoni dhe ju historinë tuaj, do jetë diku dikush që do i vlejë eksperienca e jetës suaj.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.