Çfarë ndodh nëse një person nuk lë testament?

Gazeta Paloma - - Histori -

Avokat, ju uroj shëndet! Ju shqetësoj pasi kam një problem për të cilin persona të ndryshëm më kanë dhënë përgjigje të ndryshme. Dëshiroj të aplikoj për shtetësi të një shteti që nuk lejon dyshtetësi. Për këtë, më duhet të heq dorë nga shtetësia shqiptare. Unë jam interesuar dhe më kanë thënë që, edhe pse i kam të gjitha dokumentet, nuk heq dot dorë nga shtetësia shqiptare pasi nuk kam një dokument nga shteti tjetër që më thotë se do të më japë shtetësinë. Tani si funksionon pasi mua më duket pak paradoks. Kur duhet të marr dokumente nga shteti tjetër?

- Përshëndetje i nderuar ! Shpresoj të keni menduar mirë vendimin tuaj për të hequr dorë nga shtetësia shqiptare. Ky është vetëm një veprim normal, pasi shtetësia nuk përcakton karakterin e një personi dhe as nuk shuan lidhjet që personi ka me vendlindjen dhe me bashkëkombësit e tij. Thënë kjo, më duhet t’ju konfirmoj se ju nevojitet vërtet një dokument i cili shpreh premtimin e shtetit tjetër për t’ju dhënë shtetësinë sapo të hiqni dorë nga ajo shqiptare ose një dokument shtetësie origjinal, në rastin kur shteti tjetër jua ka dhënë shtetësinë, me kushtin që të hiqni dorë nga ajo shqiptare. Për të marrë këtë dokument, ju duhet të drejtoheni tek organi kompetent i shtetit tjetër. Ky organ mund të jetë i ndryshëm në shtete të ndryshme.

Çfarë ndodh nëse një person nuk lë testament?

Gazeta “Paloma”, urime për rubrikën e avokatit! Ju shkruaj pasi kërkoj një këshillë. Im atë është shumë i sëmurë dhe nuk lëviz dot nga krevati. Për këtë arsye, nuk shkon dot të noteri për të bërë një testament. Unë dëshiroj të informohem për procedurën. A duhet patjetër të lërë testament babai? Çfarë ndodh nëse nuk arrij dot të gjej një noter që të shkojë të babai im në kohë? Kam dëgjuar se noterët marrin shumë lekë kur shkojnë nëpër shtëpi.

-Përshëndetje e nderuar zonjë! Ju bëj me dije se testamenti është një shprehje e vullnetit të personit, i cili ekzekutohet pasi personi ka ndërruar jetë. Testamenti në asnjë rast nuk është i detyrueshëm. Në rast se dikush nuk dëshiron të lërë testament, nuk ka mundësi për arsye të ndryshme, pas vdekjes së tij, çelet trashëgimia ligjore. Kjo do të thotë se pasuritë e të ndjerit, si edhe detyrimet që ai ka pasur ndaj të tjerëve, nuk shuhen me vdekjen e tij, por transferohen te trashëgimtarët që ai ka lënë pas. Nëse me testament, babai juaj mund të vendosë se cilën pjesë të pasurisë t’ia lërë njërit trashëgim- tar e cilën trashëgimtarit tjetër, me trashëgimi ligjore çdo gjë ndahet në mënyrë të barabartë. Për këtë arsye, mos u shqetësoni nëse babai nuk arrin të lërë një testament.

A ka të drejtë bashkia të më prishë aktivitetin?

Gazeta “Paloma”, po ju shkruaj për të shprehur një shqetësim. Jam banor i Tiranës dhe me shumë rregullsi, paguaj të gjitha detyrimet që duhen pranë Bashkisë Tiranë. Kam edhe disa biznese të vogla ambulante për të cilat paguaj detyrimet që më takojnë. Para një viti, kam marrë një leje për të vendosur kioskën time pranë një vendi në Tiranë, ku shisja gazeta, kancelerike e ushqime të vogla të paketuara. Ka tri ditë që më vijnë vërdallë punonjësit e bashkisë e më thonë që duhet të iki nga ai vend pasi do të bëjnë punime. A mund të më heqin nga vendi im? Theksoj se kam marrë leje të rregullt e paguaj çdo gjë që më kanë kërkuar, përfshirë edhe qokat që m’i kërkojnë pa turp fare.

-Përshëndetje zotëri! Problemi që ju përmendni në letrën tuaj është një problem që e hasim çdo ditë. Herë-herë është e pamundur të lëvizet në trotuar për shkak të hapësirave publike të zëna në mënyrë abuzive e herë- herë është një skenë e pështirë ajo kur punonjësit e bashkisë i tërheqin zvarrë ambulantët për t’i lëvizur nga vendi i tyre. Sa i përket rastit tuaj, më vjen keq t’ju them se, bazuar në rregulloren për zënien e hapësirës publike, në rast se në atë vend do të kryhen punime, punonjësit e bashkisë kanë të drejtë t’ju lajmërojnë 15 ditë përpara në mënyrë që ju të merrni masa për heqjen e aktivitetit tuaj nga ajo pjesë. Ajo që ju duhet të bëni është të interesoheni pranë bashkisë për të marrë një leje në një vend tjetër për aktivitetin tuaj.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.