Të hesht dhe të vuaj, apo të flas dhe të vuajë gruaja?

Gazeta Paloma - - Histori -

Unë që po shkruaj këtë histori jam një burrë 40 vjeç, i martuar e me dy fëmijë. Vendosa të shkruaj në këtë gazetë një histori të pabesueshme që më ka ndodhur. Është e çuditshme se si janë bërë njerëzit në këto ditë që jetojmë, nuk pyesin për njeri, madje as për familjen e tyre. Janë gati t’ua shkatërrojnë jetën të tjerëve e të mos mbajnë fare përgjegjësi për pasojat që mund të sjellin veprimet që bëjnë.

Kohët e fundit jam përballur me shumë situata të ngjashme. Më duket sikur janë shtuar njerëzit që mund të të bëjnë keq, mund të të dëmtojnë dhe të mos e kenë fare problem kur tjetri vuan. Kam lexuar në gazetë edhe shumë histori që më bindin për këtë realitet të hidhur që jetojmë.

Sot është bërë e pamundur t’u zësh besë njerëzve të afërt, njerëzve të familjes. Për më larg as që bëhet fjalë për besim. Mua më ndodhi një ngjarje e frikshme, që mund të më kishte shkatërruar të ardhmen time dhe të familjes. Tani ndodhem në një udhëkryq dhe nuk di se si të veproj. Ndoshta për këtë arsye po e shkruaj historinë time, që të më jepni një mendim edhe ju.

Jam martuar para 10 vjetësh me dashuri. Pas një lidhjeje 5-vjeçare (bashkë me fejesën), vendosa të lidhja jetën përgjithmonë me vajzën, që është tashmë bashkëshortja ime. Ajo është e mrekullueshme. Është shumë e dashur dhe bën shumë për njerëzit. Ndoshta kjo është cilësia që më ka tërhequr më shumë dhe më ka bërë që ta dua pafundësisht. Por kam kuptuar se njeriu nuk duhet të tregohet naiv e të besojë çdo gjë. Jo gjithmonë të tjerët na i kthejnë me të njëjtën monedhë.

A. kishte një motër 2 vjet më të madhe. Në kohën e njohjes sonë ajo studionte jashtë vendit. Kur u kthye për pushime në Shqipëri, A. ma prezantoi menjëherë. Ajo është e para që kam njohur nga familja e A-së, përpara se të vendosnim për të ardhmen e familjes sonë. E kam takuar rrallë motrën e saj për shkak të distancës. Edhe kur mbaroi shkollën, motra e A-së gjeti punë, u martua dhe vazhdoi të jetonte jashtë vendit. Kam shkuar gjithmonë mirë me të, megjithëse nuk kishim shumë konfidencë me njëri-tjetrin. Ajo vinte në Shqipëri vetëm për festa apo për pushimet e verës.

Pas martesës sime me A-në shkuam edhe ne në shtëpinë e saj (jashtë vendit) për ta takuar. Atje u afruam më shumë sepse patëm mundësi të rrinim më gjatë e të bisedonim për shumë gjëra. Më dukej njeri pozitiv. Ishte njeri i hapur e pa komplekse.

Kështu kalonin vitet dhe motra e A-së ishte bërë si një njeri i familjes edhe për mua. Prandaj nuk e prisja sjelljen e saj, që për mua ka qenë shokuese. Çdo gjë ndodhi për festat e fundvitit. Ajo erdhi për të festuar në Shqipëri bashkë me familjen e saj, bashkëshortin dhe dy fëmijët. Gruaja ime ishte shumë e lumtur sa herë që i vinte e motra dhe ia kushtonte asaj pothuajse gjithë kohën.

E shikoja që motra e A-së ishte më e dashur me mua, i pëlqente të bisedonim bashkë, por kurrë nuk kam menduar se mund të kishte qëllime pas kësaj sjelljeje. Në datën 1 janar gruaja e ftoi për darkë në shtëpinë tonë. Që kur erdhi nuk m’u duk normale veshja e saj. Kishte veshur një fustan të ekzagjeruar, megjithatë nuk e mora mundimin ta komentoja as me bashkëshorten time. Fundja, ajo ishte mësuar me një jetë ndryshe nga ajo që bënim ne dhe ndoshta për të ajo veshje ishte normale.

Vura re që gjatë darkës më drejtohej përgjithësisht mua dhe sikur i injoronte të tjerët. Një moment u ndjeva në siklet. Po bisedonim për një temë të caktuar, për të cilën unë dhe bashkëshorti i saj kishim mendime të ndryshme. Ajo hyri në bisedë dhe i tha të shoqit se nuk merrte vesh nga tema që po flisnim dhe u pozicionua në krahun tim. Nuk u ndjeva mirë. U tregua disi arrogante me të shoqin, prandaj u detyrova ta zbusja qëndrimin tim.

Pasi mbaruam darkën i mbajtëm të flinin në shtëpinë tonë. Ata nuk kanë shtëpi në Shqipëri dhe kur vijnë qëndrojnë në shtëpinë e prindërve të gruas sime. Meqë vajti vonë u thamë të rrinin nga ne. Burri i motrës së A-së e kishte lënë që të takohej të nesërmen në mëngjes me vëllain e tij, prandaj hezitoi që të rrinte nga ne, por e shoqja e bindi.

Atë natë u sajuam sepse shtëpia jonë nuk është shumë e madhe.

Kur u zgjova në mëngjes pashë që A. ishte ngritur me kohë. Ajo e kishte zakon që bënte pazarin herët, që ta kishte në dispozicion pjesën tjetër të ditës për të gatuar apo për t’u marrë me fëmijët sepse ato ditë ishin pushim. Po përtoja të çohesha, kur dëgjova hapa që po i afroheshin dhomës sime. Nuk kaloi shumë dhe u hap dera. Ishte motra e A-së. U ndjeva në siklet dhe nuk e di pse prisja që ajo të kërkonte ndjesë e të largohej pasi ishte vetëm me këmishë nate dhe unë po ashtu isha ende në shtrat. Përkundrazi, ajo hyri në dhomë duke buzëqeshur. I thashë se A. nuk ndodhej atje. Ajo më tha mirëmëngjesi dhe u afrua te shtrati. U ul në cepin e krevatit dhe më puthi në buzë.

Unë u shokova. Isha bllokuar e nuk po flisja dot. U ngrita menjëherë dhe i thashë se duhej të largohej nga dhoma ime. Ajo më tha se e kishte vënë re mënyrën se si e shikoja, jo vetëm një mbrëmje më parë, por edhe herë të tjera. Kjo nuk ishte aspak e vërtetë. Unë nuk kisha pasur kurrë asnjë qëllim ndaj saj. Që kur kam njohur gruan time nuk kam menduar kurrë për ndonjë femër tjetër. I thashë se gabohej dhe duhej të largohej. Kur e pashë se ajo lëvizte me përtesë, dola nga dhoma dhe u futa në banjë. Nuk doja të isha vetëm me kunatën në një ambient. Ndihesha keq. U vesha me nxitim dhe u nisa të dilja nga shtëpia. Ajo më foli: “Po i the A-së do ta mohoj”.

Nuk dija si të veproja. Nga njëra anë e dija se duhej të tregohesha i sinqertë me gruan time sepse përndryshe nuk do ta kisha ndërgjegjen të qetë dhe nga ana tjetër nuk doja që të isha unë shkaktari i një konflikti mes dy motrave. Të them të drejtën, për një çast kisha edhe merakun se mos gruaja ime nuk do të më besonte. Nga njëra anë do të ishte fjala ime, që jam bashkëshorti i saj dhe nga ana tjetër do të ishte fjala e motrës së saj.

U ktheva në shtëpi në drekë. Aty ishte gruaja dhe fëmijët. Prita të shikoja ndonjë shenjë që më tregonte se ç’mund të kishte ndodhur pas ikjes sime, por asgjë. Ajo ditë shkoi normalisht, ashtu sikurse edhe e nesërmja.

Në datën 5 motra e saj do të kthehej në vendin ku jetonte, prandaj ne duhej të shkonim ta takonim. I thashë gruas se nuk ndihesha mirë e nuk doja të dilja. Në thelb nuk doja të përballesha me kunatën. Nuk e dija se si mund të reagonte ajo. A m’u lut që ta shoqëroja sepse nuk do të qëndronim gjatë. Përfundimisht shkuam familjarisht te shtëpia e prindërve të A-së për t’u përshën- detur me motrën e saj, e cila do të nisej të nesërmen. Nuk e prisja reagimin e saj. Ajo u soll sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Madje akoma më keq, më jepte muhabet e më buzëqeshte. Edhe me gruan time bënte si dashamirëse. E shikoja dhe nuk u besoja syve se si ishte e mundur që ai njeri që dy ditë më parë ishte përpjekur të hynte mes nesh bënte sikur të ishte njeriu më i dashur në botë.

Mua nuk më bëhej t’i flisja fare. I përgjigjesha ftohtë derisa ajo më pyeti: Çfarë ke që nuk po na e var sot? Ndërhyri A, e cila i tha se isha pa qejf e kisha shkuar vetëm për t’u përshëndetur me të. Asaj sikur iu bë qejfi. Në fakt unë kisha shkuar për t’i bërë qejfin gruas sime dhe si me të qeshur ia thashë këtë. Ajo bëri sikur nuk kuptoi gjë.

Të nesërmen ajo ishte nisur dhe sapo kishte mbërritur në shtëpinë e saj i kishte telefonuar gruas. Mesa kuptoja, ajo donte të sigurohej që unë nuk i kisha treguar gjë A-së. Kisha merak që t’i thosha, sepse nuk e dija se si do të shkonin gjërat më pas. Kisha frikë nga reagimi i A-së, edhe pse unë nuk kisha bërë asgjë.

Ndoshta me kalimin e ditëve do ta largoj këtë ndjesi që më ka pushtuar e më bën të ndihem në faj, kur unë e di që nuk kam bërë asnjë gabim. Ju lutem më thoni si të veproj. Çfarë të bëj? A duhet t’i tregoj bashkëshortes?

Në pritje të sugjerimeve tuaja!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.