Lidhja jonë e shkurtër, por e bukur

Gazeta Paloma - - Histori -

Përshëndetje lexues të gazetës “Paloma”! Historia ime filloi kur unë isha administrator në një faqe në Facebook. Një ditë po shikoja fansat e faqes kur më ra në sy një vajzë me emrin E., shumë simpatike, që më tërhoqi që në momentin e parë që pashë foton që kishte në profilin e saj në Facebook. Pa ngurrim i dërgova kërkesë miqësie. Kur u futa pas disa orësh pashë që më kishte pranuar. U gëzova.

Ditë pas dite filluam të flisnim shumë, gjithmonë si shokë, edhe pse unë fillova të ndieja për të. Në fakt, më hyri në zemër që në momentin e parë që e pashë sepse ishte shumë tërheqëse fizikisht. Po çmendesha gjithnjë e më shumë pas saj.

Një ditë të shtune në mëngjes u futa në Facebook dhe pashë që E. ishte në linjë. U përshëndetëm dhe këtë herë, ndryshe nga më parë, nisëm të flisnim në mënyrë më të thellë për jetët tona. Atë ditë m’u shtua edhe më shumë simpatia për të, duke kuptuar që nuk ishte vetëm një vajzë e bukur fizikisht, por edhe si njeri. Çdo ditë e mbuloja me komplimente të cilat E. i meritonte të gjitha.

Kështu, marrëdhënia jonë po forcohej çdo ditë e më shumë, edhe pse E. vazhdonte të më thoshte se më shikonte vetëm si shok, ndërkohë që unë kisha rënë kokë e këmbë në dashuri me të. Këtë gjë mendova se ishte mirë t’ia thosha edhe E-së dhe ashtu bëra.

Nisa të interesohesha shumë për të. Ajo jetonte në një qytet të bukur në juglindje të Shqipërisë, ndërsa unë në periferi të një qyteti të Shqipërisë të Mesme, prandaj i vetmi mjet komunikimi për ne ishte Facebook-u, i cili mundësoi edhe lidhjen tonë,

Pas një kohe relativisht të shkurtër u njoha me një shoqen e E-së që quhej M. Ishte një vajzë shumë e mirë. Gjatë një bisede e pyeta se çfarë vajze ishte E. Më tha që ishte një vajzë e mirë dhe e sjellshme me të gjithë. Kjo gjë ma ngrohu shumë zemrën. Por kaluan disa ditë dhe E. nuk po futej online. U bëra shumë merak. Mendja ku nuk më shkonte.

Ditën që e pashë online gati sa nuk më ndali zemra. E pyeta se ku kishte qenë dhe se isha bërë shumë merak. Më tha që kishte qenë te disa kushërinj dhe se nuk kishte pasur mundësi të futej online. Por u habit kur unë i thashë që më kishte marrë malli. Qesha dhe i thashë se ishte e pamundur mos të të merrte malli për një vajzë si ajo. Nuk reagoi. I propozova që me shaka të bënim një status në Facebook sikur ishim të martuar. Ajo pranoi. Menjëherë filluan komentet nga ana e shokëve të mi dhe të saj, që na uronin trashëgime. Kur lexoja këto shkrime ëndërroja sikur ishin të vërteta. E doja shumë një lidhje me të.

Kjo lojë që vendosëm të bënim sikur na afroi më shumë. E. filloi të më dedikonte më shumë vëmendje, ndërkohë që unë i jepja gjithë vëmendjen time. Derisa erdhi momenti kur i propozova të bëhej e dashura ime edhe në realitet, jo vetëm në Fb. Më tha që i duhej pak kohë të mendohej. Pas disa orësh më dha përgjigjen që unë kisha ëndërruar prej kaq muajsh, pranoi të bëhej e dashuria ime. Kjo përgjigje i dha një tjetër kuptim jetës sime. Nuk ndalesha dot së shkruari fjalët më të bukura që më buronin nga zemra.

Pas afro një muaji lidhje, një muaj shumë i bukur që do të mbetet gjithmonë në kujtesën time, gjërat filluan të ndryshonin. Një ditë u futa në faqen e E-së dhe pashë biseda me meshkuj të tjerë, që flisnin për numra telefoni e gjëra të tilla. Këto biseda nuk më pëlqenin aspak. I thashë E-së për ato që lexova dhe më tha që ishte një kushëri i saj. Bëra sikur e besova, sepse nuk doja që kjo lidhje të mbaronte aq shpejt, e dëshiroja shumë atë femër, por ajo po e tepronte çdo ditë e më shumë duke bërë komente në profilin e saj, duke luajtur me të e duke i thënë “shpirt”. Kur i shikoja përpiqesha që ta bindja që të mos bënte më gjëra të tilla, pa i bërë presion për ndarje, sepse nuk e doje këtë gjë, madje as që nuk e çoja fare nëpër mend.

Por ditët kalonin dhe marrëdhënia jonë po ftohej, gjë që më shqetësonte shumë. Derisa erdhi momenti që u ndamë përfundimisht. Nuk kisha çfarë të bëja, edhe pse e doja nuk mund të vazhdoja në atë mënyrë. Vendosa ta fshija nga Fb pasi nuk e shikoja dot të fliste me të tjerët, ndërkohë që unë vuaja për të. I dërgova edhe një sms të fundit ku i shkrova: “Zemër, nuk e mendoja kurrë se do ta bëja këtë veprim, por ja që jeta t’i servir këto gjëra. Më vjen shumë keq për ty dhe për mënyrën si ke vendosur ta ndërtosh jetën. Të uroj fat në jetë e kudo! Të puth fort”.

Këto ishin fjalët e mia të fundit me E-në dhe që nga ajo ditë nuk kam pasur më asnjë lloj komunikimi me të.

Lexues të dashur të gazetës “Paloma”, faleminderit që i kushtuat pak minuta historisë sime! Mirëpres opinionet tuaja.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.