ZËRI, DHURATË VETËM E JONA, KRIJON NJË UNIVERS MIRËSIE

Gazeta Paloma - - Intervistë -

Roli i kreativiteti tek adoleshenti

Në çdo periudhë të jetës, njeriu është mirë të përfshihet në aktivitete sportive dhe kulturore, por në pubertet dhe adoleshencë, përfshirja në aktivitete kulturore dhe artistike është domosdoshmëri. Natyrisht, nëpërmjet programesh të studiuara mirë nga të rriturit, të cilat mund të shmangin dominimin e agresivitetit dhe pulsionit seksual. Duhet të jemi të vetëdijshëm që në këtë moshë fuqia natyrore është më e madhe se vetë njeriu dhe e përfshin me furi në rrymën e saj. Është pikërisht sporti, kreativiteti dhe arti që do ta vendosin në një “breg” ku “rrymat” e natyrës nuk do ta vënë përpara. Duhet njohur e menduar mirë si të zhvillojmë atë veti njerëzore që vetëm edukimi mund ta realizojë. Kur i rrituri e ushqen me kurajë dhe e përfaqëson të mirën edhe adoleshenti në atë drejtim do të shkojë. Të gjitha energjitë do t’i vendosë në atë drejtim që i mëson i rrituri me modelin dhe vlerat e tij. Adoleshenti është gati të durojë e përballojë shumë, nëse i rrituri i qëndron në krah dhe e nxit të nxjerrë nga shpirti fjalën e artë të së mirës e të bukurës.

Zëri, dhuratë vetëm e jona, krijon një univers mirësie

Zëri është një mjet shumë i rëndësishëm i njeriut, një pasuri. Po u përdor mirë, krijon një univers të tërë plot ndjeshmëri dhe mirësi. Po u përdor keq, zëri prodhon frikë, pasiguri dhe pandjeshmëri. Të gjithë kujtojmë ndjesinë e frikës dhe zhbërjes kur kemi dëgjuar zërin e hidhur apo të bërtiturën e një prindi apo mësuesi duke na etiketuar apo ironizuar apo duke na sharë.

Përse të trajtohet zëri pa kujdes? Përse të bërtasim, përse të ngremë zërin pa shkak dhe t’u mësojmë fëmijëve të njëjtën gjë, të bërtasin edhe ata, e jo ta trajtojnë zërin me butësi? Përse ta keqtrajtojmë këtë dhuratë të mrekullueshme që është vetëm e jona? Për pak vullnet, për pak përmbajtje ua ngecim zërin në “grykë” fëmijëve, ashtu siç ka ndodhur me ne. Të pranojmë sfidën dhe të fillojmë të rigjejmë tingullin e zërit tonë, për t’i ndihmuar fëmijët të gjejnë pafundësinë e mundësive të zërit të tyre. T’i udhëheqim drejt respektit të kësaj dhuntie të pakrahasueshme komunikimi dhe takimi. Nuk është vetëm parandalim i çrregullimeve të zërit në fëmijëri, është akt dashurie dhe kuraje, sepse asgjë tjetër si zëri, nuk mund të nxjerrë pjesën tonë më intime, duke zbuluar botën tonë afektive me të cilën “ushqehet” njeriu në çdo moshë. Shqetësimet e zërit në fëmijëri duhet të parandalohen. Është detyrë e të rriturve, e prindërve dhe edukatorëve ta parandalojnë dëmtimin.

besimit me fëmijën

E folura slogan se mjetet elektronike janë të dëmshme dhe vetëm kaq është vërtet shumë e dëmshme, pasi në vend që ta qetësojë e bindë fëmijën e provokon atë më keq. Përdorimi i keq i mjeteve elektronike krijon varësinë prej tyre, e cila është po aq e vështirë për t’u kuruar sa edhe droga. Varësia nga mjetet elektronike prek direkt procesin e gjumit që është shumë i rëndësishëm për shëndetin mendor dhe fizik të njeriut në përgjithësi dhe të fëmijës e adoleshentit në veçanti. Fëmija natyrisht që do të merret edhe me mjetet elektronike, madje me shumë seriozitet, por dita e tij nuk duhet të jetë e mbushur vetëm me lojëra elektronike apo televizor. Nëse ato, mjetet e shumta elektronike, përdoren me rregull e masë, ato e përgatisin fëmijën që “nesër” kur të shkojë në shkollë apo punë, të jetë i aftë t’i përdorë me efikasitet. Kjo “gjë”, ky problem, është i gjithi në “dorën” e të rriturit. Nëse i rrituri është i kujdesshëm, i vëmendshëm, i përgjegjshëm dhe ka ndërtuar me fëmijën një raport besimi, gjasat që ndodhë një gjë e keqe janë të pakta. Nëse prindi vepron me fëmijën nëpërmjet urdhrit, kërcënimit, padurimit, mërzisë apo plotësimit të dëshirës, kur fëmija e bezdis, në këtë rast, nuk ndërtohet një raport i sigurt. Dhe natyrisht që do të ketë edhe shmangie, madje deri fshehje të veprimeve. Dhe këtu fillon e keqja. Fëmija, edhe pse ka nevojë për prindin, nuk arrin të flasë me të. Muret e heshtjes janë ndërtuar ashtu pa kuptuar, dialogu midis prindërve dhe fëmijës është zbehur dhe bërë i vështirë dhe, për fat të keq, fëmija ka mësuar tashmë të veprojë fshehtas. Ai nuk ka kurajë të flasë me prindërit, ka frikë dhe ndrojtje prej tyre, sepse ata janë vazhdimisht të pakënaqur prej tij apo nuk kanë kohë apo edhe kur flasin sytë i kanë te ipadet, iphone-t. Është e vërtetë që edukimi dhe rritja e një fëmije nuk është një punë e lehtë, pasi kërkon vëmendje dhe përqendrim, por kjo do të thotë të jesh i rritur, të jesh i vetëdijshëm, të mbash përgjegjësi dhe mbi të gjitha të mendohesh përpara se të veprosh.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.