Më mohoi të bëhesha babai i fëmijës së saj

Gazeta Paloma - - Histori -

Përshëndetje të gjithëve! Doja të ndaja me ju një histori personale dhe mirëpres mendimet tuaja, qofshin negative ose pozitive. Jam A., 24 vjeç. Para disa muajsh njoha një vajzë moshatare me mua, nga i njëjti qytet. Vajza në fjalë kishte qenë e martuar prej 4 vjetësh dhe kishte një djalë 2 vjeç. Sa ishte e martuar kishte jetuar në Itali dhe pas divorcit ishte kthyer dhe vazhdonte jetën këtu. Vazhduam të flisnim të dilnim për kafe. U lidhëm shumë me njëri-tjetrin, saqë mund të thosha sikur kisha vite që e kisha njohur. Ajo u nda nga burri për shkak të grindjeve të shumta dhe dhunës. E pranova siç ishte me fëmijë, nuk më interesonte. I dhurova dashurinë, respektin, sinqeritetin më të pastër, sepse e dija ç’kishte kaluar dhe s’doja që asaj t’i rikthehej në kokë historia e mëparshme. Ndihej mirë me mua, shumë e sigurt sepse arrita t’ia vërtetoja dhe sigurinë time duke e ditur që kishte një fëmijë. E prezantova me familjen time. Ishte zgjedhja ime, ndaj familja nuk mund të ndërhynte sepse e kisha bërë zgjedhjen dhe ishte ajo femër që më bëri të lumtur me dashurinë e saj, ngrohtësinë, sigurinë ...

Kaloi kohë. Unë nuk rrija një sekondë pa të. Normal që kisha edhe unë të metat e mia, që ishin ato xhelozitë; çdokush mund të këtë xhelozi për dikë që e do seriozisht. Kur nisa me skena xhelozie më thoshte: “Mos bëj kështu, mos kujto se po tallem me ty”. Unë mora vendimin për të qenë të dy dhe për të jetuar bashkë me çunin, edhe pse mund të më kujtonte mua historinë e mëparshme të saj, por unë kurrë nuk ia përmenda. Megjithatë, gjëja më e vogël që ndodhte midis nesh, vajzës i dukej super e tmerrshme.

Një ditë më tha: “Shiko se kam për të të thënë diçka, sepse as unë nuk kam qenë kështu, s’e di as vetë pse kam ndryshuar, por dua të rrimë ca ditë pa folur në telefon dhe pa u takuar. E kam të nevojshme këtë gjë të qetësohem”. Dhe unë ia ktheva: “Si do të rrimë pa folur, pa u takuar? Më thuaj të vërtetën çfarë ke? Pse ndryshove kështu? Çfarë të mundon?”. E me pak mundim arrita t’i nxirrja këto fjali: “Unë po e vuaj akoma ndarjen e parë. Nga kjo gjë s’jam e qetë. Sa herë jam vetëm në shtëpi, ai më vjen në mendje. Kur kam plagë që s’janë shëruar, s’mund të vazhdoj dot përpara. Dua të qëndroj vetëm...”. Atëherë i thashë se ajo po më kërkonte ndarjen. Për të mos më lënduar mua, një herë thoshte po, njëherë thoshte jo, edhe vetë nuk dinte t’i jepte drejtim. Një ditë më tha se do t’i vinte e motra dhe nuk donte të flisnim disa ditë në telefon. “Më jep kohë të reflektoj sepse as vetë nuk e di çfarë dua më në jetë”,- më tha.

Që prej asaj dite, kanë kaluar 10 ditë pa folur dhe pa e takuar. Nuk kam marrë ende një përgjigje nga ajo. Një herë e motra kishte parë mesazhet e mia dhe ia kishte treguar edhe burrit të saj. Ai e kishte marrë në telefon, e kishte pyetur për mua dhe i kishte thënë të mos nxitohej sepse ishte djegur një herë.

Me pak fjalë, që prej asaj dite, ajo ndryshoi. Ajo tani ikën në Itali sepse ka letrat andej dhe s’do që t’i humbë. Kishim shumë plane që kurrë nuk arritëm t’i realizonin. Betohem me gjithë shpirt që e doja dhe kurrë në jetën time nuk jam tallur me ndonjë femër. Kurrë, pavarësisht rrethanave, dhe përsëri dola i keq. S’e di ku kam gabuar që po më sillet çdo gjë së prapthi. Arrij të jap jetën për dikë, edhe nëse dashurohem me ndonjë të paaftë, me probleme fizike, prapë do ta dua. Nuk më intereson. Kam dhënë shumë e s’kam marrë asgjë nga dikush. Kurrë s’e kam shijuar atë dashurinë dhe pastërtinë e dikujt. Jam njeri që e vuaj shumë sepse e nis me gjithë shpirt një dashuri sepse dua vërtet të kem në krahë dikë për gjithë jetën.. Faleminderit të gjithëve që i kushtuat vëmendje historisë sime. Edhe nëse marr komente negative, s’ka gjë. Fundi fare, çdokush mund të këtë kaluar vështirësi në jetë dhe ai ose ajo që ka vuajtur e kupton më mirë ç’do të thotë të japësh e mos të të kthehet ajo dashuri e pastër. S’e di kush do të jetë ajo femër që do të më dojë tamam. Faleminderit gazetës “Paloma” dhe lexuesve të saj! Me respekt, A.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.