Meshkuj pa takt e femra të zhgënjyera

Gazeta Paloma - - Koktej -

Gjithçka është subjektive në këtë jetë. Ajo që mua më duket e bukur, dikujt tjetër mund t’i duket e shëmtuar dhe ky subjektivizëm na ka bërë të ndryshëm nga njëri-tjetri. Rroftë diversiteti! Imagjinoni pak se sa e mërzitshme do të ishte jeta sikur të gjithë të mendonim njësoj apo të vepronim njësoj. Kurioziteti për të njohur persona të tjerë në jetë as që do të ekzistonte.

Mirëpo ka disa çështje që na bashkojnë në ide ose më mirë disa tema që të gjithëve na mbledhin me të njëjtat mendime. Sot dua të trajtoj një prej tyre dhe mendoj se edhe shumë nga lexueset tona, pse jo edhe lexuesit tanë, ndajnë të njëjtin mendim. “Nga ta nisësh e nga ta përfundosh?” është dilema më e madhe e kësaj teme.

Isha duke ndjekur “Top Show Magazine” gjatë javës së shkuar dhe Ronela Hajati në një moment tha se meshkujt nuk lexojnë, se e kanë humbur ndjesinë e të qenit kavalierë dhe se nuk dinë se si ta mbajnë gjallë dëshirën e një femre për të vazhduar muhabetin gjatë kohës që dalin. A nuk ju duket edhe juve e vërtetë? Unë u çudita kur lexova në rrjetet sociale komente nga më të ndryshmet që i dilnin kundër Ronelës. E kuptojmë që jo të gjithë janë njësoj, por bota virtuale na ka bërë të njohim vetëm të tillë.

Sa herë postojmë diçka në faqen tonë në Facebook, nuk ka ditë të mos na shkruajnë komentueset e rregullta në inbox. Refreni dihet tashmë. Meshkujt e faqes e ngacmojnë në inbox pa e njohur fare kush është. Në këto raste më vjen në mendje ajo shprehja e famshme “Ti nuk din as me ma lyp”. Kështu dhe puna me meshkujt shqiptarë. E kanë humbur fare atë taktin e të propozuarit siç duhet apo taktin e të nisurit të muhabetit ashtu siç ia vlen të niset.

Por nuk përfundon me kaq. Shumë nga vajzat ua lënë “seen” mesazhet dhe ata sërish shkruajnë, pa e kuptuar më që muhabeti për palën tjetër konsiderohet i mbyllur. Nuk e di nëse e ndiqni Lolitën në Facebook. Nëse i shihni fotot e saj, kushedi sa raste të tilla do keni lexuar deri tani. Meshkuj të tillë i vazhdojnë mesazhet në inbox, deri në momentin që e kuptojnë se vajza nuk do t’u kthejë më përgjigje, sado të mundohen. Në atë moment i ofendojnë ato për këtë gjë, duke harruar se gabimi ishte i tyre, që nga mënyra e të hapurit të muhabetit me dikë e deri tek mungesa e dinjitetit. Kur dikush nuk tregon interes për të të shkruar, por t’i lë mesazhet të shikuara “seen”, mos këmbëngulni kot me mesazhe të tjera.

Nuk përfundon me kaq kalvari i “gabimeve” të meshkujve shqiptarë. Vendos e del për kafe me dikë dhe mendon të hapësh një temë për artin, kulturën apo librat. Ia këpusin një herë: “Po ku di nga këto unë. Muhabet na hape dhe ti...”. Ec e merru me tipa të tillë. Mirë që në Facebook apo Instagram ecim me atë idenë se nuk shkruajmë saktë, ngaqë të gjithë nxitojmë. Po kur takohemi me dikë, sikur nuk ia vlen e njëjta mungesë kulture. Nuk do hapen muhabete vetëm për lidhjet, por edhe për kulturën. Edhe kjo është një mënyrë për t’i njohur të tjerët, por edhe unë kam arritur në të njëjtin përfundim. Shumica e meshkujve shqiptarë nuk lexojnë, nuk e kuptojnë fjalën art. Por më thoni pak, në një vend si ky i yni ku statistikat treguan se femrat shqiptare studionin më shumë se meshkujt, a do të kishte interes prej tyre të njihnin meshkuj të tillë?

Femrat kanë të drejtë që edhe të tallen e të përqeshin raste të tilla. Ronela dhe plot të tjera kanë të drejtë, pavarësisht se kjo e vërtetë meshkujve shqiptarë u duket e hidhur dhe nxjerrin “vrer” siç nxorën, sapo ajo video u postua në rrjetet sociale. Gabimi është i juaji, meshkuj të dashur! Kuptojini pak limitet, mësoni të hapni një muhabet siç duhet dhe ta mbani kuriozitetin e një femre zgjuar për t’ju njohur më mirë. Në vend që ta nisni një muhabet me “Je shumë e bukur”, që ju tregon hapur qëllimet me të, niseni me një përshëndetje të thjeshtë. Pasi ta njihni mirë, komplimentojeni sa të doni.

Dhe mos harroni të lexoni. Lexoni diçka, sikur edhe për makinat apo celularët tuaj, vetëm lexoni që në bisedë me një femër mos ta shumëzoni gjithçka me zero kur vjen puna te librat, te piktura, tek arti i vërtetë që nuk përfaqësohet nga këngët e Noizy-t, Stresit apo Babastars-it. Mësoni të keni takt e durim, sepse asnjë femër nuk ka për t’ju pranuar që në fjalinë e parë që do t’i shkruani, a thua se është marrosur nga ai komplimenti “Je shumë e bukur” që ju i keni bërë. Mos t’ju gënjejë mendja. Me shumë mundësi po ju vë në lojë pas atyre fjalëve.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.