Pranoje fëmijën për atë që është dhe jo për atë që dëshiron ti

Gazeta Paloma - - Front Page -

S’mund t’i thuash fëmijës të sillet mirë kur ti vetë nuk di të sillesh

Vazhdojmë të hasim në rrugë nëna apo baballarë që keqtrajtojnë fëmijët e tyre. Ajo që bie në sy në këto pamje është fakti që prindërve nuk u shkon në mendje që janë në publik dhe po i fyejnë fëmijët e tyre përpara gjithë botës. Të paktën fëmijët kështu e përjetojnë. I bërtasin, i godasin, deri u shkulin edhe veshin, pa e ditur dhe pa u menduar se çfarë ndjen fëmija, çfarë pasojash kanë këto veprime dhe kjo sjellje e të rriturit tek i parrituri. Janë të pushtuar nga inati i tyre dhe nuk ekziston gjë tjetër, as detyra, as përgjegjësia dhe as dashuria për fëmijën, që e përdorin si mburojë.

I duan fëmijët të edukuar kur vetë sillen si të munden. I thonë fëmijës të sillet mirë, kur vetë nuk dinë të sillen. Asnjëherë nuk u ka shkuar në mend që janë ata modeli dhe si sillen ata, do të sillet edhe fëmija. Nëse të rriturit sillen pa u menduar, fëmija do të jetë konfuz dhe nuk do të dijë se si të sillet në publik apo kur është në një mjedis familjar. Dhe kjo për arsyen e thjeshtë që ai është gjithë kohën nën pushtetin e frikës dhe të pasigurisë se cila është mënyra më e mirë apo fjala e duhur?

Një pediatër i madh dikur tha: Nëse doni që fëmijët të bëhen të mirë, t’ju respektojnë dhe nderojnë, respektojini ju prindër të parët dhe ata nuk do të bëjnë ndryshe.

Pranoje fëmijën për atë që është dhe jo për atë që dëshiron ti

Pranimi i fëmijës si një njeri tjetër që në çastin e lindjes ndihmon që prindërit të marrin seriozisht fëmijën e tyre dhe kjo është një nga nevojat themelore të fëmijës. Fëmija ka një botë të tijën për t’u zbuluar, rritur e pasuruar dhe nëse prindërit nuk e vlerësojnë dhe nuk e pranojnë këtë të vërtetë, por kërkojnë nga fëmija të jetë siç ata e duan, me vlera që u duken prindërve të rëndësishme, atëherë mbyllin rrugët e komunikimit nëpërmjet besimit e sigurisë. Kjo mënyrë i tregon fëmijës se vetja e tij, bota e tij, nuk u intereson prindërve. Bota e tij emocionale, çfarë ai ndjen, çfarë ai dëshiron, sa kurajë ka t’i shprehë ato që ndjen, nuk kanë rëndësi: nga ai priten vetëm vlerat. Fëmija duhet pranuar për atë që është dhe jo për atë që dëshirojnë prindërit të jetë. Nëse prindërit dëshirojnë që fëmija të jetë dikush, atëherë të merren seriozisht duke e njohur dhe shijuar çdo çast si çaste jete të papërsëritshme, pa krahasuar me vlerat e dikujt tjetër që as ka lidhje me ata dhe fëmijën e tyre. Kjo është mënyra që e çon fëmijën drejt autonomisë dhe të qenit zot i vetes.

Njeriu, një qenie seksuale që nga lindja deri në vdekje

Fëmija sapo lind fillon të eksplorojë dhe njohë trupin e vet: prek këmbët, thith gishtin, prek dhe fut gishtin në vesh, zbulon dhe zonën gjenitale. Zona gjenitale është e pajisur me terminacione nervore që në lindje dhe për këtë arsye është më e pëlqyeshme prekja e kësaj zone sesa prekja e këmbës dhe për këtë arsye edhe do të përsëritet. Pra, kur shihni fëmijë që prekin zonën gjenitale nuk e bëjnë për “arsye” erotike, por thjesht për të njohur trupin e tyre si burim kënaqësie. Në këtë proces ndërhyrja e të rriturit është gati vendimtare, nëse fëmija do ta përvetësojë këtë veprim dhe ndjesi si një veprim që kryhet në intimitet me veten apo si një gjë shumë e keqe që nuk duhet përsëritur. Raporti i fëmijës me trupin dhe sidomos me seksualitetin e tij si turp apo si burimi i jetës do ta shënjojë apo dominojë jetën seksuale dhe intimitetin në të ardhmen.

Kultivimi i kënaqësisë së ushqimit te fëmija

“Kush mbaron i pari së ngrëni merr flamurin”.

Kjo mënyrë të nxituri për të ngrënë që vjen nga kohë të shkuara dhe vazhdon të jetë prezente edhe sot është shumë e dëmshme. Kjo nxitje për të ngrënën dhe shprehja “u ngopët” tregojnë se ne ende vazhdojmë t’i edukojmë fëmijët dhe t’u kultivojmë mekanizmat e mbijetesës dhe jo të mirëqenies dhe shijimit. Ne nuk kultivojmë kënaqësinë, por të ngopurin që nuk ka të bëjë me shijen dhe cilësinë e ushqimit, por me urinë, me pasigurinë se mbase nesër nuk ka më. Kini kujdes prindër kur flisni për ushqimin, zgjidhini mirë fjalët kur flisni për këtë proces kaq kompleks! Njeriu nuk është shishe që mbushet, por qenie e gjallë, madje më superiorja nga të gjitha gjallesat e tjera dhe për këtë arsye kërkon shumë kujdes dhe përzgjedhje të fjalëve e veprimeve. E ngrëna është e lidhur me ekzistencën dhe strukturat e para të vetëdijes për veten janë të lidhura me të. Njohja e parë në këtë jetë se ekzistojmë dhe jemi të mbrojtur ndërtohet dhe organizohet pikërisht nëpërmjet të ngrënit apo ushqyerjes.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.