Fallxhoret

Gazeta Paloma - - Argëtim -

Të nderuara mikesha, ju përshëndes përzemërsisht! Ju përshëndes juve që lexoni artikullin tim çdo javë këtu te “Paloma”! Ju përshëndes edhe juve që, për shkak të punëve, fëmijëve, burrave, mirëmbajtjes së shtëpisë, nuk keni kohë as të shikoni lajmet e jo më të blini gazetën e të shtunës. Si keni qenë? Me ndryshimet atmosferike, po na ndryshon dhe neve humori. Kur është diell, ankohemi për vapën, kur është shi ankohemi për të ftohtin. Shkurt, ankohemi sido të jetë moti.

A keni shkuar ndonjëherë në fallxhore? E di që është një pyetje të cilës do t’i përgjigjeni me indinjatë, do bëni sikur e dënoni fallin, është mëkat, haram, nuk besoni etj. Por kot e keni, e di shumë mirë se, në mos të gjitha ju, një pjesë e konsiderueshme kanë shkuar të paktën një herë te një fallxhore. Për këtë dëshiroj të shkruaj sot. Jo për veten time, pasi sinqerisht jam aq shumë e ngarkuar në punë e në shtëpi sa nuk më del koha të shkoj te ndonjë fallxhore e mirëfilltë e të harxhoj një orë duke pritur radhën që të shoh një filxhan ose letrat e bixhozit për më pak se 10 minuta. Problemi qëndron te shoqja ime e punës. Është një vajzë e re, e cila akoma nuk e ka filluar jetën. Pak rëndësi ka se si ka filluar punë, nuk ka njeri që nuk e ka një mik a një shok që ta ndihmojë me një vend pune sot, unë e di që është një njeri i mirë e, me pak eksperiencë, do të jetë një profesioniste e zonja. Ajo e shkreta nuk blen dot bukën pa parë fall. Është fiksuar komplet dhe ka një grua tek e cila beson, që po e shtrydh nga lekët deri në pikën e fundit.

Kafen e mëngjesit e pimë turke të shkretat ne. Nuk mundemi të pimë ekspres te lokali i punës çdo mëngjes. E di që shumë prej jush, sidomos ato që më kanë ndjekur prej kohësh, e dinë që unë nuk jam ndonjë kursimtare e madhe. Por kohët kanë ndryshuar dhe tani nuk më del më rroga për të harxhuar për vogëlsirat e mia. Dhe siç po thosha, e pimë kafen e mëngjesit turke. Nuk ka ditë që ajo mos ta kthejë filxhanin përmbys e të shohë llumin që i thahet. Ka filluar i dallon edhe vetë shenjat e filxhanit, aq shumë ka shkuar tek ajo fallxhorja mashtruese.

Pas kafes së mëngjesit, fillon leximi i horoskopit në disa vende që e kanë shumë të saktë parashikimin, sipas shoqes sime. E di që ju mendoni se ne nuk punojmë fare në institucionin ku jam unë, por le të themi që sado rregull e disiplinë të vendoset në një vend, nëse punonjësit janë të punësuar me mik, prapë njësoj do ta dredhin zinxhirin. Kështu edhe neve. Lexojmë horoskopin ose, më saktë, e lexon ajo në heshtje pasi ne të tjerat nuk kemi pikën e dëshirës që të dëgjojmë gjërat fantastike që do të na ndodhin, sasinë e madhe të lekëve që do na bjerë nga qielli e udhëtimet imagjin- are që do të bëjmë në fundjavë.

Mirë horoskopi që nuk na ndahet çdo ditë ose, më saktë, disa herë në ditë pasi lexojmë në disa vende, por na është bërë dhe Vera, kështu e ka emrin fallxhorja e punës, e përhershme në zyrë. Nuk kemi punë tjetër tani, duhet të durojmë Verën që vjen fiks në orarin e drekës, kur ne sapo kemi filluar të hamë drekën që kemi marrë me vete. Ajo pret që ta ftojmë, por nga gjithë gratë e zyrës, vetëm kjo e shkreta që është e fiksuar e fton të hajë e të pijë gjërat që ka marrë me vete. Vera e gënjen mirë e mirë me letra, i ha ushqimet, i merr edhe ndonjë të qerasur e ikën në qejf të saj. Sinqerisht, edhe divë Hollivudi të isha, nuk do të kisha një jetë që të ketë nevojë të shihet në fall çdo ditë.

Për mos të folur pastaj për Mozën, atë të filxhanit të kafesë që punon si profesioniste e pavarur. Fjalët e asaj dëgjohen si fjalët e Perëndisë nga ana e kësaj shoqes. Kjo farë mashtrueseje është një mesogrua e cila sheh filxhanin për 10 mijë lekë të vjetra. Mirë që mashtron pasi nuk ka gjetur asgjë deri tani, por të paktën të thotë fjalë të mira! Iu tek një herë që t’i thoshte që kishte një hasëm që i fillonte emri me N dhe kjo shoqja më shikonte mua gjithë dyshim, duke qenë se me N më fillon mua emri. Dhe me fjalën e Mozës as nuk fiton dot! Se ajo e sheh në filxhan, nuk ia fut kot.

Obobo, çfarë stresi moj shoqe! Kur do e kuptoni se fati nuk shikohet në filxhan, dorë, letra apo ku di unë se ku? Do të ndodhë ajo që do të ndodhë dhe ne duhet të luftojmë gjithmonë për më mirë. Nuk ka shprehje më të saktë sesa ajo që thotë se ç’do të mbjellësh, do të korrësh. Për këtë arsye, silluni siç e mendoni më mirë, mbani marrëdhënie korrekte e, nëse nuk jeni të kënaqura, vazhdoni përpjekjen tuaj. Nuk nxirrni asgjë nga falli, aq më pak fatin.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.