TË THASHË, POR NUK MË DËGJOVE

Gazeta Paloma - - Psikologji -

p r v k q p d

Trego si fëmijët të mbrohen nga gripi

Prindër, flisni me fëmijët për epideminë e gripit që ka rënë. Flisni jo duke i trembur, por duke i mësuar si të mbrohen. Tregojini se tani duhet të zbatojnë disa rregulla që mjekët rekomandojnë për të shmangur apo zvogëluar dëmet që mund të shkaktojë gripi. Këto rregulla edhe pse mund të mos i pëlqejnë, duhet t’i zbatojnë sepse në rradhë të parë e kanë detyrë ndaj vetes, por edhe ndaj të tjerëve. Kur dikush sëmuret nga gripi, ai e shpërndan edhe te të tjerët dhe gjithashtu, ka nevojë që dikush t’i shërbejë. Prandaj kërkohet kujdes dhe zbatimi i këshillave që mjekët rekomandojnë.

Ndihmo në realizimin e procesit!

Prindërit e adoleshentëve duhet të pranojnë që adoleshenti nuk është fëmija i vogël që ka nevojë për prindin dhe familjen. Adoleshenti, edhe pse i parritur, nuk është më fëmijë. Ai po shkon drejt të qenit zot i vetes, ka arritur pjekjen seksuale, por ka ende rrugë për të bërë drejt vetëdijes dhe njerëzores. Prindërit duhet ta pranojnë këtë rritje dhe duhet të përkujdesen që ai ta realizojë procesin ashtu siç ëndërron dhe të mos humbë në labirintin e rritjes njerëzore pa e arritur atë.

Të thashë, por nuk më dëgjove

Në adoleshencë, edhe pse njeriu ka mësuar apo më saktë e ka bërë të vetin konceptin e të mirës dhe të keqes apo rëndësinë e punës, përsëri sjelljet i ka shumë impulsive. Ai nuk e ka të lehtë ta menaxhojë këtë formë energjie. Në këtë fazë të jetës i rrituri ka një rol vendimtar, me kushtin që të mos jetë paragjykues dhe mbi të gjitha të mos demonstrojë dijen e tij prej të rrituri, që i di të “gjitha”. I rrituri duhet të shmangë shprehjen: “Të thashë, por nuk më dëgjove”. Kjo shprehje është “vdekjeprurëse” për adoleshentin. Është kjo shprehje që e shmang dhe e prish dialogun aq të rëndësishëm. Adoleshenti ka nevojë për këtë dialog. Do të ishte ideale që i rrituri të ishte mësuesi i shkollës ku adoleshenti bën pjesë. Familja, nëna, babai, edhe pse janë shumë të rëndësishëm për adoleshentin, kanë dalë në plan të dytë për faktin e thjeshtë sepse kështu zhvillohet cikli i rritjes. Fillon me familjen, periudha nga 0-13 vjeç, ku merren bazat e edukimit dhe më pas vazhdohet me të mësuarin nëpërmjet njerëzve të tjerë me të cilët nuk ka lidhje gjaku. Është shumë e rëndësishme që i rrituri jashtë familjes të jetë një i rritur tolerant dhe i përgjegjshëm, pasi këtu janë premisat ku ndërtohet dhe merr vrull njerëzorja dhe qytetarja, të pranosh tjetrin si veten pa pasur lidhje gjaku.

Njeriu duhet të rritet për të ardhmen

Njeriu hyn në adoleshencë në moshën 14-vjeçare femrat dhe 16-vjeçare meshkujt dhe i duhen plot 4 vjet që kjo periudhë e jetës të marrë fund. Nëse lules i duhet një natë për të realizuar transformimin nga gonxhe në lule, njeriut i duhen plot 4 vjet për të realizuar transformimin nga fëmijë në të rritur. Pasi rritet trupi dhe bëhet i gatshëm që t’i përgjigjet kërkesës së psihës së të rriturit, duhet edhe ca kohë tjetër që i riu të mund të harmonizojë raportin trup-shpirt. Trupi i tij duhet të realizojë riprodhimin dhe rritjen, si çdo gjallesë, por njeriu duhet të rritet për të ardhmen, jo thjesht si ekzistencë e species. Njeriu duhet të rritet edhe në njerëzore, që është karakteristika e tij autentike.

Mësimi apo e mësuara “ushqehet” nga e shkuara

Edukimi ka të bëjë me “të mirën dhe të keqen”, “të drejtën dhe të padrejtën”, ndërsa mësimi ka të bëjë me “e di, nuk e di”.

Edukimi, kjo formë e brishtë krijuese, kërkon shumë vullnet nga njeriu për t’u realizuar. Kërkon impenjim dhe vetëdije deri në ekstrem, sidomos nga institucionet që njeriu ka ndërtuar. Edukimi, ashtu si edhe gjuha (pasi janë të lidhura ngushtësisht me njëra-tjetrën) “ushqehet” nga e ardhmja. Ndërsa mësimi apo e mësuara “ushqehet” nga e shkuara.

Edukimi operon në nivelet e thella të gjuhës, atje ku mundësohet krijimi për të ardhmen, ndërsa e mësuara operon në “sipërfaqe” dhe është e lidhur më shumë me vetinë e gjuhës si mjet komunikimi dhe jo si mjet krijimi.

Më vdektë çuni që po të them të vërtetën!

“Më vdektë çuni që po të them të vërtetën” apo “për kokën e çunit apo të gocës” - këto betime të tmerrshme i bëjnë si pa gjë të keq burrat dhe gratë pa dallim. Ajo që të bën përshtypje është se askush nuk mendon se çfarë po “nxjerr” nga goja dhe për çfarë bëhen gjithë këto betime që të ngjethin mishin kur i dëgjon. Bëhen për t’i besuar dikush që, sado i rëndësishëm që të jetë, nuk vlen sa jeta e fëmijës. Dhe më e dhimbshmja qëndron në faktin që askush nuk betohet për veten, por betohen për fëmijën me pretekstin se vetëm kështu i besojnë. Ky mosbesim te fjala e vetë personit tregon një shkallë të ulët vetëvlerësimi dhe papërgjegjshmërie. A i ka shkuar në mendje ndokujt, po t’i dëgjojë fëmija çfarë do të ndiejë, mendojë dhe provojë? Kujdes prindër, zgjidhini fjalët dhe mendojini mirë para se t’i nxirrni nga goja! Ju jeni modeli dhe siguria e fëmijës tuaj. Çfarë modeli do t’i ofroni fëmijës, që nuk dini çfarë thoni, që nuk i besoni as vetë fjalës tuaj apo që tjetri është më i rëndësishëm se vetë fëmija që thoni se e doni shumë?

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.