Arsyeja pse djali e prek organin e tij

Gazeta Paloma - - Front Page -

Të lindësh në një botë indiferente

Kur fëmijën nuk e dëgjon njeri, kur nuk i përgjigjet njeri, e vetmja mundësi që i mbetet është të shtypë dhe ndrydhë dhimbjen e tij. Ky veprim, shtypja dhe ndrydhja e dhimbjes, provokon te fëmija gjymtimin në shpirtin e tij. Shtypja e dhimbjes shkakton turbullirë në sferën e ndjenjave, paaftësi për të ndierë, për të perceptuar dhe për të kujtuar.

Nëse një qenie njerëzore lind në një botë të ftohtë dhe indiferente, e konsideron si të vetmen botë të mundshme që ekziston. Dhe gjithçka në vazhdim do të besojë, mbështesë, apo do ta quajë të drejtë do të jetë e bazuar në këto eksperienca të para e formuese. Sot mund të demonstrohet që çmimi i kësaj periudhe është shumë i lartë jo vetëm për një individ, por implikon dhe është rrezik i rëndë edhe për grupin.

Të veten i prindërit

Fëmijë i gëzuar është ai fëmijë që ka vazhdimisht në krah prindërit e tij edhe kur sillet mirë, por sidomos kur gjendet në vështirësi apo bën diçka që të tjerët nuk e pëlqejnë apo bezdisen. Janë ata prindërit e tij që i dalin krah dhe nuk e lënë vetëm, sidomos në situata problematike. Ata e përballojnë së bashku problemin pa u turpëruar, por duke marrë përsipër dhe duke e justifikuar se radhës tjetër do të sillet më mirë dhe do t’i bëjë veprimet më mirë. Fëmija po rritet dhe shumë gjëra nuk e ka të lehtë që t’i bëjë apo kuptojë. Mami me babin janë me të që ta ndihmojnë, që ta inkurajojnë, që t’i thonë të ketë durim. Ta sigurojnë se ashtu si një vit më parë nuk i bënte ca gjëra, ndërsa këtë vit i bën me zhdërvjelltësi. Po ashtu me pak durim, duke kërkuar të falur së bashku me prindërit kur gabon, sepse duhet të përgjigjemi për veprimet dhe të mbajmë përgjegjësi për to. Dhe kështu çdo ditë, i mbështetur nga prindërit e tij, shijon se si administron veten gjithmonë e më mirë.

Të realizosh

Vetëkontrolli është empati me veten tuaj të ardhshme. Të rritur, prindër, edukatorë, mësues, mësojuni fëmijëve se çfarë është vetëkontrolli. Tregojini, edhe pse është i vështirë, pasi të pengon në plotësimin e dëshirës në çast, por të ndihmon të njohësh, duash e vlerësosh veten në të ardhmen. Vetëkontrolli të ndihmon të realizosh veten siç dëshiron.

Vetëkontrolli është një veti që duhet zhvilluar me shumë kujdes dhe roli i të rriturit është shumë i rëndësishëm. I rrituri jo vetëm që është modeli për të parriturin, por edhe nxitësi i vetëkontrollit si frikë nga tjetri apo vlerësim nëpërmjet empatisë për të ardhmen si i rritur. Ky këndvështrim, sipas studimeve, e ndihmon fëmijën më shumë se çdo gjë tjetër.

Arsyeja pse djali e prek organin e tij

Kur shikoni fëmijën, në rastin kur është djalë që prek organin e tij dhe në rastin kur është vajzë fërkohet në një gjë të butë në mënyrë ritmike, duhet të ruani qetësinë. Të rriturit as duhet të alarmohen, por edhe nuk duhet të bëjnë indiferentin. Ajo që është më e rëndësishme duhet të shmangni fajësimin e fëmijës për veprimin që bën. Me qetësi i duhet shpjeguar se këto veprime bëhen kur je vetëm dhe jo në çdo vend. Gjithashtu, të rriturit duhet të jenë të vëmendshëm sidomos kur këto veprime janë të shpeshta. Të rriturit pranë fëmijës, në radhë të parë nëna dhe babai, duhet të kuptojnë që fëmija ndihet i tensionuar dhe kërkon vetë një zgjidhje për t’u qetësuar. Dhe shkaku i vërtetë i veprimeve të tilla të shpeshta janë vetë prindërit ankthiozë apo të tensionuar ose mungesa e gjatë e njërit apo të dy prindërve. Kështu, kur konstatohet kjo sjellje prindërit duhet të verifikojnë sjelljen e tyre dhe të rrisin cilësinë e marrëdhënies me fëmijën, si dhe duke kontrolluar gjendjen e tyre emocionale.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.