S’jam e PS-së, kam frikë se do më heqin nga puna

Gazeta Paloma - - Front Page -

avokatët?

Avokat, ju uroj shëndet! Përgjigjet që na jepni çdo javë janë shumë të vlefshme për ne që nuk kemi mundësi të shkojmë vetë nëpër avokatë. Një rast që kisha, avokati më kërkoi 500 mijë lekë të vjetra për të filluar punën. A është normale kjo?

Përshëndetje! Avokatët në Republikën e Shqipërisë veprojnë mbi disa çmime të përcaktuara në bazë të punës që nevojitet të kryhet prej tyre, llojit të çështjes në gjykim, të qenit minoren apo madhor i klientit etj. Sidoqoftë, kjo tabelë çmimesh është e zbatueshme vetëm kur nuk ka marrëveshje mes palëve. Çmimi që ju thoni është shumë normal dhe sipas tabelës së tarifave për përfaqësim në gjykatë në disa lloje çështjesh.

Si jeni avokat? Doja të pyesja, a ka gjyqtarë tani në verë në punë? Pasi ashtu kam një hall e më kanë thënë që gjykatat janë mbyllur. Ju uroj gjithë të mirat!

-Përshëndetje! Për çështje të caktuara, gjykatat punojnë edhe të shtunën e të dielën, gjatë gjithë vitit. Për çështje që nuk përbëjnë urgjencë, veprohet sipas procedurës, hidhet shorti dhe caktohet data brenda afateve ligjore. Për çështjen tuaj, të cilën nuk e keni të përcaktuar në letër, ju këshilloj të interesoheni në gjykatën e rrethit tuaj për më shumë informacion.

Avokat, jam në një hall të madh! Kam filluar punë në një institucion shtetëror prej 3 vitesh. Tani që fitoi Partia Socialiste e vetme, kemi shumë frikë se mos fillojnë spastrimet në administratë si dikur. Unë nuk jam e PS-së dhe kam frikë se do më heqin nga puna. Unë një copë specialiste jam. Nuk e kuptoj se si mund të më heqin!

- Përshëndetje! Me keqardhje konstatoj se në Shqipëri, akoma në vitin 2017, vendet e punës në administratën publike janë qoka të partive politike kundrejt votuesve ose miqve të tyre. Ju zonjë, në momentin që jeni pranuar në punë, duhej të kishit konkurruar sipas rregullave të shërbimit civil për t’u pranuar si specialiste në institucion shtetëror. Nëse ju e keni bërë këtë, atëherë nuk keni pse të keni frikë për vendin tuaj të punës. Edhe në rast të një pushimi të padrejtë nga puna, ju mund të hapni çështje gjyqësore dhe ta fitoni atë. Këtë e them me besimin më të madh pasi kam pasur edhe vetë çështje të nëpunësve civilë të cilët kanë fituar kundrejt eprorëve të tyre. Në rast se jeni marrë në punë në kundërshtim me ligjin, atëherë ju nuk keni shumë mbrojtje.

Përshëndetje avokat! Kisha një pyetje por nuk e di a më jepni ju dot një përgjigje. Nuk kam pasur kurrë problem me kartën time të identitetit deri sa shkova në një institucion ku më thanë që karta ime nuk ishte e aktivizuar. Çfarë do të thotë kjo? Mos ndoshta ka ndonjë problem? Duhet të bëj kartë të re? Theksoj se një herë më është lagur karta pasi më ra portofoli në ujë. Shumë faleminderit nëse më jepni një përgjigje. I nderuar, përshëndetje! Problemi me kartën tuaj të identitetit nuk qëndron te lagia në ujë. Mosaktivizimi i kartës është një problem që i ka ndodhur shumë klientëve dhe miqve të mi. Në momentin që kartat ID janë prodhuar, ka pasur shumë fluks aplikimesh nga ana e qytetarëve. Kur këto karta të tërhiqeshin nga aplikantët, duhet të bëhej edhe aktivizimi i tyre nga ana e firmës prodhuese. Kjo gjë nuk ndodhi dhe nuk u vu re për shumë kohë pasi të gjithë ne, kartën e përdorim vetëm për ta paraqitur pranë institucioneve. Çipi që karta ka nuk përdoret. Në rastin tuaj, ju kanë kërkuar të shikojnë ose regjistrojnë diçka në çip. Për të aktivizuar kartën, ju duhet të paraqiteni pranë njesisë së gjendjes civile ku keni marrë këtë kartë. Atje do ju drejtojnë në zyrën që kryen veprimin.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.