P e ma pi ma iet e o e mo e e...

Gazeta Paloma - - Histori -

Përshëndetje lexues të gazetës “Paloma”! Unë që po ju shkruaj jam një vajzë single 22-vjeçare. Jam duke kaluar periudhën më të vështirë të jetës sime duke u përpjekur të njoh personin e duhur me të cilin të dal për kafe në një lokal ose nga i cili të marr përgjigjet e duhura plot interes nga ana e tij ndaj mesazheve apo pyetjeve të mia. Përballë përpjekjeve të tilla, duhet ta pranoj që kam dalë gjithnjë e zhgënjyer.

Ndoshta isha unë që u jepja rëndësi të madhe ngjarjeve të pavlera. Ndoshta kam reaguar unë me shumë brishtësi dhe ndjeshmëri ndaj njerëzve me të cilët ndaj botën time. Ose ndoshta thjesht më duket e kotë mënyra si funksionojnë lidhjet e kohëve të sotme. Ndoshta i kam që të tria këto, por dua të shkruaj vetëm për arsyen e tretë në këtë histori personale.

Kur isha në një marrëdhënie, dëgjoja shpesh njerëz që ankoheshin gjatë gjithë kohës për jetën e tyre si beqarë. Histori nga miqtë dhe mikeshat e mia, artikuj në internet, kudo mund të lexoje histori të tilla. Por në fakt, jeta si beqare nuk ishte dhe aq keq dhe këtë e provova gjatë kohës që nisa një lidhje me dikë. Çdo gjë dukej tmerrësisht e komplikuar.

Të gjithë më pyesnin për të dalë, ndërkohë që asnjë nuk më ftonte në ndonjë takim romantik. Më fal, por edhe unë jam si çdo vajzë tjetër shqiptare që e mendon shumë mirë që ajo dalja mund të mos ketë të bëjë vetëm me pirjen e një kafeje. Do dilnim për të parë një film? Për të ngrënë një drekë? Për të shkuar bashkë? E kuptoja që ndoshta kishte të bënte thjesht me të pirë një kafe, por taktika e zgjedhur ishte shumë e gabuar. Meshkujt nuk dinë t’i saktësojnë gjërat ose ndoshta duan t’i provokojnë vajzat për të parë se deri ku arrin botëkuptimi i tyre. Ide shumë e bukur kjo në fakt për të nisur lidhje me dikë. Bravo djema!

Gjithashtu, ne jetojmë në një botë ku njerëzit kanë frikë të duan vërtet personat e tjerë ose nuk e tregojnë dashurinë që ndiejnë për ta. Në marrëdhëniet “moderne” kur dikush është i mërzitur, as telefonin nuk ta hap, por më fal, përderisa e nise lidhjen me dikë, mendon se lidhja juaj ka aq vlerë sa të shkatërrohet nga kokëfortësia e njërit prej partnerëve? Nëse e do dikë, mund të mos ia shprehësh me fjalë, por ama duhet të ekzistojnë veprat që të tregojnë përkujdesjen dhe dashurinë tënde për të. Nëse nuk e bën këtë gjë, por tregon vetëm kokëfortësi, atëherë ti nuk po u bindesh rregullave që duhet të ketë çdo lidhje. Në raste të tilla, je ti që humbet dhe dikush tjetër fiton, ndërkohë që ti pyet veten se ku ke gabuar apo se çfarë shkoi keq.

Kam vënë re edhe diçka që nuk më pëlqen nga femrat në një marrëdhënie. Kur një mashkull ju fton për të dalë, pas takimit të parë mos u ndjeni të detyruara ta ftoni ju për një takim të dytë. Nuk duhet ta bëni një gjë të tillë. Nëse atij i keni pëlqyer në takimin e parë, ai do t’ju ftojë vetë sërish për të dalë dhe kështu duhet të ndodhë.

Në marrëdhënien time urreja të komunikoja me mesazhe. Është gjëja më e shpifur të shprehësh emocionet e tua me disa fytyra që të prezanton bota virtuale, kur e rëndësishme është të dëgjosh zërin e personit tjetër dhe të kuptosh çdo gjë që ai po përjeton nëpërmjet zërit të tij.

Nuk më pëlqejnë as konceptet që ekzistojnë lidhur me mënyrën si sillesh në një marrëdhënie. Me siguri edhe ju e keni vënë re këtë gjë. Nëse unë i shkruaj shpesh dikujt, jam unë nevojtarja që nuk jetoj dot pa të. Nëse unë jam gjithmonë e lirë kur ai më thotë për të dalë, unë nuk paskam një jetë personale të mbushur me aktivitete. Nëse ai më shkruan pas tri orësh nga mesazhi që unë i kam nisur, duhet të pres edhe unë po aq orë për t’i shkruar që të mos tregohem shumë e interesuar. Edhe vetë i kam menduar këto gjëra dhe më duken shumë idiote. Pse duhet të dukem si nevojtare për burrë, thjesht se tregoj interes për dikë që më pëlqen? Unë nuk dua t’i ndjek rregulla të tilla, por ja që lidhjet e kohëve “moderne” kështu funksionojnë.

Unë mendoj se në një lidhje duhet respektuar shumë personi tjetër dhe duhet të tregohesh sa më shumë e sinqertë me të. Nëse nuk je e interesuar për dikë, thuaja dhe mos e lër personin tjetër të shpresojë kot. Mos i injoro të tjerët deri në momentin sa ata të largohen nga ty. Mos i trajtoni marrëdhëniet si sfida që duhet t’i kaloni.

Është koha që të gjithë të rritemi dhe të mos bëjmë si kalamajtë e vegjël. Më telefonon shpesh, se më do. Shumë bukur që të do. Duhet të ndihesh mirë që dikush të do shumë, jo të të duket vetja sikur të pëlqen çdo femër e sikur asnjë nuk jeton dot pa ty.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.