Si të menaxhosh zemërimin e fëmijës

Gazeta Paloma - - Front Page - nga PEDIATRIA LIRA GJIKA

Si të mësohet fëmija të komandohet?

Në moshën 2-3-vjeçare fëmijët shfaqin një lloj agresiviteti me fëmijët e tjerë, u marrin lodrat apo u shkulin flokët apo i shtyjnë. Këto veprime janë sa të pafajshme, aq edhe me dashje. Në këtë moshë fëmija nuk e di apo nuk e ka bërë të tijin konceptin e “të mirës dhe të keqes”. Edhe pse në pamje është agresive dhe e keqe, në fakt janë hapat e para drejt ndërtimit të komunikimit me tjetrin si moshatar dhe fëmijë. Dhe natyrisht hapat e para nuk janë as të lehta dhe as të sigurta. Fëmija nuk kontrollon ende as veten dhe as veprimin. Ai nuk di ende konceptin “e imja, e tjetrit”, ai thjesht do një gjë apo nuk e do. Pikërisht me shfaqjen e këtyre sjelljeve fillon dhe mësimi i skemës “e imja-e tjetrit” dhe “e mirë – e keqe”. Ky “mësim” kërkon prezencën e të rriturit dhe durimin e tij. Gjithashtu, në këtë moshë fëmija nuk di ende të luajë vetë me fëmijët e tjerë, duhet patjetër prezenca e të rriturit që të bëjë ndërmjetësin, të ushqejë lojën dhe të evitojë situata të tilla. Për fat të keq ne i lëmë fëmijët të luajnë vetëm, por kjo është e pamundur në këtë moshë, duhet patjetër prezenca e të rriturit. Kur fëmija shkul flokët e fëmijës tjetër apo e shtyn apo i merr lodrën, duhet ndaluar me takt, duke cilësuar që është një veprim i gabuar dhe nuk e lejon të bëhet vajzë e zonja apo djalë i zoti siç dëshiron.

Të rritur! Në të tilla raste, mos ndërhyni me rrëmbim dhe me fjalën “mos”, por përdorni vetëm një fjalë duke e shqiptuar prerë. Mbase fjala më e saktë për t’u përdorur mund të jetë fjala “jo”. Duhet përdorur një fjalë e vetme sepse fëmija fjalën e parë nuk e dëgjon, kështu duke përsëritur dy- tri herë të njëjtën fjalë, fëmija do të fillojë ta njohë komandën dhe do të fillojë ta zbatojë. Dhe mbasi situata qetësohet, tregojini fëmijës pse e ndaloni dhe pse ky veprim nuk duhet bërë.

Frazat që fëmijët kanë nevojë t’i vazhdimisht

Fëmijët, për t’u rritur mirë, duhet të ndihen të dashur e të respektuar.

Fëmija nuk është një kukull, por një person i vogël. Ata të ndjeshëm të pafajshëm, të trembur, euforikë, kuriozë. Për fëmijët gjithçka është e re dhe mrekullueshme. Por kur gjithçka është e re, frika është e madhe dhe vetëvlerësimi i ulët. Dhe këtë gjë prindërit dhe të rriturit duhet ta kenë në qendër të vëmendjes.

Fëmijët nuk shërbejnë për të kënaqur nevojat emocionale të prindërve dhe nuk janë robotë të vegjël që mund të komandohen lehtësisht dhe si duan të rriturit.

Fëmijët kanë nevojë për siguri, për të mësuar “elasticitetin” për të dashur veten dhe për t’u kujdesur për të tjerët; për të mësuar të vlerësojnë një dështim dhe ta kthejnë në fitore. Kanë nevojë të ndërtojnë një vetëvlerësim të shëndetshëm. Dhe rritja e zhvillimi i vetëvlerësimit është detyrë e prindërve.

Ja cilat janë frazat që fëmijët kanë nevojë t’i dëgjojnë vazhdimisht: “Të dua shumë”; “Jam krenar për ty”; “Kam gabuar unë, më fal”; “Të fal”; “Po të dëgjoj”; “Kjo është përgjegjësi e jotja”; “Ke të gjitha gjërat që të duhen për të pasur sukses”.

Si të menaxhosh zemërimin e fëmijës

Të ndëshkosh një fëmijë nuk bën gjë tjetër veçse vështirëson situatën. Gjendje të tilla rritin nivelin e noradrenalinës ( substancë e lidhur me stresin) në gjak. Kjo është arsyeja që fëmija nuk ia del të qetësohet. Ndërhyrja pa kujdes e të rriturit shton te fëmija të bërtiturat, përplasjet e këmbëve, gjuajtjen me sende apo flakjen e tyre. Ky manifestim motorik i zemërimit është mbase aspekti më i vështirë për të menaxhuar dhe më i sikletshëm, sidomos kur ndodh në publik. Kur fëmija hyn në këtë gjendje nuk duhet frenuar: është natyrale që kur provon zemërim duhet ta shkarkojë dhe në mënyrë instiktive e kryen nëpërmjet trupit. Fëmija duhet të ndihmohet që ta shkarkojë tensionin në mënyrë të sigurt dhe jo të dëmshme për atë vetë dhe për të tjerët. Për shembull duhet të ndihmohet të hidhet nga një lartësi apo të bëjë një vrap në oborr apo në park, të luajë me jastëkë apo të kërcejë në krevat. Përballë një shpërthimi të zemërimit dhe inatit, mos i kërkoni fëmijës të qetësohet. Në këto çaste ai nuk është në gjendje ta bëjë, kjo kërkesë do të shtonte edhe më shumë forcën e shpërthimit. Arsyetimin mund dhe duhet ta bëni në një moment të dytë, kur të dy palët do të jenë të qeta dhe të gatshme për dialog. I rrituri nuk duhet të bërtasë, pasi ngritja e zërit nga ana e të rriturit nuk bën gjë tjetër veçse stimulon edhe më shumë reagimin e fëmijës.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.