Ndëshkova motrën duke shkuar me të dashurin e saj

Gazeta Paloma - - Histori -

Përshëndetje të dashur lexues të gazetës “Paloma”! Kam vendosur të shkruaj edhe unë një histori nga jeta ime, pjesën më të vështirë dhe më të turpshme të jetës time. Është shumë e dhimbshme për mua ta shkruaj këtë histori. Bën fjalë për një periudhë të errët dhe të vështirë të jetës time, nga e cila nuk kam dalë ende sot e kësaj dite. Unë jam një vajzë nga Tirana dhe nuk do jap më shumë të dhëna pasi nuk do të doja për asnjë arsye në botë të identifikohesha. Tashmë jam në një moshë më të pjekur dhe adoleshencën e kam lënë pas, bashkë me të kam lënë pas edhe një pjesë të zemrës. Unë kam një motër ose më saktë kam pasur një motër, pasi prej gjashtë vitesh nuk kam më asnjë kontakt me të. Më ka mohuar! Por nuk i vë faj, edhe unë do të kisha bërë të njëjtën gjë me të, nëse ajo do të ishte sjellë siç u solla unë. Nëse do të kishte shkuar ajo me të dashurin tim... Më vjen ndot nga vetja kur e kujtoj atë që kam bërë, por në këtë histori, e cila është edhe një mesazh faljeje, do të tregoj gjithçka për atë periudhë të errët të jetës time, ku nuk komandohesha nga truri dhe zemra, por droga që kisha në gjak...

Historia ime nisi në kohën e gjimnazit. Është historia e një jete dhe e një familjeje të shkatërruar, që do të më peshojë gjithmonë mbi supe. Që në atë kohë u ndesha me zellin e shoqërisë për të më çuar në rrugë të mbrapshta, të cilin nuk e kundërshtova pasi isha aq naive sa nuk e kuptoja se ku po shkoja. Më pëlqente ideja që isha mes miqve të rinj. Më dukej vetja e rritur se po provoja gjëra të ndaluara, që më bënin të dukesha moderne. Shfrytëzoja lirinë që më jepte familja dhe e përdorja për të fundosur veten time. Ka pasur momente kur i kam fajësuar prindërit, të cilët ranë pas punëve, në përpjekje për të më siguruar mua dhe motrës një jetë më të mirë dhe nuk më ndaluan ndërsa merrja drejtimin e gabuar. Që kur isha 15 vjeç fillova të njihja drogën, e cila u bë shkatërruesja e jetës time. Njoha gjithë dimensionet e errëta ku të çonte ajo. Jo vetëm dimensionin e largët ku të çonte, jo vetëm përjetimin fizik dhe shpirtëror, por edhe tjetërsimin që të bënte si njeri.

Unë që dikur kisha qenë një vajzë me parime e morale, i shikoja të gjitha këto si gjëra pa vlerë. Humba veten time dhe krijova një identitet të ri. U shndërrova në një njeri të paqëndrueshëm, të dhënë kokë e këmbë pas drogës dhe të gatshme për të bërë gjithçka për ta pasur atë. Fillimisht më mjaftonin paratë që më jepte familja, por më pas ato dukeshin thërrmija në krahasim me nevojat e mia.

Kështu nisi edhe jeta ime e shthurrur, ndërrimi i dashnorëve, kalimi nga një rreth shoqëror tek tjetri dhe më besoni që më vjen turp të tregoj se me ç’njerëz shoqërohesha. Niveli i njerëzve që më rrethonin është pak të thuash i ulët. Kisha përqark veç njerëz të pamoralshëm. Me turp e them sot se e tillë isha bërë edhe unë. Kishte dhe nga ata që më ftuan të prostituoja, por nuk e mbaj mend as vetë arsyen pse nuk pranova. Më duket se më mjaftonte një dashnor që të më mbante me aq lekë sa kisha nevojë dhe nuk doja më shumë. Të tillë kisha mundësi të gjeja.

Erdhi dita që familja ime, e shtyrë edhe nga njerëzit, e vuri re dhe e pranoi atë që po ndodhte me mua. U përpoqën të më frenonin, por ishte shumë vonë. Në këto kohë nisën edhe ikjet e mia nga shtëpia. Nuk e kisha për gjë të mos shfaqesha për ditë të tëra në shtëpi dhe prindërit më kërkonin tek gjithë të njohurit e miqtë. Të njëjtën gjë bënte edhe motra ime. Në këtë kohë nisi thyerja mes nesh. Ajo përpiqej të më ndalte dhe unë e urreja për këtë. E urreja që nuk arrinte të më kuptonte, por bëhej palë me prindërit. E urreja që shkonte tek prindërit sa herë që mendonte se unë po bëja ndonjë gjë të keqe. E urreja që nuk më dilte asnjëherë në krahë kur ata më qortonin. E urreja mbi të gjitha sepse bënte sikur ishte më e mirë se unë, sepse e mbante veten për njeri me moral dhe me parime, sepse donte të më bënte që të ndihesha keq për atë që isha dhe ia arrinte kësaj. Kështu mendoja në atë kohë, sepse tani mendoj krejt ndryshe. Tani mendoj se motra ime kishte të drejtë për atë të që thoshte dhe bënte. Por isha e pazonja që të kuptoja të mirën nga e keqja.

Në kohën kur unë kaloja nga një mashkull tek tjetri, motra ime kishte një lidhje me një djalë. Ishin bashkë prej disa vitesh. Ishin në dijeni edhe familjet. I dashuri i motrës ishte nga këta djemtë e urtë që shihnin punën e tyre, që i përkushtoheshin studimeve dhe punës. E tillë ishte edhe motra ime. Të dy dukeshin se kishin gjetur njëritjetrin. I dashuri i motrës shpesh i tërhiqte vëmendjen asaj që të mos tregohej shumë e ashpër me mua. Ia thoshte këtë edhe në syrin tim dhe përpiqej t’i qetësonte grindjet mes nesh kur ishte edhe ai i pranishëm.

Një ide diabolike më lindi në kokë, vetëm e vetëm për t’u hakmarrë ndaj motrës time që më dilte kundër për çdo gjë. Përfitova nga sjellja dashamirëse e të dashurit të motrës dhe u afrova shumë me të. Ishte gjithçka pjesë e planit tim. Meshkujt që më pëlqenin mua nuk kishin lidhje fare me të. Megjithatë, unë e vendosa se për t’i treguar motrës se isha më e zonja se ajo do të merrja të dashurin e saj. Kuptohet se asnjë femër nuk e ka të vështirë ta bëjë një gjë të tillë, mjafton të ekzistojë vullneti. Nuk mund ta gjykoj as atë djalë që u dorëzua.

Herën e parë që e afrova për ta puthur m’u shmang dhe më tha të mos e bëja më një gjë të tillë sepse ai donte motrën time dhe e kishte seriozisht me të. Më premtoi se ime motër nuk do të merrte vesh për këtë episod. Por unë nuk u ndala. Vazhdova ta provokoja sa herë që më jepej mundësia. Dhe në fund, kur i ofrova një përvojë që nuk e kishte provuar kurrë më parë dhe që nuk mund ta provonte me motrën time, ai u dorëzua. I thashë se ishte një fiksim për mua dhe ime motër nuk do të merrte vesh asgjë nga çfarë do të ndodhte.

Shkova me të dashurin e motrës time me qëllimin e vetëm që ta bëja motrën të ndihej keq. Në një nga ditët kur ajo më bënte moral se nuk duhej të shoqërohesha me meshkuj më të mëdhenj se vetja, që e kishin mendjen vetëm tek seksi, iu ktheva dhe i thashë se unë të paktën e dija se me kë rrija, por ajo ishte e mjerë sepse nuk e dinte. I tregova se i dashuri i saj e kishte mendjen te seksi, edhe pse ajo nuk e dinte.

I dashuri i saj e pranoi se unë i kisha thënë të vërtetën. I kërkoi të falur dhe iu lut që të vazhdonin lidhjen e tyre, por ime motër nuk pranoi. Të gjitha këto veprime i bëja ndërsa isha nën efektin e drogës. Nuk dua ta justifikoj veten sot, por kjo që po ju them është e vërtetë. Të gjithë ata që e kanë provuar se çfarë të bën droga e dinë se po them të vërtetën. Motra ime u lëndua shumë prej kësaj. E di se vuajti shumë dhe nuk pranoi kurrë të më falte, as kur unë i premtova se do të ndryshoja. Më fajësoi se i kisha shkatërruar jetën dhe e di se ka të drejtë. Nëse do të mund të kthehesha pas, do të korrigjoja çdo gjë, por të gjithë e dimë se kjo është e pamundur.

Motra iu lut prindërve që ta çonin jashtë shtetit me shkollë dhe ata ia plotësuan dëshirën. E di se e bëri këtë vetëm për t’u larguar nga unë. Kam shumë vite që nuk flas me të. I kam kërkuar falje disa herë dhe jam përpjekur disa herë ta takoj, por duket se ajo është e vendosur të mos ketë të bëjë më kurrë me mua.

Mund të them se i jam rikthyer jetës normale, falë përpjekjeve të prindërve të mi. po ashtu ime motër ka qenë motivi kryesor që më bëri të përpiqesha për të lënë pas krahëve të gjitha veset.

Nuk do të rresht kurrë së shpresuari dhe së provuari që të pajtohem me të dhe të jemi sërish motra si dikur. Ajo është njeriu më i shtrenjtë për mua. Do të kisha dashur të mos e lëndoja kurrë. Nëse ajo e lexon këtë shkrim dua t’i kërkoj të falur dhe t’i them se jam gati të bëj çdo gjë që ajo të më pranojë sërish. E di se nuk është e lehtë, por të më besojë se as unë nuk e kam të lehtë ta fal veten dhe as të pranoj faktin se motra më ka mohuar.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.