Hazal Kaya: “Më ka ndryshuar jeta pas sëmundjes”

Gazeta Paloma - - Telenovela -

Aktorja e famshme në vendin tonë si Maral ka dhënë një intervistë të sinqertë duke treguar rreth sëmundjes së saj, që deri tani e kishte mbajtur shumë personale. “Unë jam dobësuar shumë prej sëmundjes që kam. Kështu e kuptova se vuaja nga diabeti. Kjo sëmundje ma ka vështirësuar shumë jetën”,- rrëfen aktorja në intervistë. Ndërsa nga ana tjetër shpalos me krenari anën e saj luftarake feministe që duket ta ketë trashëguar nga e ëma. A ju thyhet zemra nga gjërat që thonë rreth jush? Më parë më interesonin shumë gjërat që më thoshin. Por kot nuk thonë që njeriu përshtatet me çdo situatë. Herë pas here kam dëshirë t’i kthej ndonjë përgjigje të bukur ndonjërit, por e di që nuk duhet ta bëj diçka të tillë. Një farë kohe patët marrë disa kile, por jeni kthyer sërish në një formë të shkëlqyer. Unë jam dobësuar sepse jam sëmurë, nuk ka të bëjë me faktin se kam qenë e shëndoshë. Kështu e kuptova se vuaj nga diabeti. Ka qenë shumë e vështirë për mua që të përshtatesha me stilin e ri të jetesës. Jam mësuar me kritikat për çdo gjë që bëj, pasi të tillë e kam punën. Por si ka mundësi që nuk kam lexuar kurrë një lajm për një mashkull që është shëndoshur, por vetëm kritika ndaj pamjes së femrave. Ajo që më acaron më shumë është se këto komente u drejtohen femrave nga vetë femrat. Ne jemi kaq të indoktrinuara me këtë lloj dhune psikologjike, sa pa e kuptuar vazhdojmë ta ushtrojmë te njëra- tjetra. Pra po thoni se plakja dhe shëmtia nuk ju shqetësojnë? Problemi qëndron te të qenit femër. Një mashkull mund të plaket, por një femër jo? Unë e adhuroj Brigitte Bardot, ajo është vogëlushja ime. Femra nga e cila kam marrë më shumë mençuri. Është bërë mama dhe po kujdeset për familjen e saj. Pse na intereson kaq shumë se si duket një njeri? Pse nuk shikojmë më shumë filma apo lexojmë libra, pse nuk kujdesemi që ta bëjmë më së miri punën tonë? Unë nuk e pranoj që një mëkat i tillë t’u bëhet femrave. P.sh. dikush mund të tallet me qafën time pasi është shumë e shkurtër. Ç’kuptim ka kjo? A mund ta ndryshoj unë qafën që kam? Pra sekreti juaj i dobësimit ka qenë vetëm sëmundja? Sëmundja dhe fakti që merrem me sport. Nuk hani më asgjë që ka sheqer? Kam një ditë “pushimi” kur ha çfarë të dua. Jam një njeri që e do shumë ushqimin, madje kam bërë edhe kurs gatimi. Ha gjërat që i gatuaj vetë. Nuk lejoj që asnjë pengesë e jetës të më prishë lumturinë. Le të bëhem me bark, le të më dalin puçrra, unë kam zgjedhur të jetoj një jetë të lumtur. Duke qenë vajza e një nëne qe shquhet për feminizëm dhe është një aktiviste e zjarrtë, çfarë keni përfituar ndryshe? Jam rritur nga një femër shumë e fortë. Më kanë mbajtur në pëllëmbë të dorës. Kam qenë dëshmitare e tyre kur luftonin për veten dhe të drejtat e femrave të tjera. Kemi jetuar në një lagje ku kishte vetëm meshkuj dhe ne ishim shtëpia e vetme vetëm me femra. Na shihnin me skepticizëm në fillim. Fqinjët më sillnin ushqim dhe fshehurazi fajësonin nënën time që punonte aq shumë dhe nuk kishte kohë për mua. Që në një moshë të re ju është dhënë mundësia të punoni me artin: kërcim, muzikë. Por a jeni marrë me aktrimin më parë? Jo, aktrimi nuk ka qenë në interesin tim. Kisha planifikuar që pasi të përfundoja liceun italian të shkoja në Itali për të studiuar histori arti. Pastaj krejt papritur më erdhi një ofertë nga një televizion për t’u bërë aktore. Isha vetëm 13 vjeçe, nuk është se logjikoja mirë. Mendova: “Unë mund t’i bëj të gjitha: të jem aktore, të bëhem eksperte arti, të merrem me muzikë dhe kërcim”. Kështu që pranova.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.