Unë, nëna e katër djemve, në mes të katër rrugëve…

Gazeta Paloma - - Histori Personale -

Keni dëgjuar për atë shprehjen: “Kam katër djem. Të katërt janë bërë me shtëpitë e tyre dhe nuk gjetën një dhomë për mua”? Unë jam shembulli ideal i diçkaje të tillë. Unë e di se nëse do të kisha bashkëshortin gjallë, asgjë nga këto nuk do të ndodhte ose të paktën nuk do të ndihesha kaq e vetmuar sa tani që nuk e kam as mbështetjen e tij.

Si çdo nënë në periudhën e komunizmit, edhe mua më është dashur të bëj punët e asaj kohe. Punoja fort ditën në kooperativë dhe natën bëja punët e shtëpisë. Isha nënë e katër djemve dhe më duhej të pastroja shtëpitë, të laja rrobat e tyre e t’u gatuaja, sepse ata ishin pesë meshkuj, bashkë me tim shoq, dhe nuk bënin punë shtëpie. Nuk kisha vajzë që të më ndihmonte dhe nuk ankohesha, sepse mendoja se po rrisja djem të mbarë, që mësonin dhe e dija se një ditë do t’ia dilnin mbanë në jetë.

Vitet kaluan dhe si pasojë e një fatkeqësie, im shoq ndërroi jetë. Ai pësoi një aksident në punë dhe e vetme më është dashur të rris katër fëmijët e mi. I madhi në atë kohë ishte vetëm 14 vjeç. Nuk e dija se çfarë do të më shërbente e ardhmja dhe iu përkushtova fort punës dhe fëmijëve për t’ia dalë mbanë. Ndonjëherë nuk kishim për të ngrënë, por kurrë nuk i kam ushqyer me urrejtje dhe pesimizëm djemtë e mi. I bindja se e nesërmja do të ishte më e mirë dhe kështu ditët dhe vitet kapërcenin njëra-tjetrën.

Djemtë e mi u martuan dhe secili ndenji shumë pak me ne dhe largohej me qira. Pas njëfarë kohe, ngela vetëm me djalin e vogël. Njëri u zhvendos për në kryeqytet dhe dy të tjerët bashkë me bashkëshortet e tyre ikën jashtë shtetit. Pas dy vjetësh nga largimi i djalit të tretë, djali i fundit, pra i vogli i familjes sonë, u martua me një vajzë që mua që në fillim nuk më pëlqeu. Kjo nuk ishte një tekë si e shumë vjehrrave shqiptare. Ajo nuk më pëlqente, sepse më dukej shumë e lëvizur. Kishte dhe një zakon të keq që u jepte shumë muhabet komshinjve meshkuj dhe kjo gjë gjithashtu nuk më pëlqente. Me të nuk shkova mirë asnjë ditë. Zihej kot me mua, sepse sado që nuk e pëlqeja, unë kurrë nuk e kam kundërshtuar pa vend. I flisja kur u jepte muhabet meshkujve të tjerë për gjëra që i përkisnin familjes sonë; i flisja kur vishte veshje shumë të hapura; i flisja kur nuk përkujdesej për djalin e saj, pra për nipin tim. Isha si një nënë për të. Ajo si ma shpërblente? Duke më ofenduar dhe duke më dhunuar. Po, gjërat kaluan deri në dhunë në familjen tonë dhe unë nuk flisja vetëm që djali me nusen të mos ziheshin, të mos ndaheshin dhe të tjerët të thoshin se faji ishte i imi.

Por gjërat u acaruan shumë një ditë. Nga një e goditur me pëllëmbë ndaj meje kur djali nuk ishte në shtëpi, gjërat u thelluan akoma më shumë. Kishte gatuar gjellë me patate dhe i kishte hedhur shumë kripë. Unë hëngra pak dhe e lashë. Nuk i thashë gjë, por as që kisha ndërmend të haja gjellë aq të kripur. Por pashë që mori djalin në krahë dhe po e ushqente me atë gjellë. Aty i thashë të vërtetën dhe iu luta të mos e ushqente me atë gjë, sepse ai ishte i vogël dhe nuk mund ta përballonte dot aq ushqim të kripur. Mund të sëmurej. Ajo ngriti zërin ndaj meje, la djalin në karrige dhe mori shkopin e fshesës.

“Mua do më japësh mend ti për çfarë bëj me fëmijën tim? Ty që asnjë nuk të donte dhe na ngece neve në derë?” – më tha dhe më qëlloi në shpinë me shkop.

M’u rënd shumë ajo që më tha, më shumë nga goditjet e saj të vazhdueshme që dukeshin sikur nuk kishin mbarim. Vazhdonte të më qëllonte, derisa më goditi pas koke dhe unë humba ndjenjat. Kur u përmenda pashë fytyrën e djalit tim që më pyeti se si kisha rënë aq rëndë? Kaloi pak kohë sa mora veten dhe e kuptova që ajo e kishte gënjyer sikur unë isha rrëzuar. Nuk mund të vazhdoja më ashtu. I thashë të vërtetën djalit tim që e mori të shoqen në dhomën e tyre dhe nuk e di se çfarë diskutuan. Djali doli nga shtëpia gjithë nerva, kurse nusja më pa në sy nga krevati i saj dhe më tha.

“Ia bëra të qartë që nëse më lë, nuk do ta shikojë kurrë djalin e tij. Kështu që do zhdukesh ti nga shtëpia dhe s’dua të të shikoj më me sy”.

Ditët në vazhdim nuk dua as që t’i kujtoj. Telefonova djemtë për t’u shpjeguar se çfarë kishte ndodhur. Në fillim u dukën të gatshëm të më mbanin në shtëpitë e tyre, por siç duket, pasi e bisedonin me gratë e tyre, më refuzonin. Njëri që jeton në Itali as që ma hapi telefonin kur e telefonova për herë të dytë. Një tjetër që jeton në Gjermani ma tha hapur që nusja e tij nuk më donte brenda, sepse i takonte djalit të vogël të më mbante. Djali që jeton në Tiranë më tha të shkoja në azil me pensionin që merrja.

Këta ishin djemtë e mi, që unë i rrita dhe i shkollova me 100 sakrifica. Unë tani e vendosa fatin tim. Jetoj në një azil pleqsh vetëm për të mos qenë më e dhunuar nga nusja ime. Kam dy vite këtu. Në këto dy vite djemtë e mi kanë ardhur për të më takuar dhe i kam dëbuar. Ku ishin ata kur unë kisha më shumë nevojë? Donin ta shihnin mamanë të vdekur që të reflektonin? Mos i lashë gjë në rrugë unë ata kur u vdiq i ati dhe m’u desh t’i rrisja e vetme? Apo tani që u bënë me familjet e tyre e harruan mamanë?

Unë nuk kam dashur kurrë t’i mallkoj, se nuk ka mallkim më të madh se ai i një nëne të zhgënjyer nga fëmija i saj, por unë e di që lart ka një Zot që shikon gjithçka dhe ka për t’i dhënë secilit aq sa meriton. Falenderoj vajzën që pastron këtu në azilin tonë që më shkroi këtë histori timen, si edhe ju lexues. Dua t’ju jap dhe një mesazh sidomos nënave: Mendoni dhe për veten tuaj se nuk i dihet se si ju vjen pleqëria!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.