KUR TJETRI MBETET MË I RËNDËSISHËM SE VETJA

Gazeta Paloma - - Histori -

Bëhu mbështetës dhe jo fëmijën!

Të rriturit pranë fëmijës të mos “numërojnë” ato që fëmija nuk di apo bën “gabim”, pasi është e vërtetë që ato janë më shumë se ato që mëson. Të rriturit të përpiqen të vënë në dukje arritjet e fëmijës dhe gjërat e reja që mëson çdo ditë. Vetëm kështu do të jenë të vlefshëm dhe të dobishëm, përndryshe do të jenë një pengesë më shumë në rrugën e vështirë të rritjes së fëmijës. Nëse të rriturit do të numëronin mosarritjet e tyre siç bëjnë me fëmijët, nuk do të kishin kurajën të shikonin njeri në sy. Prindër, mësues, bëhuni mbështetës të fëmijës dhe jo pengesa për ta. Besoj që edhe ju vetë, ashtu dëshironi të jeni, mbështetje për fëmijën.

mbetet më i se vetja

Dialogu me të rriturin fuqizon besimin te fëmija dhe, falë tij, fëmija e ka më të lehtë të aktivizojë potencialin drejt autorealizimit. Kur dialogu zhvillohet nëpërmjet gjykimit dhe krahasimit, fëmija bëhet konfuz dhe e pushton pasiguria, e cila ushqen frikën në mënyrë të habitshme. Për pasojë, dija, rritja dhe vetëdija, kthehen në vuajtje, e cila pushton shpirtin dhe nuk lë vend për gëzimin dhe habinë e të gjeturit. Kështu, me shumë gjasa, do të instalohet dilema po vuan apo po jeton dhe tjetri mbetet më i rëndësishëm se vetja.

Mekanizmat

Germat dhe numrat, dy shenjat që njeriu krijoi për të shprehur atë që mendon, për të ruajtur atë që di dhe për të zbuluar që nga vetja e deri tek universi, mësohen në shkollë, pra në fëmijëri. Germat dhe numrat janë të lidhur ngushtësisht dhe shprehin e tregojnë cilësinë e nivelit gjuhësor. Sa më me kujdes të rriturit dhe sidomos mësuesit t’i drejtojnë fëmijët që të arrijnë zhdërvjelltësinë e përdorimi të tyre, për të krijuar fjalë e më pas mendimin, aq më të aftë bëhen fëmijët me rritjen, për t’i përdorur me efikasitet për veten dhe shoqërinë. Këto mekanizma gjuhësore që e kanë shpëtuar njeriun nga harresa dhe e kanë çuar njeriun në hapësirë duhen marrë shumë seriozisht. Pikërisht për këtë arsye njeriu krijoi e ndërtoi shkollën, vendi ku njeriu mëson të organizojë mendimin, ta shprehë atë me fjalë sa më të sakta, si me të shkruar edhe me të folur. Pra, është detyrë e shkollës që të ndihmojë fëmijën si t’i përdorë shenjat që ka krijuar për të treguar kush ka qenë, ku është dhe ku kërkon të shkojë.

“S’ke turp, si sillesh kështu!” “Më turpërove në sy të të tjerëve”. “Kjo është turp”. “Turp të kesh që flet kështu!” Shprehje të tilla i rrituri i “derdh lumë” në drejtim të fëmijës, pa marrë parasysh moshën e fëmijës dhe pa menduar se çfarë efekti shkaktojnë te fëmija këto shprehje. Të gjithë e dimë sa fjalë dhe ndjenjë e rëndë është dhe kur dikush na drejtohet me këtë fjalë “turp”, gati humbim dhe kontrollin dhe mund të shkojmë në ekstrem me personin që e artikuloi këtë fjalë. Dhe për çudi, këtë fjalë e përdorim te fëmijët pa kursim. Do të ishte mirë që kjo fjalë të hiqej nga fjalori i komunikimit me fëmijët, pasi ushqen e mban gjallë më shumë të keqen sesa “ndreq” ndonjë gjë. Strategjia e edukimit duhet të jetë e tillë që të shmangë pikërisht ndjenjën e turpit te fëmijët. Veprimet e fëmijës nuk janë ende të qëllimshme që të fyejë të rriturin apo të bëjë keq me vetëdije. Fëmija imiton veprimet e të rriturve që është në kontakt dhe për më tepër do të zbulojë se cili është veprimi apo fjala e duhur. Ai, fëmija, përdor “arsenalin” e fjalëve që ka mbledhur nga të rriturit. Nëse të rriturit sillen siç pretendojnë nga fëmija, atëherë nuk ka vend për këtë fjalë. Nëse fëmija është i shoqëruar dhe i rrethuar nga të rritur të përgjegjshëm, që zgjedhin fjalët dhe veprimet si me veten, në komunikimin me njëri- tjetrin, ashtu edhe me fëmijën, kjo fjalë bëhet e panevojshme dhe për pasojë, ndjenja e turpit nuk ka më shkak të kultivohet dhe të kthehet në një makth që nuk zhduket për gjithë jetën. Përpiquni prindër, edukatorë e mësues, që fëmijëve mos t’u kultivoni këtë ndjenjë kaq të rëndë, që bën më shumë dëm sesa mirë, edhe pse nuk është aspak e lehtë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.