Kur dashuria të çon në drejtim të gabuar

Gazeta Paloma - - Histori -

Përshëndetje të dashur lexues të gazetës “Paloma”! Unë që po ju shkruaj jam një zonjë që kam vuajtur shumë në jetë. Kam ardhur në Shqipëri për pushime, pasi prej vitesh jetoj në emigracion me fëmijët e mi. Lexova në gazetë histori të dhimbshme, që më bënë të kujtoja edhe unë vuajtjet e jetës sime, vështirësitë dhe gjithë peripecitë që kam kaluar. Prandaj vendosa t’ju tregoj shkurtimisht historinë time. Si çdo histori tjetër jete, edhe historia ime ka shumë për të treguar, por unë do të përpiqem ta përmbledh në mënyrë që të mos ju harxhoj shumë nga koha juaj.

Unë jam rritur në një familje të madhe. Isha vajza e vetme e prindërve të mi, të cilët kishin edhe 2 djem, vëllezërit e mi më të mëdhenj. Jetonim në një shtëpi me gjyshërit e mi. Pra, ishim shtatë vetë në një shtëpi. Duke qenë vajzë e vetme isha më e përkëdhelura e familjes, por në të njëjtën kohë edhe më “e persekutuara”. Prindërit e mi dhe vëllezërit, edhe pse atëherë ishte kohë tjetër, kishin frikë se mos gaboja në jetë dhe më rrinin para mbrapa gjatë gjithë kohës. Më bezdiste shumë sjellja e tyre. Nuk e kuptoja se përse vetëm unë duhej të kisha gjëra të ndaluara. Ndoshta për këtë arsye u nxitova në zgjedhjen që bëra.

Në moshën 17 vjeçe u njoha me një djalë, me të cilin u dashurova çmendurisht. Në atë kohë nuk e dija se çfarë ishte dashuria, por isha e bindur që ajo që ndieja për atë djalë ishte dashuri. Por niveli i familjes së tij nuk ishte i njëjtë me familjen time. E dija që do të hasja vështirësi me familjen time. Vëllezërit e mi ishin djem të shkathët, sikurse edhe djali me të cilin isha dashuruar. Ata dolën të njohur. Këtu fillova të shikoja një dritë jeshile, që lidhja ime me Tonin do të finalizohej. Kështu ishte koha atëherë, mendonin për qëllime serioze. Toni nuk ishte i arsimuar ashtu siç donte familja ime. Kjo ishte një tjetër gjë që e bënte të vështirë lidhjen tonë. Unë e dija se familja ime nuk do ta pëlqente këtë gjë. Megjithatë, edhe pse i dija shumë mirë pretendimet e familjes sime, unë shkova kundër tyre. Edhe pse isha në moshë fare të re e vendosa se do të bëja gjithçka që të merrja Tonin. Edhe ai më donte çmendurisht.

Familja ime nuk e mori vesh për lidhjen time me Tonin, ashtu siç do të kisha dashur unë. Nuk e morën vesh nga unë. Në fakt, ishin vëllezërit e mi ata që e kishin marrë vesh nga shokët e tyre. Ishin zënë keq me Tonin dhe i kishin thënë të mos më afrohej më. Edhe mua më bënë namin. Njerëzit e mi as nuk e diskutonin që unë nuk do të përfundoja me Tonin. Ata ishin të gatshëm të bënin gjithçka vetëm që ta pengonin lidhjen tonë. Por insistova. Edhe sot kur e kujtoj, habitem se ku e kam gjetur guximin dhe vendosmërinë në atë moshë të re që t’i shkoja deri në fund asaj që doja. Që të mos zgjatem shumë, mes shumë peripecish unë u fejova dhe u martova me Tonin. Edhe pse e pati të vështirë, familja ime e pranoi lidhjen tonë për shkak se unë mbeta shtatzënë. Shtatzënia ime ishte e qëllimshme. E vendosëm bashkë me Tonin se kjo ishte e vetmja mënyrë që prindërit dhe vëllezërit e mi të mos e pengonin bashkimin tonë. Edhe pse kam hequr shumë në momentin që ata e morën vesh për shtatzëninë time, arrita ta realizoja atë që kisha në plan. Sigurisht që isha edhe shumë e lumtur që do të sillja në jetë fëmijën tim të parë. Me këtë martesë të nxituar i dhashë fund të gjitha ëndrrave të mia për t’u arsimuar. U bëra mama dhe hyra në punë.

Në familjen e Tonit nuk ishte mirëqenia me të cilën isha mësuar në shtëpi. Edhe pse kisha vështirësi në fillim, arrita të përshtatesha në shtëpinë e tij. Nuk flisja shumë me prindërit e mi për ndryshimet që shikoja në shtëpinë e Tonit, pasi e dija që ata do të më thoshin se më kishin dalë borxhit. Pas fëmijës së parë, erdhi edhe fëmija ynë i dytë. Në atë kohë Toni u nis në emigracion me grupin e parë të emigrantëve që linin Shqipërinë me shpresën se përtej kufijve do të gjenin një jetë më të mirë. Më la dy fëmijë të vegjël dhe më premtoi se do të bënte të pamundurën që të bashkoheshim sa më shpejt. Ai e mbajti premtimin, në krye të një viti arriti të na tërhiqte edhe neve.

Viti i parë në emigracion ishte një ferr i vërtetë. Mezi u rregulluam, pasi ishim edhe me fëmijë të vegjël. Në fillim unë nuk punoja, pasi mbaja fëmijët. Toni mbante familjen. Ai mësoi gjuhën, ndërsa unë rrija e mbyllur pjesën më të madhe të kohës dhe duke mos pasur komunikim e kisha të vështirë të mësoja gjuhën. Mënyra jonë e jetesës nisi të ndryshonte dita-ditës, Toni dilte me shokët e tij pothuajse çdo fundjavë. Nganjëherë më gënjente dhe më thoshte se do të shkonte të punonte. Në fakt, ai kishte nisur të frekuentonte jetën e natës. Ishte i ri dhe kishte nisur të jetonte ato vite të çuara dëm në Shqipërinë e izoluar. Unë jetoja në tjetër botë, isha një shtëpiake e dëshpëruar, ndërsa ai kishte filluar ta shihte jetën me sy të tjerë. Nganjëherë kur bisedonim më trajtonte si injorante. Kjo ishte gjëja që më bënte të ndihesha më keq. U bë gjithmonë e më i largët me mua deri sa një ditë nuk nguroi të ikte nga shtëpia. Doli në mëngjes dhe nuk u kthye për 3 netë me radhë. Unë si nuk u çmenda, ku nuk më shkonte mendja! Pastaj erdhi dhe më tha se do dilte prapë, sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Në atë moment nisa ta kuptoja se në atë realitet të ri ku po jetonim, edhe Toni ishte bërë një tjetër njeri. Nuk kaloi shumë kohë dhe më tha se donte të ndaheshim. Si nuk më ra bomba, aq më tepër kur unë e dija se nuk do të kisha mbështetjen e familjes sime, që ishte shprehur që në fillim kundër bashkimit tonë. Çfarë nuk bëra për ta mbajtur të lidhur pas vetes! Kam arritur të bëj gjëra që sot më vjet turp t’i tregoj. Kurse ai arriti deri aty sa më tha se kisha bërë gabim që nuk kisha dëgjuar prindërit e mi dhe e kisha marrë për burrë atë. Më tha hapur se ishte lidhur me mua për interes. Si nuk më ra pika! Nuk doja që ta merrnin vesh vëllezërit e mi sepse kisha frikë edhe nga reagimi i tyre. Atij nuk i erdhi keq as për fëmijët, por na braktisi të treve.

Nuk i tregova gjë familjes sime sepse më vinte turp. Ata kujtonin se unë jetoja me gjithë të mirat dhe kisha një familje të lumtur, në një kohë që unë kisha arritur deri aty sa të lypja. Isha në një vend të huaj e vetme, me dy fëmijë. Nuk e di se ku e gjeta forcën për të mbijetuar. Ishin fëmijët e mi ata që më jepnin forcë. Isha shumë e re, por sa herë që i shikoja ata, i kujtoja vetes se ishin përgjegjësia ime, se si prind duhej të kujdesesha për ta dhe t’i rrisja. Zoti më ndihmoi. Fatmirësisht pata rreth vetes njerëz që më ndihmuan. Sakrificat e mia kanë qenë të panumërta, por të paktën ia dola mbanë që t’i rritja fëmijët e mi si mos më mirë. Vitet e para ishin shumë të vështira, por me kalimin e kohës arrita të integrohesha në jetën e atij vendi. Për fëmijët ishte shumë e lehtë pasi ata u rritën atje dhe nuk njihnin realitet tjetër.

Familja ime e mori vesh që isha ndarë nga burri dy vjet më pas. Do t’ju duket e çuditshme, por për dy vjet e mbajta të fshehtë ndarjen, pasi jetoja me shpresën që ai do të kthehej përsëri.

Toni u martua me një të huaj. Krijoi jetën e tij me gruan e dytë dhe për 5 vitet e para nuk u kujtua kurrë për dy fëmijët që kishte me mua. Pas 5 vjetësh nisi të kontribuonte për rritjen e fëmijëve. Për t’i rritur fëmijët e mi kam bërë punë nga më të rëndomtat, si e si që atyre të mos u mungonin shumë gjëra. Ai nuk i takoi fëmijët për shumë vite. U kujtua për ta kur ishin adoleshentë. Atëherë ishin fëmijët që nuk donin t’ia dinin më për të. Unë nuk u kam folur shumë për babain e tyre. Ndoshta kam bërë gabim, por nuk mund t’u flisja mirë për të dhe nuk doja t’u flisja keq. Sigurisht që ata e kanë parandierë se çfarë mendoja unë për atë njeri sepse nganjëherë heshtja flet më shumë se njëmijë fjalë.

Nuk kam shumë vite që kam ndërtuar jetën time. Por së pari nxora në jetë dy fëmijët e mi dhe pastaj mendova për vete. Nuk do ta kisha kuptuar kurrë që paskam qenë kaq e fortë sikur jeta të mos më kishte sjellë kaq shumë halle e peripeci. Sot ndihem një njeri i plotësuar.

Sa herë që vij në Shqipëri e kuptoj se po të kisha jetuar në këtë vend do të kisha mbetur ai njeriu i ndrydhur dhe nuk do të isha bërë kurrë njeriu që jam sot. Në këtë vend mentaliteti ka ndryshuar pak. Njerëzit jetojnë me ndenjën e fatalitetit dhe për këtë më vjen keq. Shoh pak optimizëm. Shpresoj që historia ime t’ju bëjë të kuptoni se nuk ka asgjë që mund ta vërë njeriun përfund, mjafton vullneti dhe përpjekja për të rigjetur veten dhe pse jo për të qenë një njeri më i mirë dhe më i fortë.

Këtu po e mbyll historinë time, duke ju falënderuar për kohën që i kushtuat këtij shkrimi.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.