E vërteta rreth beqarisë time!

Gazeta Paloma - - Histori -

E vërteta ime është se po mbush 29 vjeç dhe nuk kam akoma një lidhje serioze. Është e dhimbshme dhe e turpshme në të njëjtën kohë ta pranosh këtë të vërtetë dhe ta dish që ke faj vetë për të.

Gjithmonë jam ndjerë sikur diçka nuk shkonte me mua, se kishte një arsye që unë nuk kisha lidhje si gjithë njerëzit që më rrethonin. Për herë të parë zura të dashur kur mbarova universitetin.

Jam natyrë e qetë dhe disi e ndrojtur në të njëjtën kohë. Nuk mund të them se jam e bukur. Jam mbi peshë. Me pak fjalë nuk jam nga ato që njerëzit do të kthenin kokën për ta parë sapo shfaqej. Po i them gjërat siç janë, që ta kuptoni se gjithmonë e kam ditur se në rastin tim nuk do të funksiononte njohja në një lokal apo njohja e rastësishme se nuk kam tërhequr ndonjëherë vëmendje përmes pamjes. Dhe nuk e kam problem një gjë të tillë sepse jam edhe natyrë që nuk e dua vëmendjen. Por duhet ta pranoj se për këtë arsye e kam patur të vështirë të njihem e të lidhem me djem. Prandaj kam zgjedhur internetin për të krijuar lidhje. Ndjehem më mirë kur e njoh dikë fillimisht përmes një bisede. Pastaj fotografitë mund t’i rregulloj disi. Nga ana tjetër e kam vetë në dorë se kur jam gati për ta takuar personin në anën tjetër. Me këtë formë njohjeje, takimet e para janë më pak të sikletshme.

Në 5 ditë kam patur vetëm 2 lidhje, por asnjëra prej tyre nuk zgjati më shumë se disa muaj. Është e sikletshme të jesh në pikën që jam unë sot, 29 vjeç dhe pa të dashur. Vajza pa lidhje.

Fakti që nuk kam patur asnjëherë një lidhje serioze, çfarë tregon? Se nuk jam në gjendje të dashuroj? Ata që më njohin e dinë se kjo nuk është e vërtet sepse jam natyrë e dashur dhe kur jepem ndaj dikujt përkushtohem me gjithë zemër. Ndoshta fakti që kam qenë thuajse gjithmonë beqare tregon se kam shumë kërkesa. Kjo është e vërtetë, por pse duhet të jetë diçka e keqe?! Pse duhet t’i ul kërkesat kur është fjala për diçka kaq të rëndësishme sa dashuria!? Ndoshta nuk jam interesante dhe as e zonja të tërheq vëmendjen e një mashkulli. E vërteta është se asnjëherë nuk e kam menduar veten si njeri që nuk ngjall interes sepse sytë e mi ndriçojnë sa herë që flas për librat, për familjen, për pasionet edhe hobit e mi.

Ndoshta është thjesht çështje fati dhe fakti që jam beqare nuk do të thotë asgjë rreth meje. Mendoj se e kam bërë diçka të mirë për veten. Në vend që të harxhoja kohë duke qëndruar në lidhje që nuk ia vlenin, kam punuar me veten. Sot jam një femër e pavarur, që nuk kam nevojë të kem dikë në krahë për t’ia dalë mbanë. Kam mësuar ta vlerësoj edhe kohën që kaloj vetëm, kam thelluar miqësitë dhe jam marrë me hobit e mia.

Duke qenë se asnjëherë nuk kam patur një lidhje serioze, kam kaluar shumë kohë me veten dhe të them të drejtën më pëlqen vetja. Por nuk ka qenë e thjesht të arrij në këtë pikë. Thuajse gjithmonë e kam vuajtur faktin që isha beqare, por një ditë e kuptova se kjo më kishte dhënë mundësinë për të qenë njeriu që jam sot. Dhe mbi të gjitha ndjehem mirë me veten time! Nuk mund të lejoja që fakti se nuk kisha të dashur të më demoralizonte përgjithmonë, të më tjetërsonte karakterin dhe të më bënte ta shihja jetën negativisht. Ky ishte fati im dhe nuk ka asgjë për t’u ndjerë në siklet.

Kemi vetëm një ditë. Nuk dua ta kaloj duke patur peng gjërat që nuk i kam bërë, por dua të shijoj çdo çast që përjetoj në jetë. F.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.