MES DHIMBJES PËR DJALIN DHE TRADHTISË SË BURRIT

Gazeta Paloma - - Histori Personale -

Përshëndetje lexues të gazetës! Në numrat e fundit kam lexuar histori të nënave që vuajnë, nënave që edhe pse me dhimbje pafund në zemër, kanë arritur t’ia dalin mbanë, kanë arritur të mposhtin vështirësitë. Ndaj vendosa edhe unë sot që ta dërgoj këtë histori në emailin e gazetës për ta gjetur veten sado pak ato nëna e gra që kanë probleme në jetë, dikush nga Zoti e dikush nga robi. Unë jam Fatmira nga Durrësi, kam një dritë të syrit: djalin që ditët e mia ia kushtoj atij.

Ishte vetëm 17 vjeç dhe askujt nuk i shkonte mendja se mund të vuante nga një sëmundje e rëndë. Ndjente përherë lodhje, mungesë oreksi, kishte rënie të theksuar në peshë edhe pse nuk ushtrohej të binte nga pesha dhe mbi të gjitha, prekej shpesh nga infeksionet, nga gripi. Të gjithë menduam se mund të ishin normale këto shenja kur iu shfaqën, sepse ishte dimër, por edhe gjatë verës vura re po të njëjtat shenja. Ai filloi dalëngadalë të zbehej dhe në gushtin e vitit të shkuar, unë e çova për vizitë. Kishte katër muaj me ato shenja, por ne shqiptarët e kemi zakon të shkojmë në spital në momentin e fundit.

Sapo një mjek dëgjoi për simptomat e tij, u zbeh disi në fytyrë dhe na sugjeroi të shkonim në repartin e hematologjisë. Më tha se vetëm aty mund të merrnim një përgjigje më të saktë. Shkuam atje dhe pas një sërë analizash të gjakut dhe analizash imazherike, na thanë të shkonim ditën e nesërme për përgjigjen, edhe pse e kishin një ide se për çfarë mund të bëhej fjalë. I pyeta se çfarë mund të kishte, por më thanë që ditën e nesërme do të ma thoshin me siguri. Ditën e nesërme shkova vetëm dhe mjeku më tha: “Zonjë, më vjen keq! Djali juaj vuan nga leucemia mieloide akute”. Kisha dëgjuar për sëmundjen e leucemisë, por nuk më shkonte në mend se sa e rëndë ishte. Ishte një formë kanceri dhe mjeku më shpjegoi se sëmundja kishte avancuar shumë dhe në imazheri ata kishin vënë re edhe zmadhimin e mëlçisë dhe shpretkës, ndaj familjarisht duhej ta mendonim transplantin e palcës së kockës tek djali ynë, pasi ishte e vetmja mundësi që ai të shpëtonte. Sipas tij, vetëm në rrethin familjar mund të gjendej një përputhje e mirë e grupeve të gjakut sipas kritereve të duhura. Ndërkohë, mora recetën nga mjeku dhe u nisa për në shtëpi. Ndihesha e shkatërruar. Mendoja vetëm se ku kisha gabuar, çfarë mëkati kisha bërë që Zoti po më ndëshkonte në këtë mënyrë me fëmijën e vetëm që unë kisha…

Në shtëpi fola me bashkëshortin dhe ai nuk pranoi që djali të operohej. Unë e vura re që ai i trembej dhurimit të palcës dhe ndaj nxirrte justifikime të kota. Unë e kisha të ndarë mendjen. Nëse do të më jepej mundësia t’i gjeja lekët e operacionit, unë do të isha dhuruesja. Nuk mund ta shihja më djalin tim në moshën më të bukur, të dergjej në shtrat e të mos dilte jashtë shtëpisë nga frika se mund të sëmurej sërish nga ndonjë infeksion tjetër. Më mundonte ajo situatë. E shihja dhe më vinte vetëm të qaja, ndërkohë që ai më thoshte se gjithçka do të shkonte mirë. Ishte një paradoks i vërtetë. Ndërkohë që unë duhej t’i jepja shpresë, më jepte ai mua…

Nd ë r k o h ë , u n ë u kërkova lekë gjithë të afërmve, mirëpo askush nuk mundi të ma plotësonte shumën që nevojitej për operacion. Vendosa t’u drejtohesha televizioneve në vend. Ndoshta kështu do të mund ta shëroja djalin tim dhe pas publikimit të rastit, mora telefonata të shumta.

Sikur të mos mjaftonte vuajtja nga sëmundja e rëndë e djalit, më vjen edhe një telefonatë e çuditshme. “Alo, Arben!”- dëgjoj një zë femre nga ana tjetër. Iu përgjigjja se unë isha bashkëshortja e Arbenit, ndërkohë që ajo tha vetëm: “S’ka mundësi! Ai më ka thënë që është i divorcuar”. Dhe e mbylli telefonatën. Nuk po arrija të besoja se si ai po bënte diçka të tillë. Ndieja tokën të shembej poshtë këmbëve të mia. Si ishte ai në gjendje të mendonte për gjëra të tilla, kur djali ynë 17- vjeçar i sëmurë priste që të siguroheshin paratë, pa të cilat nuk operohej dot?

Kur erdhi në darkë ( ishte bërë rutinë të vinte natën vonë) i shtrova për të ngrënë dhe po e shihja drejt e në sy. Ai hëngri dhe e vuri re mërzitjen time. “Mos u mërzit se çdo gjë do shkojë mirë”,- më tha, ndërkohë që unë nuk durova dhe plasi sherri me të. Në fillim ma mohoi, ndërsa më pas filloi të më fliste në një mënyrë që nuk e prisja. Pasi u zu me mua, më tha: “Ti je një e paaftë që edhe një djalë që ma dhe, ma dhe të sëmurë” dhe u largua nga shtëpia duke përplasur derën. U shtanga nga ajo fjali. Kisha jetuar gjithë këto vite me një person të tillë dhe nuk e njihja aq mirë sa duhej. Ndërkohë djali kishte dalë në derën e dhomës së tij dhe më tha: “Ma, ti nuk ke faj për asgjë”. Ishte ora dy e natës dhe ai e kishte dëgjuar gjithë bisedën tonë. E përlotur shkova ta përqafoja dhe e mora në dhomën time. Atë e zuri gjumi në krahët e mi, njësoj siç e zinte kur ishte i vogël. Mirëpo tani ishte rritur dhe pavarësisht zbehjes së fytyrës nga sëmundja, ishte bërë shumë i bukur. Unë isha krenare për të, për rezultatet e tij në shkollë, për sjelljen e tij, për gjithçka dhe pas asaj që ndodhi, e vetmja gjë që mund të bëja, ishte të qaja. Ai iku duke më lënë të përballesha e vetme me sëmundjen e djalit tonë. Ai iku duke më fajësuar mua që nuk bëra dot fëmijë tjetër. Ai iku dhe më shkatërroi me fjalët e tij…

Akrepat e orës tregonin 08:05 dhe ndjeva të më binte telefoni. Më ishte mpirë krahu ku djali kishte vendosur kokën dhe kishte fjetur gjithë natën. Më kujdes e hoqa krahun pa e zgjuar dhe u ngrita nga shtrati. E ndieja trurin si të mpirë nga pagjumësia, ndërkohë që hapa telefonin dhe më njoftuan se një mjek turk kishte vendosur të kryente operacionin në Shqipëri në Spitalin Amerikan pa asnjë pagesë. Direkt u zgjova nga lumturia në atë moment dhe pasi djali u zgjua, telefonova një taksi dhe shkuam t’i bënim analizat sërish nga e para në spitalin privat. Pasi ata e panë urgjencën e çështjes, na thanë të paraqiteshim pas katër ditësh sërish në spital për operacionin.

Mezi po duroja të kalonin ato katër ditë e të bëhej operacioni, edhe pse ata na paralajmëruan për çdo rrezik. Unë doja vetëm që djali të shpëtonte. S’më interesonte asgjë tjetër se çfarë mund të ndodhte me mua. Jeta e tij ishte gjëja më me vlerë në ato momente që po kalonim.

Kur kaluan ato katër ditë, të dyve na kaploi frika në sallën e operacionit, por nuk ndjemë asgjë nga anestezia. Mjekët përpiqeshin edhe të na mbanin me gallata që të mos e mbanim mendjen tek ajo që do të ndodhte, derisa na zuri gjumi dhe asnjëri nga ne nuk ndjente gjë.

U zgjova në një sallë e vetme dhe një infermiere po më vendoste një serum. Kaloi pak kohë sa të kthehesha tamam në realitet e të kuptoja çfarë kishte ndodhur dhe e pyeta infermieren se si kishte shkuar gjithçka. Ajo më tha që kishte dëgjuar të shkonte çdo gjë me sukses dhe se djali im ende nuk ishte përmendur, por që analizat tregonin përmirësim të dukshëm.

Nuk kishte lumturi më të madhe. Unë nuk di të kem kaluar ditë më të lumtur se ajo. Mamaja dhe motra më qëndruan pranë për çdo gjë që kisha nevojë dhe sot që ju shkruaj, unë jam shumë e lumtur që ia dola ta mposhtja bashkë me djalin tim atë sëmundje të rëndë. Im shoq ka vendosur të jetojë me gruan e re, por nuk më intereson. Unë kam djalin shëndoshë e mirë dhe kjo shkon përtej lumturisë së shtirur që ai mund të më ofronte… Këtë doja ta ndaja me ju lexues. Asnjëherë mos u tërhiqni, ka një Zot që na ndihmon! Duhet besim, shpresë dhe sigurisht durim. Pres të më shkruani për çdo gjë. Respekt për të gjitha nënat e gratë që po kalojnë halle e mundime në këtë jetë. Fatmira!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.