Tradhtia që s’do ta harroj kurrë!

Gazeta Paloma - - Histori Personale -

Ishte një natë e ftohtë dimri atëherë kur të njoha ty. E kush do ta kishte menduar se gjithçka do të niste dhe do të përfundonte brenda asaj nate të vetme! Edhe unë vetë do të thosha që nuk ishte e mundur. Nuk do ta kisha besuar ndonjëherë që mund të të isha dhënë sapo të njoha, e mbi të gjitha të mos ndieja pendim as më pas.

Sot më erdhe ndër mend, ndërsa kalova përmes qytetit ku të njoha ty. Kanë kaluar kaq shumë vite, unë vazhdoj jetën time, ashtu sikurse besoj se bën edhe ti, por përsëri kujtimi yt është kaq i freskët në memorien time. Ndoshta sepse ti je e vetmja çmenduri që kam bërë në jetë dhe për këtë nuk do të harroj kurrë.

Gjithmonë i kam gjykuar njerëzit që tradhtonin, sidomos femrat, por ja që kur e bëra vetë një gjë të tillë nuk u ndjeva sikur po tradhtoja. M’u duk vetëm sikur po shkëputesha për një çast të vetëm nga jeta ime e zakonshme, për t’u kthyer sërish atje pas një nate të zjarrtë. Ajo natë me ty më ka vënë në pikëpyetje mënyrën time të të menduarit. A mos ndoshta kam qenë shumë e ashpër, shumë strikte dhe radikale, vetëm e vetëm sepse kam pasur frikë se nëse do ta aprovoja me fjalë tradhtinë do ta kisha bërë edhe me vepra. A mos jam përpjekur të mbroj veten nga e pandërgjegjshmja ime?

Atë ditë kur u nisëm për të bërë atë udhëtim nuk më shkoi mendja për asgjë nga ato që më prisnin në atë qytet që e doja aq shumë. Nuk mendova për asnjë çast se do të gjeja atje një mashkull që do të më bënte të ndihesha aq e plotësuar. Erdha thjesht me mendimin se do të kaloja disa momente çlodhëse me miqtë e mi. Për herë të parë do të qëndroja në një qytet tjetër pa bashkëshortin dhe djalin. Nga njëra ishte çlirim për mua, por nga ana tjetër mendja më rrinte tek ata të dy.

Të pashë që në momentin e parë që vura këmbën në hotel. Ishe ulur në një tavolinë pranë recepsionit, me sytë ulur mbi gazetë. Ngrite kokën veç një çast dhe pastaj vazhdove leximin. Për të qenë e sinqertë, as që të fiksova atë moment, asgjë nuk më bëri përshtypje nga ti, por u kujtova për shikimin tënd vetëm pas asaj nate. E di që ti më kishe vënë re që në atë çast. Ma the përpara se të largoheshe se të isha dukur e paarritshme, por në fakt doli krejt e kundërta. Jo vetëm që isha e arritshme për ty, por isha lehtësisht e arritshme. Nuk e di çfarë më ndodhi atë ditë. Nuk e di pse u bëra tjetër njeri. Edhe sot nuk ka arsye që të më sqarojë se çfarë qe ajo që ndodhi.

Në mbrëmje, zbritëm në restorantin e hotelit tënd. Ishim të gjithë bashkë. Na u bashkove edhe ti. Nuk e di nëse ndodhi rastësisht apo ishte e qëllimshme nga ana jote, por ti u ule pranë meje. Nuk e di pse më bëri të ndihesha në siklet prania jote. Zakonisht jam tip i heshtur, por ky tipar i imi u theksua shumë atë natë të ftohtë dimri. Ndërsa edhe pija bënte të vetën, fillova të thosha 2-3 fjalë. Si për t’u shfajësuar thashë se kisha lënë në shtëpi burrin dhe djalin për herë të parë. Ti shprehe habi që unë isha e martuar sepse, sipas teje, dukesha shumë e re. Pastaj nxitove të thoshe se bashkëshortja jote rrinte natën në shtëpi me fëmijët.

Kur vendosëm të dilnim në qytet e të shkonim në ndonjë lokal nate, shpresova për një çast se ti nuk do të vije dhe unë do të çlirohesha nga ajo ndjenjë sikleti që më kishte mbërthyer. Por shpresat e mia u shuan në çast dhe një tjetër ndjesi më përshkoi. Edhe pse nuk doja ta pranoja, isha e kënaqur që ti po vije me ne. U ndamë nëpër makina. Mendova se ti do të sugjeroje që unë të hipja në makinën tënde. Por ti u tregove i matur dhe nuk e bëre këtë. The se do të vije vetë me makinën tënde për të na shoqëruar. Më vonë më the se e kishe kuptuar sikletin tim dhe nuk doje të më vije në vështirësi përpara miqve të mi. Bëre mirë!

Në atë qytet, në atë lokal, për herë të parë dola jashtë kontrollit. U ndjeva adoleshente ashtu si nuk isha ndierë ndonjëherë. Doja vetëm të kërceja e të dëfreja. Pjesën më të madhe të kohës ti qëndrove ulur dhe vetëm më shikoje. I ndieja sytë e tu mbi veten. Ndoshta nga pija, e pandërgjegjshmja ime fitoi terren. Dëshiroja që të më shikoje, doja që të më dëshiroje. Në atë çast shikimet tona nisën të merrnin një tjetër kuptim. Një moment të vetëm që u ula në tavolinë, këtë herë isha unë që erdha pranë teje, ndjeva dorën tënde nën tavolinë që më ledhatonte këmbën. Nuk i ngrita sytë, nuk guxova të të shikoja. Nuk dija ç’të bëja, nuk doja të të refuzoja, por nuk isha e zonja as të të aprovoja. Në atë çast e harrova jetën time reale. Harrova që kisha një familje dhe që të nesërmen do të kthehesha sërish atje. E nxita veten që të harroja. Arsyeja nuk më funksiononte më. Nuk isha në gjendje të tregohesha aq racionale sa të merrja një vendim të pjekur. Nuk mendova as se do të pendohesha për atë që po përgatitej të ndodhte atë natë. Dhe në fakt ashtu ndodhi, nuk u pendova kurrë.

Askush nuk e kishte mendjen tek ajo që po ndodhte mes nesh. Ishte diçka që e shihnim dhe e ndjenim vetëm ne të dy. Duket se kjo ishte një arsye më shumë që unë të mos hezitoja që të vazhdoja atë lojë shikimesh me ty. Nuk kisha qëndruar kurrë aq vonë nëpër lokale. As me bashkëshortin tim nuk kisha kërcyer ndonjëherë si e çmendur. Madje bashkëshorti im as nuk e njihte dhe as nuk e njeh këtë anë timen. As unë vetë nuk e njihja këtë pjesë të karakterit tim. Siç duket, duhej ta kisha shtypur e ndrydhur që e vogël. Pse vallë të kem pasur kaq shumë frikë që ta lija veten të lirë?

Shëtitjes sonë nëpër qytet e nëpër klube nate i erdhi fundi. Ndoshta do të kisha dashur të rrija edhe pak më gjatë jashtë, por kur mendoja se çfarë surprizash mund të vinin më pas preferova të kthehesha në hotel.

U kthyem. Ti ndalove te holli. U përshëndete me të gjithë dhe the se do të largoheshe për në shtëpi. Nuk doja ta besoja që ti kishe vendosur ta mbyllje me aq atë natë sepse unë shpresoja se nga ai moment do të fillonte nata për ne të dy. Shpresova që ta kishe thënë kot atë fjali sa për të mos krijuar dyshime te të tjerët. Shkova në dhomën time. Nuk doja të zhvishesha pa qenë e bindur se ti nuk do të vije. Prita për disa çaste dhe u bëra gati të zbrisja edhe njëherë për të parë nëse ishe larguar. Në atë moment ra dera. E ndjeva se ishe ti.

Hyre dhe pa thënë asnjë fjalë fillove të më puthje. Fjalët ishin vërtet të tepërta. Edhe unë iu përgjigja puthjeve të tua me të njëjtin pasion. Nuk isha dorëzuar kurrë në atë mënyrë te një mashkull. Atë natë isha e gjitha e jotja, me trup dhe me mendje. Nuk kisha bërë kurrë dashuri si e çmendur. Gjithmonë kisha menduar vetëm që të kënaqja partnerin, por atë natë doja të kënaqesha edhe vetë. Dhe ti më dhe gjithçka, më dhe gjithë kënaqësinë që kisha nevojë. Më bëre të ndihem një femër e dëshiruar.

Ajo ishte nata më e zjarrtë e jetës sime. Dhoma u mbush plot pasion. Nuk kishte vend për asgjë tjetër. Dhe asnjëri nga ne nuk donte asgjë më shumë.

Më bëri përshtypje që edhe kur mbaruam së bëri dashuri, ti nuk u largove. Më kërkove që të flije aty, pranë meje. Ishte e qartë se asnjëri prej nesh nuk kishte gjumë. Ishte i vetmi moment që biseduam për atë që kishte ndodhur, biseduam pak dhe vazhduam të përkëdhelnim njëri- tjetrin sikur të kishim një jetë që njiheshim. Nuk folëm asgjë për jetën tonë reale, nuk folëm as se çfarë do të ndodhte pas kësaj.

Na këputi gjumi fare pak dhe u zgjuam sapo lindi dielli. Ti më puthe dhe u largove, sikur do të takoheshim përsëri më vonë, por të dy e dinim se kjo nuk do të ndodhte. Aty mbaroi edhe historia jonë e një nate.

Kur zbrita poshtë për t’u larguar, hodha sytë përreth, por nuk të pashë. Edhe miqtë e mi kërkuan të të përshëndesnin përpara se të largoheshim, por na thanë se ti nuk kishe ardhur ende. Mendova se mungesa jote aty ishte e qëllimshme. Ende mendoj se ti ishe larguar për të mos pasur një përballje tjetër me mua, as unë thellëthellë nuk do ta kisha dashur. Preferoja të largohesha që andej me emocionin e asaj nate të vetme.

Kur u ktheva në shtëpi, ishte sikur të isha zgjuar nga një ëndërr. Asgjë nuk kishte ndryshuar, më priste burri dhe djali, dy njerëzit më të rëndësishëm të jetës sime. Asnjë shenjë e dukshme nuk mbeti nga ti. Vetëm brenda meje mbeti kujtimi i një nate të paharrueshme, që nuk do të përsëritet më kurrë. Të kam në zemër si një kujtim të bukur, por të largët!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.