Burgu më bëri njeri më të mirë

Gazeta Paloma - - Histori Personale -

Thonë që burgu të bën njeri të egër, më të ashpër dhe më të keq. Unë e provova për plot pesë vite dhe mund të them totalisht të kundërtën. Burgu ndryshoi jetën time, më bëri një njeri më të mirë. E di që shumë nga ju mbase tani do qeshin dhe këto fjalë do u duken marrëzira, por kjo është e vërteta ime dhe kush ndjen që do t’i shkojë deri në fund kësaj historie, le ta bëjë. Në të kundërt, mund të ndalen këtu dhe të vazhdojnë të lexojnë të tjera gjëra. Unë kam mbaruar gjimnazin me nota të mira, por vështirësitë e asaj kohe nuk më lejuan të vazhdoja shkollën e lartë, edhe pse ajo ishte ëndrra ime. Sapo mbarova gjimnazin u njoha me një vajzë, e cila do të ishte edhe bashkëshortja ime e ardhshme, edhe pse jo për shumë kohë.

U martova i ri dhe menjëherë u bëra me fëmijë. Në atë kohë nuk e dija se çfarë do të thoshte të kishe familjen tënde. Bashkë me gruan dhe djalin tonë jetonim me prindërit e mi. Gruaja ishte fare e re dhe nuk punonte. Rriste djalin në shtëpi. Unë punoja si mekanik. Kisha një rrogë të vogël dhe e kishim të vështirë të mbijetonim. Unë kalova një moment të vështirë. Vetëm grindeshim në shtëpi. Mezi ia dilnim deri në fund të muajit dhe fukarrallëku na bënte që të degjeneronim deri në diskutime të ashpra. Unë u dhashë pas shoqërisë për t’iu shmangur sherreve në shtëpi. Ndihesha keq që nuk arrija t’i plotësoja kushtet minimale, por kur shkoja në shtëpi nuk më linte sedra që ta pranoja se e kisha unë fajin për situatën e vështirë ekonomike në të cilën ndodheshim.

Në punë kisha dy shokë që kishin afërsisht moshën time. Ishim të rinj. Ndryshe nga unë, ata nuk ishin të martuar dhe nuk kishin detyrime si të miat. Fillova të shoqërohesha shumë me ta. Dilnim pas pune. Ata e pinin nga një gotë, kështu fillova ta ktheja edhe unë nganjëherë. Ky ishte gabimi im më i madh. Në fillim më qerasnin shokët, por më pas fillova ta kërkoja vetë dhe të qerasja edhe të tjerët kur nuk ma mbante xhepi një gjë të tillë. Sherret në shtëpi bëheshin gjithmonë e më të shpeshta. Gruaja vetëm qante. Nuk kishte faj. Ajo ishte shumë e vogël kur u bë nënë dhe unë nuk e kam ndihmuar asnjë çast. Më këpusnin shpirtin lotët e saj, por nuk kisha fuqi të reagoja.

Problemi tjetër është se u zhytëm në borxhe, të cilët nuk kisha asnjë mundësi që t’i shlyeja. Një ditë piva aq shumë vetëm për të harruar hallet që kisha mbi shpinë sa nisa të flisja përçart. Isha me njërin prej shokëve të mi. I tregova atij se isha zhytur në halle. Me pak fjalë çdo gjë që kisha brenda vetes ia thashë atij. Kur e dëgjoi se problemi im më i madh ishte ana ekonomike, ai qeshi si me ironi. “Janë gjëra që rregullohen”, - më tha. Më tha se do të më ndihmonte, se kishte një punë për mua, me të cilën do të fitoja shumë dhe nuk do e vrisja më mendjen për punë lekësh.

Pas disa ditësh, 2 shokët e mi të punës më morën në telefon në darkë. Ishte shumë vonë. Nuk i takoja ndonjëherë në atë orë. Mendova se do të kishin ndonjë hall. Më thanë se po më prisnin afër punës se kishin një muhabet me mua. Kur i takova më propozuan që të bëja një punë me ta. Unë isha i gatshëm se kisha nevojë për lekë. Aty më treguan se vidhnin makina. Ishin lidhur me dikë që ua blinte makinat e vjedhura dhe ai i paguante mirë. Unë isha mekanik dhe i njihja mirë makinat, prandaj ata donin të më shfrytëzonin mua.

Dolëm që atë natë. Vodhëm nja 2 pasqyra dhe një kasetofon, pasi jo gjithmonë të jepej rasti të vidhje një makinë. Kisha frikë se do të na kapnin. Shokët qeshnin me frikën time. Mesa duket ata ishin mësuar. Kishin rreth 2 vjet që e bënin këtë punë dhe nuk i kishin kapur asnjëherë. Vetëm një herë i kishin shoqëruar në rajon për disa orë dhe pastaj i kishin lënë të lirë. Pas vjedhjeve të para, atë natë shokët më dhanë 50 mijë lekë. U ktheva në shtëpi në 2.00 të mëngjesit. Gruaja ishte e mërzitur dhe filloi të qante. Fakti që isha kthyer vonë në shtëpi e bënte atë të dyshonte se unë e tradhtoja. Kjo nuk ishte e vërtetë, por unë nuk mund t’i tregoja as se cila ishte e vërteta. Ajo më ngriti zërin, ndërsa unë nuk durova dot më dhe e godita. Që prej asaj dite fillova të sillesha keq me gruan time, me nënën e djalit tim. Mendoj se veproja kështu ngaqë nuk kisha se si të justifikoja oraret e vona kur kthehesha në shtëpi.

Iu futa rrugës të vjedhjes. Dilja çdo natë me dy shokët e mi. Gjysmën e darkës e kalonim duke pirë dhe pjesën tjetër duke vjedhur. Kjo u bë mënyrë jetese për mua. Fillova të fitoja para e të ndihesha i plotësuar me veten. Lija para edhe në shtëpi, por fillova të zihesha se ata më pyesnin ku i gjeja lekët dhe unë nuk doja t’u jepja llogari. U shmangesha apo nisja ndonjë debat për ndonjë gjë tjetër, si e si që të mos tregoja se si i nxirrja lekët. Nisa edhe një ves tjetër, bixhozin. Besoj se çdo njeri normal e kupton se çfarë shndërrimi pësova unë. U futa në një rrugë të keqe. Isha i rrethuar nga njerëz pa nivel dhe pa kërkesë llogarie nga vetja që u mjaftonte vetëm të kishin lekë. Unë nuk kisha nivelin e tyre. Vërtet isha rritur në varfëri, por familja ime kishte vlera. Pa e kuptuar e ndjeva veten të zënë në kurth.

Pas një viti, gjatë të cilit e siguroja jetesën duke punuar si mekanik ditën dhe duke vjedhur gjatë natës, ndodhi ajo që nuk e prisja. Me kalimin e kohës më kishte dalë nga mendja se vjedhja ishte krim dhe mund të na arrestonin. Ja pra që nuk vonoi dita kur policia ra në gjurmët tona. Kishim bërë një gabim, kishim vjedhur makinën e një njeriu të pushtetshëm pa e ditur. Në 5.00 të mëngjesit policia trokiti në derën e shtëpisë time. E hapi nëna. Policët hynë brenda dhe më vunë prangat. Nisën ulërimat në shtëpi. Nëna dhe gruaja nuk e kuptonin se çfarë po ndodhte. Unë nuk flisja.

Më futën brenda. Famil- ja nuk kishte mundësi të më mbështeste financiarisht që të merrja një avokat. Përveç kësaj, ata ishin shumë të inatosur me mua. E dija që do të dënohesha dhe që ishte thjesht çështje kohe. Takimi i parë me bashkëshorten ishte dramatik. Ajo më tha se do të ndahej nga unë. Do të kthehej në shtëpinë e prindërve të saj. Kishte të drejtë sepse unë jo vetëm që e kisha trajtuar keq, por po e lija edhe në mes të katër rrugëve me një fëmijë të vogël. Ajo më braktisi dhe e gjithë sjellja ime arrogante m’u kthye mbrapsht.

Dënimi nuk vonoi dhe unë përfundova në burg. Atje e ndjeva se çfarë do të thoshte të ishe i vetmuar, i braktisur. Pata kohë që të analizoja të gjithë sjelljen time. E kuptova sa pata gabuar në marrëdhëniet me familjarët e mi. Dy shokët e mi u distancuan nga unë. Ata e gjetën një mundësi për të lehtësuar dënimin. Vuajta shumë nga kjo braktisje e menjëhershme nga të gjithë.

Por vetëm duke përjetuar këto momente të vështira nisa të bëhesha i ndërgjegjshëm për ato që janë të mira dhe të këqija. Në 5 vite që kalova në burg mendova për gabimet që kisha bërë. U bëra i kujdesshëm që të mos përzihesha me njerëz që mund të më sillnin telashe. Kisha nevojë për qetësi. Nuk e di se si, por gjatë qëndrimit në burg arrita në një pikë ku gjeta harmoninë me veten time. E pranova faktin se e kisha humbur bashkëshorten time, por thellë-thellë e dija se nuk mund t’ia lejoja vetes që të humbja edhe djalin. I vura vetes qëllim që të bëhesha një njeri më i mirë, që të isha një baba më i mirë për djalin tim. Një tjetër ngushëllim gjatë vuajtjes së dënimit ishte leximi. Nëna ime, pasi më mbajti qëndrim për disa kohë, erdhi me lot në sy për të më takuar. Që nga ajo ditë vendosëm një marrëdhënie të re me njëri-tjetrin. Ajo vinte çdo javë që të më takonte. Zakonisht familjarët vinin për të sjellë ushqime, por nëna ime vinte për të më plotësuar një dëshirë tjetër. Ajo më sillte çdo javë libra. Kam lexuar shumë në burg.

Ato 5 vite nuk kanë qenë kohë e çuar dëm për mua. Është e vërtetë se mund të kisha bërë gjëra më të mira me jetën time. Nëse do të kisha qenë i lirë do të mund të kisha bërë një jetë më aktive. Por problemi është se përpara se të hyja në burg unë e mendoja jetën ndryshe.

Kur rifitova lirinë e ndjeva dhe vetë se burgu më bëri një njeri më të mirë. Jam një njeri tjetër në familje. I vlerësoj më shumë prindërit e mi, sepse jam i bindur se askush më shumë se sa ata nuk mund të më dojë. Kam arritur të ndërtoj një marrëdhënie edhe me ish-gruan time. Nuk mund të jemi miq sepse i tillë është mentaliteti në vendin tonë, por ajo më lejon ta takoj djalin sa herë që kam dëshirë. Ajo është një njeri i paqtë, që po i jep djalit edukatë e kulturë. I jam shumë mirënjohës për punën që po bën si nënë. Më vjen keq që nuk jam sjellë siç duhet me të. Nuk më vjen keq për të, por më vjen keq për veten sepse kam humbur një njeri të mrekullueshëm. Megjithatë sot jemi në kushte të tjera.

I kam lënë prapa edhe ato vese që mora gjatë kohës së dalldisë time. Nuk pi më dhe as nuk më shkon mendja të luaj kumar. Nuk përzihem më me njerëz që nuk kanë të njëjtin nivel me mua. Dua të ndërtoj një jetë të shtruar. Edhe prindërit e mi e kanë vënë re ndryshimin tim pozitiv e ndonjëherë me shaka nëna më thotë: “Ta dinim më parë se burgu do të bënte më të mirë, do të kishim çuar vetë”.

Jam bërë njeri optimist për jetën, ndoshta sepse kam përjetuar momente të vështira në burg. Kam qenë i rrethuar nga njerëz nga më të ndryshmit. Jam ndjerë shpesh i kërcënuar dhe kam mbijetuar. Tani jeta jashtë hekurave më duket parajsë dhe dua ta jetoj sa të kem mundësi.

Të dashur lexues të gazetës “Paloma”, këtu po e përfundoj këtë histori.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.