Mes luftës për jetën dhe shpirtit që më dha shpresë

Gazeta Paloma - - Histori Personale -

Përpos kësaj lufte për jetën, shpirti më jepte sinjale shprese për të qenë mrekullisht e lumtur. Kush do ta mendonte vallë që një e shtrirë në shtratin e vdekjes të zgjaste duart për të përqafuar lumturinë?! Nuk isha veçse një makth i frikshëm, e ngurtë dhe pa jetë...por e besoni dot? Pas shijes së hidhur të kimioterapive të gjata, insistoja me atë pak forcë që më kish mbetur të gjeja një sup për t’u mbështetur dhe një zemër për të jetuar. Edhe pse e rraskapitur sa më s’ka, gjeja forcë brenda vetes për t’u ringritur... E gjithë dhimbja e depozituar në të shkuarën u bë burim force për mua. Mrekullitë ekzistojnë brenda nesh...në forcën për t’u ringritur si trup dhe shpirt mbi hijet e të shkuarës së dhimbshme. Shumëkush ia del të triumfojë mbi të keqen, ashtu sikurse po ia dal dhe vetë pa aleatë favorizues. S’dua as ta imagjinoj si mund të fitojë dikush tjetër lumturinë nëse zotëron armët sipas tendencës së kohës (jo gjithçka blihet me para). Jetën na e dhuron Zoti dhe vetëm atij i detyrohemi! Duke i dhënë vetes respekt, besim dhe kurajë për rrugën që kam zgjedhur, apeloj afirmimin e të jetuarit pa ankth dhe iluzione. Nuk jemi njësoj, vuajtja ka shumë emra, por dhimbja mbetet unike. E vetmja pasaportë për të arritur në finishin e lumturisë së vërtetë është të kesh ndërgjegje të pastër dhe të sfidosh ngjirjen e ulërimave nga imazhe të zhubravitura në arkivin e së djeshmes. Buzëqeshu sfidave bardhë e zi, për të shijuar atë që ke sot se dhe e nesërmja do jetë më mirë!

Mrekulli të jesh e lumtur dhe njeriu e gëzon këtë të drejtë. Aspiron të lumturohet në mënyrën më të kënaqshme. Disa vetëkënaqen me imazhin e sajuar të lumturisë që “noton” mbi luks, makina të shtrenjta, udhëtime me kosto të majme, pushime në vende tipike të paeksploruara, gardërobë veshjesh elegante të klasit të lartë etj. etj. Por, gjithmonë ka një por... Intuita e memories të shpie në dilemë.

Boll më! Jeta është e shkurtër dhe s’kemi kohë t’u nënshtrohemi rregullave precize për shumëllojshmëri frike. Ajo na surprizon me të papritura jo të këndshme. E nëse ke kuptuar thelbin pikant të jetës, atëherë ke filluar të jetosh! Stop kësaj panorame me shkarravina dhe imazhe abstrakte! Çdo gjë është e qartë si drita e diellit. Lumturia nuk është ngritja e një dollie, as ndjeshmëria e një shpirti kloun që nëpërkëmb të tjerët, as imazhi i një kalaje të stolisur me mozaikë të kristaltë, as paradë prezantimi të heronjve që vetëflijohen pas çikërrimave të një lumturie false. Të jesh e lumtur është sfidë më vete, që fillon me vizionin e ringritjes së besimit, i cili të ushqen me impulse për të jetuar. Ah sikur ta dinit sa sfida kam kaluar unë për mbijetesë dhe lumturi! Sa herë jam rrëzuar dhe kam qarë nga lëndimet, aq herë jam ringritur dhe kam buzëqeshur sërish. Në çdo situatë të dhimbshme që më ka ofruar jeta, ndiqja instinktivisht shpirtin që më orientonte të braktisja hezitimet. “Do të jem a s’do të jem”; “Do të fitoj a do të humb” pa u fshehur aspak pas iluzionit se “çdo gjë rregullohet vetë”. Eh sikur ta dinit sa fort kam luftuar me kthetrat e përbindëshit që hyri mizorisht në trupin tim për të kolonizuar terren dhimbjeje të tmerrshme që lëshonte shtat çdo ditë. E ku ka më bukur se të jetosh e lirë në trupin tënd! Pa censurën e të drejtës për t’iu gëzuar jetës duke shijuar rrezet e diellit të lumturisë pas reve të përkohshme; duke buzëqeshur me mimikën e këndshme të fytyrës dhe shpirtit; duke sfiduar mëdyshjen e brengosjes! Sa keq që në rastin tim ky status u ndrydh! Ashtu si më vinte të gajasesha së qeshuri me gjithë shpirt, po aq më vinte të ulërija deri në kupë të qiellit...teksa ecja e përhumbur nën vështrimin e kalimtarëve të njohur që hamendësonin me gjasa: “Është a s’është më pas kësaj goditjeje agresive që i dha jeta?” Por aq më bënte, s’doja t’ia dija për asgjë, as për duelin e gjakosur të kacafytjes për mbijetesë, as për kllapinë e dhimbjes në shpirt. Rrëmbeva sensin e kurajës për të mos jetuar e frikësuar nga vdekja, por të vdes me esencën e gëzimit që kam jetuar duke pranuar riskun e fatit që ka vendosur Zoti për mua.

Vallë ekziston lumturia në dhomëzat e fshehta të shpirtit? Mundet të jetë i lumtur ai që ka gjithçka, por nuk ka asgjë në shpirtin e dalldisur! Përse të tejngopurit janë të dehur në kërcimin e koreografisë së një lumturie false? Nga ana tjetër, të mjerit njeri, edhe pse me barkun bosh, i buzëqesh ëmbël isoja e shpirtit të pasur. Mos vallë quhet lumturi të veshësh maska të hekurta prej të forti duke u shtirur si i lumtur?

Drita Loka

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.