Engjëlli që mposhti çdo vuajtje

Gazeta Paloma - - Histori -

Përshëndetje të dashur lexues të gazetës Paloma. Unë që po shkruaj jam një vajzë 27 vjecce, që kam patur një jetë shumë të vështirë. Vuajtjet e mia kanë nisur që kur kam lindur, për shkak të gjendjes së vështirë në të cilën jetonte familja ime.

Unë isha fëmija i parë dhe i vetëm për prindërit e mi. Në kohën kur erdha në jetë, ata jetonin në një fshat të humbur në veri të Shqipërisë sepse ishin të internuar nga regjimi i atëhershëm. Bënin një jetë shumë të vështirë. Nënës sime i duhej të punonte edhe kur ishte shtatzënë. Me vështirësi më solli në jetë dhe me më shumë vështirësi më rritën. Kur shoh fëmijët e sotëm që rriten mes të gjitha të mirave, më vjen ndërmend fëmijëria ime e mjerueshme, kur nuk bëhej fjalë të ngopeshe me bukë e jo më të kishte lodra si sot. Shtatë vitet e para të jetës sime i kalova në atë zonë të humbur. Dhe më në fund erdhi koha që të kishim mundësi të lëviznim prej andej.

Prindërit e mi ishin arsimtarë. Kur u kthyem në qytet, ata u përpoqën të gjenin punë si mësues, por ishte e pamundur. Kështu që u detyruan të merreshin me punë të rëndomta. Mamaja nisi punë si pastruese në një lokal, kurse babi punonte mekanik. Me shumë mundime siguronin bukën e gojës. Mbaj mend se disa herë menduan të shkonim në emigracion, por ky plan ndryshoi sepse kishin merak për mua, që isha ende e vogël.

Në 1992 mamaja u sëmur rëndë. Nuk më tregonin se çfarë kishte, më thoshin vetëm se ishte sëmundje e keqe. Më kujtohet që mbyllesha në dhomë dhe qaja në heshtje. Në krye të gjashtë muajve ajo ndërroi jetë. Isha vetëm 9 vjeçe atëherë dhe përpiqesha ta mbushja mendjen vetes se ndarja me nënën nuk ishte e përjetshme dhe se ajo do të kthehej sërish. Babi u përpoq të më qëndronte afër, po ashtu edhe tezja, dajat, hallat dhe gjyshërit. U bëra qendra e vëmendjes së tyre dhe dua t’i falënderoj që janë përpjekur aq shumë për të më krijuar një fëmijëri të qetë.

Dëgjoja fëmijët e tjerë që më thoshin se babi im do të martohej prapë. Kjo gjë më trishtonte pa masë. Mbaj mend që një shoqe m’u afrua një ditë dhe më tha: “Ti do kesh mama tjetër tani”. E pyeta se kush ia kishte thënë këtë gjë dhe ajo më tha se e kishte dëgjuar nga gratë e shkallës. Më kujtohet që atë ditë nuk shkova në shtëpi. Shkova tek gjyshja dhe nuk doja të largohesha prej saj. Kur erdhi babi për të më marrë, i thashë se nuk do të shkoja në shtëpi nëse ai do të më sillte një mama tjetër. Ai buzëqeshi dhe më tha: “Unë e kam një femër në jetën time, të kam ty, vajzën më të mirë në botë, që një ditë do të bëhesh grua e do të kujdesesh për mua”. Nuk i harroj kurrë këto fjalë të babait sepse vërtet ashtu ndodhi. Ai ma kushtoi gjithë jetën e tij mua.

Kur u rrita mora vesh që vërtet dikush kishte hyrë shkesë që ai të martohej dhe im atë nuk kishte pranuar. Kur e kam marrë vesh këtë jam ndierë në faj, që pa dashje jam bërë pengesë që im atë të ndërtonte një jetë më të qetë.

Jam rritur e përkëdhelur prej babait. Ai nuk blinte asgjë për vete, por mua mundohej të më siguronte gjithçka. Kur donin të më merrnin hallat apo tezet për të më mbajtur disa ditë në shtëpitë e tyre, ai nuk pranonte që unë të largohesha nga shtëpia shumë gjatë. Mund të shkoja të rrija tek ato 2-3 ditë, por jo më shumë. Kur vinte të më merrte më dukej sikur gati po qante. Më përqafonte sikur të kishte vite pa më parë.

Kur shkova në gjimnaz, më thoshte gjithmonë se çdo ditë e më shumë i ngjaja mamasë dhe kisha marrë prej saj virtytet më të mira. Insistonte që duhet të shkollohesha e të bëhesha e zonja e vetes. Më thoshte se unë isha krenaria e tij. Nuk mbaj mend që të kem kaluar një ditë të shëmtuar me të. Edhe nëse nuk ishte dakord me mua, kurrë nuk e ngrinte zërin. Përkundrazi, me një durim të hekurt përpiqej të më mbushte mendjen me argumente e unë thyhesha gjithmonë para tij.

Por fatkeqësisht edhe vitet që kalova me babin do të mbaronin shpejt. Kur unë isha 17 vjeç ai ndërroi jetë për shkak të një infarkti, që erdhi krejt papritur. Askujt nuk i kishte shkuar ndër mend që babi im, i cili dukej aq i fortë, do të ikte në moshë të re. Në këtë kohë bota ime u shemb krejtësisht. Ndihesha e vetmuar, ndihesha e humbur. Përkujdesja e njerëzve të familjes nuk ma zëvendësonte dashurinë e përkushtimin e prindërve të mi.

Shkova të jetoja tek gjyshërit nga nëna. Ata ishin njerëz të qetë e të dashur. Por për çudi asnjëherë nuk munda të kaloja shumë kohë me gjyshen sepse ajo sa herë më shikonte, përlotej e mua më vinte ndërmend fati im i keq. Më dukej e mjerë, prandaj përpiqesha ta evitoja. E kam dëgjuar njëherë gjyshen teksa i thoshte gjyshit: “Ne do të ikim një ditë se jemi të vjetër, po me këtë vajzë çfarë do të bëhet!?”. Që atëherë fillova të mendoja seriozisht se çfarë do të bëhej me të ardhmen time.

Kur mbarova gjimnazin u njoha me bashkëshortin tim të ardhshëm. E takova për herë të parë në plazh. Tezja më mori me vete gjatë pushimeve të atij viti. A., djali që njoha, ishte me familjen. Familja e tezes njihej me familjen e tij, ndaj dhe kalonim shumë kohë bashkë. Ai ishte 4 vjet më i madh se unë. Sapo kishte mbaruar fakultetin për ekonomik dhe priste të fillonte punë kur të kthehej në Tiranë. Shkëmbyem numrat e telefonit dhe e lamë të takoheshim kur të ktheheshim në Tiranë.

Atë vit fitova shkollën e lartë për Gjuhë – Letërsi. I gjithë fisi u gëzua, madje organizuan edhe një festë familjare me këtë rast. Unë takohesha rregullisht me A. Ai më pëlqente shumë, ishte djalë i zgjuar, por jo shumë i dashur. Nganjëherë më dukej i ftohtë dhe mendoja se ai nuk i ngjante fare tim eti. Megjithatë thellë-thellë ishte njeri i mirë dhe e ndjeja se më donte. Iu dhashë atij kokë e këmbë. Në krye të dy viteve vendosëm që të fejoheshim. Për gjyshërit e mi ky ishte një lehtësim, të paktën tani ishin më të qetë sepse unë do të kisha një njeri pranë.

Me A-në kaloja mirë, por sa më shumë ikte koha, aq më shumë e vija re se ne nuk kishim atë pasionin që shikoja nëpër filma. Nganjëherë më dukej më tepër serioz seç duhej. Dhe shpesh i mbushja mendjen vetes se kjo ishte thjesht përshtypja ime. U martuam sapo unë mbarova shkollën e lartë. Ai punonte në një bankë, ndërsa unë fillova punë si mësuese në një gjimnaz.

Një vit pasi u martuam, u bëmë me një vajzë të bukur si dritë. Ajo u bë qendra e botës sime. Edhe A. u lumturua. Kur kthehej në shtëpi gjëja e parë që bënte ishte të puthte atë dhe nuk dilte kurrë nga shtëpia pa puthur vajzën. Çdo fundjavë e nxirrte ai shëtitje, ndërsa unë merresha me punët e shtëpisë. Ishte një nga gjërat më të bukura ta shikoje A-në se si përkujdesej për të bijën.

Kur vajza u bë një vjeç, ndjeva që A. po ftohej ndaj meje. Nuk ishte më i përkushtuar si më parë ndaj familjes. Vura re që nuk e nxirrte kurrë telefonin nga xhepi. Të them të drejtën u bëra kurioze. Ndoshta nuk kam vepruar mirë, por një ditë i kontrollova telefonin dhe gjeta një mesazh dashurie që i kishte ardhur nga një numër të cilin nuk e njihja, as ai nuk e kishte të regjistruar në telefon. M’u shemb e gjithë bota. E pyeta se çfarë ishte ai mesazh dhe iu luta të mendonte për mua dhe për vajzën dhe të mos e shkatërronte familjen. Ai mesa duket e kishte gati justifikimin, më tha se ishte një mesazh që i kishte ardhur gabimisht. Të them të drejtën e besova më shumë ngaqë doja ta besoja.

Vazhduam jetën normalisht, por unë e ndieja se kishte diçka që nuk shkonte, që marrëdhënia mes nesh kishte ndryshuar. Ndodhte të mos më përgjigjej në telefon ose të më thoshte që kishte punë edhe gjatë fundjavës, gjëra këto që nuk kishin ndodhur më parë.

Para një viti më mori në telefon dhe më tha se donte të pinte një kafe me mua. U habita sepse ne e bënim çdo bisedë në shtëpi. E ndjeva që do të ndodhte diçka e papritur, e keqe. E takova në një lokal afër shkollës ku jepja mësim. Dukej se ndjehej shumë në siklet. Filloi duke më kërkuar të falur. Unë nuk munda as të belbëzoja. Më tha se kishte njohur një femër tjetër, me të cilën ishte dashuruar. Më tha se do të kujdesej për mua dhe për vajzën, por nuk mund të jetonte më në një shtëpi me ne, por më keq se për çdo gjë tjetër u ndjeva kur më tha se ndoshta ishim nxituar që ishim martuar e kishim krijuar familje. Këtë nuk mund ta pranoja sepse kishte qenë ai që kishte dashur që të ndodhte kështu. Nuk u përpoqa ta bindja që të kthehej në shtëpi sepse më dukej e kotë. Më kishte thënë shumë fjalë, të cilat nuk mund t’i harroja. Ai u largua dhe nisi bashkëjetesën me tjetrën. E mbyllëm edhe divorcin.

Unë vazhdoj jetën me vajzën time. Tani ajo është gjithçka për mua. Jam ndjerë e mallkuar në çdo hap të jetës që kam hedhur, por Zoti m’i ka shlyer të gjitha duke më bekuar me engjëllin tim, që është gëzimi më i madh dhe që mposht çdo vuajtje. Ashtu siç bëri babai im me mua, edhe unë kam vendosur t’ia kushtoj gjithë jetën time krijesës më të mirë dhe më të bukur në botë, vajzës sime, Kleas! E, Tiranë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.