Java e parë dhe e tmerrshme e shkollës

Gazeta Paloma - - Argëtim -

Si jeni të dashura? Si kaluat javën? Shpresoj që të keni kaluar më qetësisht sesa unë. O Zot, çfarë kam hequr! Ju me siguri do të pyesni se pse kam vuajtur kaq shumë këtë javë. Epo, më lejoni t’ju tregoj se këtë javë filloi shkolla për fëmijët e mi. Nuk ka gëzim më të madh për një prind sesa kur sheh fëmijët që bëhen të zotët e vetes. Sigurisht, është edhe një peng në zemër kur i sheh që bëhen gati për në shkollë. Të kujtojnë se po rriten edhe një vit më shumë e po i afrohen moshës kur nuk janë më të varur nga ty. Së shpejti do të shohin jetën e tyre e ti do jesh vetëm një person të cilit duhet t’i telefonojnë çdo ditë për të parë a është gjallë apo jo.

Sigurisht, kush i njeh sadopak fëmijët e mi e di shumë mirë që nuk më kanë lënë kohë që të merrem me sentimentalizma të kota. Nuk më kanë lënë mundësi të mendoj për jetën që ikën, moshën time që rritet e ata që largohen gjithmonë e më shumë nga unë. Janë një tërmet i vërtetë! Disa ditë me radhë jemi marrë me çantat e shkollës që duhet të bliheshin të gjitha të reja sepse bukuroshët i kishin grisur çantat e vjetshme. Për ditën e parë të shkollës, normalisht që duhet të bliheshin rroba të reja, duke nisur nga të mbathurat, çorapet e deri te kamishat, pantallonat e syzet e diellit. Imagjinoni këto shpenzime të shumëzuara për tre. Tersi më i madh ishte se atletet e njërit djalë ishin të ngjashme me atletet e djalit tjetër. O Zot, nuk dija se si t’ia bëja! Mos e dhëntë i Perëndia që të dy djemtë të kenë ndonjë rrobë të ng- jashme! Kjo do të thotë që fundi i botës është afër.

Mirë që duan veshje të reja çunat e mi, por duan edhe nga një picë kur mbarojnë blerjet e vitit të ri shkollor. E kemi traditë gjasme. E çfarë t’u them unë? Ata janë në një moshë që nuk e kuptojnë që shpenzimet rriten çdo ditë ndërsa rroga jo. E mirë, u ble edhe pica e cila u nda me ceremoni nga të gjithë pjesëtarët e grupit të blerjeve.

Që në këtë moment, rroga ime e muajit shtator, që sapo kishte kaluar në bankomat, u harxhua. Ngelën vetëm pak lekë për të blerë bukë, gjizë e një pulë mesatare, për drekën e nesërme në shtëpi.

Fëmijët e mi, ndryshe nga shumica e fëmijëve të tjerë, nuk i marrin librat e shkollës përpara se të fillojë viti shkollor. Ato ua jep shkolla në ditën e parë. Në këtë mënyrë, gjithë e hëna dhe e marta pasdite u kaluan duke mbështjellë librat e kalamajve. Secili e do letrën mbështjellëse në një ngjyrë të veçantë, që mos të ngjajë me ngjyrën e tjetrit. Secili i do të paketuar librat në mënyrë perfekte. Nuk duhet të ketë asnjë shenjë ngjitësi gabim, asnjë vijë e prerë shtrembër apo asnjë e ciflosur në celofan. Gati më vinte për të qeshur me tim shoq që ishte ulur këmbëkryq në tokë, me një tufë me libra përpara, gërshërët në njërën dorë e vizoren në dorën tjetër. Them gati, pasi nuk qesha. Jam marrë mjaftueshëm me fëmijët këtë javë sa të më dalë për çdo ditë të jetës. I kam dërguar në shkollë çdo ditë pasi furgoni që i merr e i sjell zakonisht nuk ka filluar punën akoma. Kam ngrënë trafikun e Tiranës në orarin më të keq. Mirë kjo, por kam ngrënë dhe sherr nga shefja ime se kam shkuar me vonesë gjithë javën. Për të mos folur pastaj për marrjen e fëmijëve. Nuk ka ngelur person në fis që nuk ka kaluar një herë nga shkolla për t’i marrë me makinë. Nuk mund të shkëputemi unë e burri çdo ditë.

Dua të bëj pak pushim. Ndonjëherë mendoj se do të ishte mirë sikur fëmijët të rrinin edhe pasdite në shkollë. Të bënin dhe detyrat e të vinin të lodhur në shtëpi, gati për të fjetur. Epo nuk mund të kem kaq fat. Shkolla i sjell çdo ditë në drekë dhe ata jo vetëm që nuk janë të lodhur, por sikur kanë akoma më shumë energji se në ditët kur janë pushim. Nuk e di se çfarë bëjnë në atë vend.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.