ABORTI, BARRA MË E RËNDË E NJË GRUAJE

Gazeta Paloma - - Histori Personale -

Dua të ndaj me ju gëzimin më të madh që kam përjetuar në këtë jetë. Kam vuajtur shumë përpara se Zoti të më dhuronte një engjëll dhe të më bënte femrën më të lumtur në botë.

Sot kam hedhur pas shpine gjithë dhimbjen dhe vuajtjen që kam kaluar.

Po nis t’ju tregoj se si filloi jeta ime familjare. Pas një lidhjeje 3- vjeçare që kisha me A-në (bashkëshortin tim) vendosëm të martoheshim e të krijonim familje. Kisha bërë një gabim në të shkuarën (në atë kohë për mua kishte qenë vendimi më i drejtë), por të them të vërtetën nuk më peshonte aspak në ndërgjegje. Kohë më pas kam mallkuar veten për atë gabim.

Kur isha 20 vjeçe dhe kisha pothuajse një vit që isha lidhur me A- në, mbeta shtatzënë gabimisht. Sigurisht që nuk mund ta mbaja atë fëmijë, sepse familja ime nuk dinte asgjë për lidhjen tonë dhe unë nuk isha e përgatitur për t’u bërë nënë. Rashë në një mendje me A-në që të abortoja. Shkuam në një qytet tjetër që të mos na njihte njeri dhe e hoqa fëmijën.

Marrëdhënia ime me A-në vazhdoi normalisht, deri sa erdhi momenti i duhur dhe vendosëm të martoheshim.

Mund të them me plot gojën se dita e dasmës ka qenë më e lumtura e jetës sime. Ai ishte shumë i dashur dhe dinte të m’i bënte ditët të bukura. Rrallë kam pasur kontradikta me të dhe gjithmonë i kemi zgjidhur me qetësi. Pasi u martuam ne dhe prindërit tanë ishim të dëshiruar për një fëmijë. Ne u martuam në gusht dhe në shtator unë mbeta shtatzënë. Ishim të gjithë shumë të lumtur, por nuk ishte e thënë që lumturia jonë të zgjaste. Tre muajt e parë filluam të përgatisnim çdo gjë. Kishim menduar edhe për emrin që do të mbante fëmija, si të ishte femër ashtu edhe po të ishte mashkull. Po e prisnim me padurim këtë fëmijë, por fatkeqësisht në fund të muajit të tretë unë ndjeva një therje në fund të barkut. Ishte e padurueshme. Shkova menjëherë në tualet dhe pashë që kisha hemorragji. Më shoqëruan në spital njerëzit e mi dhe aty mësova që e kisha humbur fëmijën me abort spontan. Mitra ime nuk e kishte përballuar këtë shtatzëni.

U dëshpërova. Vetëm qaja. Fajësoja veten që kisha abortuar shtatzëninë e parë, edhe pse mjeku më siguroi se humbja e fëmijës nuk kishte lidhje me abortin që kisha bërë rreth 3 vjet më parë.

E kaloja gjithë ditën e mbyllur në dhomë duke qarë. Nuk mund të komunikoja as me bashkëshortin, as me njeri tjetër. Isha shumë e ngarkuar psikologjikisht. Njerëzit e mi dhe të burrit më ndihmuan që pak nga pak ta kapërceja atë moment të vështirë, edhe pse nuk mund ta harroja tërësisht.

Por nuk mbaroi me kaq vuajtja ime, pata edhe një shtatzëni tjetër, të cilën nuk e çova dot deri në fund. Katër muaj pasi kisha humbur fëmijën filluan sërish përpjekjet e mia dhe të burrit për të nisur një fëmijë. Nuk m’u desh shumë kohë që të mbetesha sërish shtatzënë. Të them të drejtën, mjekët më kishin rekomanduar që të prisja disa kohë përpara se të nisja një shtatzëni tjetër. Ndoshta ne u nxituam. Unë vazhdoja të shkoja në punë gjatë muajve të parë të shtatzënisë. Në muajin e katërt sërish e humba fëmijën. Ishte e tmerrshme. Mjekët thanë se kisha abortuar për shkak të ngarkesës emocionale e fizike që mund të kisha përjetuar. Këtë herë m’u desh më tepër kohë që ta merrja veten. Ndihesha fatkeqe për faktin se kisha mbetur tri herë shtatzënë dhe nuk kisha asnjë fëmijë. Më dukej sikur më kishte mallkuar dikush. Për këtë arsye fillova të shkoja edhe në mjekë popullorë sepse m’u bë fiksim që më kishin bërë magji apo ndonjë gjë të kësaj natyre. Në fakt nuk ishte asgjë e kësaj natyre. Thjesht organizmi im ishte i papërgatitur për një shtatzëni.

Marrëdhënia ime me bashkëshortin po zbehej dita-ditës, sepse unë nuk lija rast pa folur për fatkeqësinë time. Mesa duket isha bërë e padurueshme edhe për njerëzit përreth. Për një periudhë kohe burri nuk donte të provonte sërish që të bënim fëmijë. Kjo më dëshpëroi edhe më shumë. Madje fillova të mendoja se ai do të më linte ngaqë nuk mund të lindja fëmijë. Filluan sherret në shtëpi. Nga njëra anë vuaja për atë që kisha kaluar dhe nga ana tjetër përballesha me neglizhencën e bashkëshortit.

Një vit pas humbjes së fëmijës së dytë, burri filloi të bëhej më i afërt. Edhe unë rreshta me akuzat e vazhdueshme që i drejtoja atij. Filluam sërish provat për të pasur një fëmijë. Këtë herë isha më e përgatitur dhe e vendosur për të bërë çdo gjë që ta lindja këtë fëmijë. E lashë punën dhe ndenja në regjim shtrati gjatë gjithë shtatzënisë. U kujdesa deri në detaje që të mos sforcohesha, që të mos mërzitesha, që ta sillja në jetë këtë fëmijë. Gjithë përkushtimi im këtë herë u shpërblye. Prej 4 muajsh unë jam bërë nëna e një vajze të bukur e të shëndetshme. Më në fund jeta ime ka rifilluar. Çdo sekondë të jetës, çdo veprim, çdo gjë ia dedikoj vajzës sime, që më riktheu shpresën. E falënderoj edhe burrin tim që më ka ndenjur pranë. Dua t’i kërkoj të falur që nuk e kam kuptuar dhe që e kam mërzitur. Sot jam shumë e lumtur që e kam atë bashkë me vajzën.

Bëjmë gjithçka për fëmijën tonë. Jemi përpjekur t’ia krijojmë të gjitha kushtet e ta rrisim mes të mirave. Vetëm pas vuajtjeve që kalova, e besova se fëmija është dhuratë e Zotit. Nuk ka gjë më të bukur sesa një fëmijë që të sjell paqe e harmoni në familje. Kështu është Ana për ne! Është drita e syve tanë, bekimi që Zoti na ka dhënë. Faleminderit Zot që e solle Anën mes nesh dhe që na bëre përsëri të lumtur!

Dua t’u drejtohem të gjitha vajzave të reja ose çifteve të reja. Edhe nëse nuk jeni të përgatitur për një fëmijë, mendojeni mirë se çfarë do të bëni. Është shumë e thjeshtë të abortosh dhe të vazhdosh jetën normalisht, por mendoni se Zoti nuk do t’ju bekojë gjithmonë.

Unë mendoj se fatkeqësia që më ndodhi mua ishte ndëshkimi i Zotit për fëmijën që abortova me vullnet. M’u desh të vuaja shumë që Zoti të më falte dhe të më bekonte me një krijesë të mrekullueshme siç është vajza ime e vogël.

Të dashur lexues të gazetës “Paloma”, fëmijët mund të sjellin vetëm gëzim në jetën tuaj. Është e vërtetë që kanë nevojë për shumë përkujdesje që të rriten të shëndetshëm, por gëzimi që të sjellin nuk mund të krahasohet me asgjë në botë.

Më në fund ndihem shumë e lumtur që kam një familje. Pa Anën e vogël jeta jonë nuk ishte e plotë. Na mungonte gjëja më e rëndësishme për çdo familje të re, na mungonte fëmija që bëhet motivi i jetës për çdo prind.

Ju faleminderit që gjetët kohën për të lexuar historinë time personale. Mirëpres të gjitha komentet dhe sugjerimet tuaja.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.