Moda e fundit: moshë më e madhe se realja

Gazeta Paloma - - Intervistë -

Përshëndetje të dashurat e mia! Si jeni? Unë më në fund shijova pak det këtë fundjavë. Deri në Gjirin e Lalzit isha, normale. Kush ka lekë për më larg? Ja, ndenja në shezlong nja dhjetë orë të mira, hëngra atë byrekun që kisha bërë që një ditë më parë, pak shalqi në tas e lexova gazetën “Paloma” duke u pjekur në diell. Çfarë të bëja më shumë? Uji ishte akull e nuk lahesha dot. Për më tepër që frynte një erë që e ngriti gjithë plazhin në ajër. Por unë nuk lëviza moj motrani! Kisha paguar lekët e çadrës e nuk kishte burrë nëne të më ngrinte që aty.

Që thoni ju, më ka kapur halli këto ditë. Kam një javë që mundohem të rregulloj një fustan te rrobaqepësja ime, por nuk mundem. E pse? - do thoni ju. Po, sepse kjo nikoqirja ime ka kapur nja dy matura që po u qep fustanet dhe u ka bërë dalje komplet klienteve të zakonshme. Sa herë që shkoj të takoj zonjën rrobaqepëse, shoh një vajzë me fustan të gjatë deri në fund të këmbëve. Gjithmonë një vajzë ndryshe, gjithmonë një fustan ngjyrë ndryshe, ama modeli deri në fund të këmbëve ishte konstant.

Eh, si janë këto gocat e vogla sot, e? Unë e mbaj mend veten time maturante. Do hiqja vetullat për herë të parë në maturë. Fustanin e kisha zgjedhur me mamin dhe motrën më të vogël. Sigurisht që fustani ishte vajzëror, jo i gjatë dhe një ngjyrë e çelur, e këndshme e verore. Flokët i kreha të parukierja, një model të thjeshtë. Tualetin e bëra vetë, normale. Nuk bëhej fjalë fare të shkoja te grimierja pasi kisha hall se më nxirrnin si grua.

Këto maturantet e sotme as si diplomate nuk duken! Të gjitha me fustane katundareske të gjata deri në fund të këmbëve që mezi i tërheqin zvarrë. Takat janë gjithmonë shumë të larta e me lloj- lloj gurësh. Për të mos folur për flokët pastaj! Vaj medet çfarë modelesh zgjedhin. Sa më i lartë topuzi, aq më mirë. Pastaj vijmë të tualeti, që është edhe pika e tyre e fortë, gjasme. Një horror! Krem pudra është vënë aq trashë sa duket sikur vajzat e kanë pasur aq keq fytyrën me akne sa u është dashur ta mbushin me llaç në vendet e gropave. Vetullat karakteristike të trashura e zgjatura aq sa vetëm natyrale nuk ngjajnë më. Peneli i syrit gati prek vetullën dhe buzët janë trashur aq shumë më laps nga jashtë, sa duken si false. Mbase ky është edhe qëllimi i tyre, nuk jam shumë e sigurt.

Po pse moj vajza zgjidhni këtë pamje për veten tuaj në një mbrëmje që do e mbani mend gjatë? Ju jeni shumë të reja, nuk keni nevojë për aq shumë llaç në fytyrë. Jo se unë jam e vjetër e paragjykoj, përkundrazi. Unë e kam grimieren time personale që më ndryshon fytyrën 180 gradë sa herë kam festa të rëndësishme, por mendoj se çdo gjë me karar. Edhe make up-i, edhe veshja, edhe flokët, edhe takat duhet të përshtaten edhe me moshën, edhe me rastin edhe me motin. Pse zgjidhni fustane të gjata kur keni veshur gjithë jetën xhinse? Pse zgjidhni super taka me platformë kur gjithë jetën keni veshur atlete? Pse bëni një tualet të tillë që mos t’ju njohë as zysha kujdestare?

Këtë të diel që kaloi më doli përpara një çift në rrugë. Po ecnin në këmbë. Vajza kishte veshur një fustan super të gjatë, flokët pis të zeza, make up i ngarkuar me xixa. Duke qenë se ishte e diel pasdite, mendova mos do ishin të ftuar në ndonjë dasmë. Pashë djalin pastaj dhe e kuptova që e kisha gabim. Ai i shkreti ishte qumështor fare nga fytyra. Trupin e kishte imcak dhe mezi i dallonin nja dy fije push mbi buzë. Aty e mora vesh që kishte dalë për maturë djali. Nuk kishte faj ai që ngjante aq ndryshe nga shoqëruesja e tij. Ai kishte ftuar Megin, shoqen e klasës për maturë, por i doli teta Magda që ta shoqëronte.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.