Si funksionon sigurimi vullnetar?

Gazeta Paloma - - Front Page -

A mund të ketë pagesë ndryshe sipas gjinisë?

Avokat, kam një situatë shumë problematike në punën time. Punoj pranë një institucioni zyrtar ku asnjë nuk më vlerëson e nuk më jep një përgjigje mbi pikëpyetjet e mia. Tani po ju shkruaj me shpresën se do të më jepni një informacion sado të vogël. Unë punoj në një pozicion si specialiste. Të njëjtën punë si unë bën edhe një burrë pak vite më i madh se unë. Deri këtu është çdo gjë në rregull, por problemi qëndron në faktin se unë marr një rrogë më të vogël se ai. Si ka mundësi kjo? Kam pyetur te financa e më kanë thënë që kështu u ka thënë eprori i tyre. Pse marr një rrogë më të vogël sa kohë që bëjmë të njëjtën punë? A mos ndoshta sepse jam femër dhe e re? A mund të padis institucionin për racizëm e për neglizhencë?

- Përshëndetje e nderuar zonjë. Përpara se të merrni masa drastike si paditje e të tjera si këto, ju lutem të qartësoni nivelin e arsimit tuaj. Pagesa në institucione kryhet në bazë të pozicionit të punës, pra klasës, duke shtuar këtu nivelin e arsimit si dhe eksperiencën në punë. Në këtë mënyrë, një person që ka master shkencor paguhet më shumë se një që ka master profesional ose që ka vetëm diplomë bachelor. Gjithashtu, pagesa rritet për çdo vit pune që ka një punonjës. Ju vërtet mund të kryeni të njëjtën punë dhe në të njëjtin pozicion, por ama investimi që secili nga ju ka bërë në arsimin përkatës është i ndryshëm. Nëse ju keni të njëjtin arsim dhe të njëjtën vjetërsi në punë, atëherë ju duhet të flisni me financën mbi trajtimin e veçantë që merrni ju. Në legjislacionin shqiptar nuk ka në asnjë vend të përcaktuar një trajtim financiar të ndryshëm sipas gjinisë.

Si funksionon sigurimi vullnetar?

Përshëndetje gazeta “Paloma”! Desha një sqarim nga avokati për sa i përket pagesës së pensionit vullnetar. Jam një zonjë 35-vjeçare dhe nuk kam asnjë vit pune. Tani kam hyrë në punë. Do të doja të dija, sipas legjislacionit si duhet vepruar për të paguar disa vite? Faleminderit! Evi.

-E nderuar zonjë, ju uroj suksese në fillimin e punës suaj. Për sa i përket sigurimit vullnetar për të cilin ju flisni, ju keni të drejtë të blini vite pune deri në masën që ju dëshironi si edhe deri në shumën që ju dëshironi, por gjithmonë, jo më pak se shuma minimale. Masa e sigurimit vullnetar minimal përcaktohet me VKM për çdo vit kalendarik. Për vitin 2017, pagesa e sigurimit vullnetar minimal është 5184 lekë të reja për çdo muaj. Ju duhet të interesoheni pranë degës së sigurimeve shoqërore pranë vendbanimit tuaj e të plotësoni dokumentacionin e kërkuar për këtë qëllim. Sigurimi vullnetar ju mundëson juve të rrisni vjetërsinë në punë, të arrini vitet e punës për pensionin e pleqërisë, të parakohshëm, invaliditeti ose familjar. Sidoqoftë, sigurimi vullnetar nuk ndikon në eksperiencën e punës, për të cilën mund t’ju kërkojnë informacion punëdhënësit tuaj të ardhshëm.

Si të punësohem në shtet?

Përshëndetje avokat! Ju lutem të më sqaroni mbi një çështje që nuk e kam shumë të qartë. Me këtë qeverinë e re na thanë se do punësohen njerëz të rinj, të vjetrit do ikin dhe do ketë ndryshime. Si të bëj që të punësohem edhe unë në shtet?

- Përshëndetje i nderuar! Në letrën tuaj, nuk sqaroni pozicionin e punës për të cilin ju kërkoni të punësoheni. Për më tepër, ju këshilloj të siguroni një vend pune jo ekskluzivisht në shtet, pasi me rotacionet politike askush nuk e ka punën të sigurt. Në përgjigje të pyetjes suaj, ju them se ka ndryshim mes punësimit në një pozicion ku kërkohet statusi i nëpunësit civil dhe një pozicioni ku nuk kërkohet ky status, pra punonjës administrativ. Për nëpunësit civil, çdo pranim i ri në administratë kalon nëpërmjet DAP-it, që është Departamenti i Administratës Publike. Ju mund të interesoheni pranë dap. gov. al për më shumë informacion mbi vendet e lira, afatet dhe dokumentacionin e kërkuar. Për sa u përket punonjësve administrativë, institucionet i bëjnë pranimet me anë të shpalljeve në gazeta ose në faqe interneti të institucioneve të ndryshme. Ju uroj suksese! Studio Ligjore Xhixha, Tiranë Kontakt: studioxhixha@ gmail.com

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.