A ia vlen ta mbaj kollovarin në shtëpinë time?

Gazeta Paloma - - Front Page - Dërgoni pyetje me mesazh në cel: 068 27 66 166 ose e-mail: gazetapaloma@gmail.com Një personazh shumë i njohur i skenës dhe i ekranit u përgjigjet pyetjeve tuaja

Mister X, a mendon qeveria për ata që flenë me kartonë rrugëve? Apo për ata që dalin për të lypur dhe njerëzit i përbuzin nëpër lokale? Përgjigje: Çfarë pyetjeje! Ka radhë puna. Qeveria mendon për milionerët, këta të tjerët e kanë zgjidhur punën. Mund të lypin. Mister X, a beson te ligji i tërheqjes? Është e vërtetë që ne tërheqim rreth vetes ato gjëra dhe ata persona që duam të kemi në jetën tonë? Përgjigje: Po, besoj te ky ligj. Ka njerëz që janë magnet për të thithur çdo problem që ka ky shekull. Mister X, sa mirë më vjen që më në fund disa faqe nisën të shpërndanin edhe foto të emigrantëve! Të tërë na e mendojnë jetesën si fushë me lule këtej, por ato fotot tregojnë të vërtetën. Ne punojmë fort dhe bëjmë punë nga më të ndryshmet vetëm për të vënë pasurinë, për të cilën kemi ardhur jashtë shtetit, larg familjeve tona. Mendon se ato foto e kanë ndryshuar atë konceptin e rehatisë së emigrantëve që ekziston në Shqipëri? Desada. Përgjigje: Emigrantët janë shqiptarët më punëtorë. Sikur këtu në Shqipëri të punonim sa gjysma e emigrantëve, ky vend do të ishte Zvicër dhe sot do të priste emigrantë nga Lindja e Mesme dhe Afrika. Më mirë që kemi qëlluar dembelë apo jo? Mister X, a është normale që një mashkull 24 vjeç të jetë i virgjër? E kam shok dhe ndonjëherë çuditem me këtë fakt. Theksoj se nuk është gay, sepse është lidhur me vajza, thjesht nuk kanë zgjatur aq sa gjërat të shkojnë deri në shtrat. Ermali. Përgjigje: Ngjasin pa tregohen. Shoku yt është pak i vonuar. Por më mirë vonë se kurrë. Do të ketë shumë përpara. Mister X, mendon se një person mund të ndryshojë shumë në jetë nëse ia vendos si qëllim vetes? Sepse unë përherë kam menduar që thellë-thellë njeriu nuk ndryshon dot. Nëse lind i mirë, nuk bëhet dot kurrsesi i keq, por kam një shoqe që pësoi një zhgënjim në dashuri dhe ka ndryshuar totalisht si njeri. Nuk e njoh më. Është bërë e ftohtë me të gjithë, por refuzoj të besoj se një njeri mund të ndryshojë aq shumë. Fjoralba. Përgjigje: Njeriu ndryshon gjithë jetën. Duke u rritur dhe duke ndryshuar. Ka disa njerëz në fakt që nuk ndryshojnë dhe për ta vlen pyetja: Si ia bëjnë që jetojnë me veten? Mister X, duket sikur situata në familjen time nuk do të ndryshojë ndonjëherë. Vjehrra nuk më lë rehat një minutë. Më ngacmon për çdo gjë, edhe pse e bëj çdo gjë me rregull. Burri më dhunon sa herë që nuk i jap lekë të luajë në kazino. Asnjëri nga të dy nuk merret me fëmijët që rrinë të frikësuar nga dhuna në familje. Të lutem, më ndihmo me një këshillë. Çfarë të bëj? Anonim, ju lutem! Përgjigje: Rusët kanë një shprehje: nuk e kap plumbi atë që fati i ka rezervuar litarin. Nuk di çfarë të paska rezervuar fati ty: plumbin (vjehrrën) apo litarin (burrin bixhozçi). Më vjen keq që i ke të dyja. Shpresoj të rriten shpejt fëmijët dhe të ndryshojë fati yt. Mister X, cili profesion ka të ardhme në shoqërinë tonë? Me cilin profesion e ke sigurinë që mund të gjesh një punë në të ardhmen? Dua të sigurohem që kam hedhur degët e duhura në formularin e maturantëve. Të falënderoj paraprakisht! Mirjeta. Përgjigje: Punë, punë dhe vetëm punë. Nuk njoh askënd që del nga shtëpia në 7:00 të mëngjesit, punon 15 orë dhe të mos jetë bërë milioner. Zanatet ndryshojnë. Shumë punë do t’i marrë roboti në 10 vitet e ardhshme. Ndaj duhet nxituar me punën. Mister X, sa vlerë mendon se ka jetesa vetëm për një person? Kam dëgjuar që çdo i ri duhet të përpiqet të jetojë për pak kohë vetëm që të njohë veten. Sa e vërtetë është kjo gjë? Eglis. Përgjigje: Shumë e vërtetë. Jetesa vetëm të bën të kuptosh nevojën e një familjeje dhe një shoqërie të mirë.

f Mister X, çfarë mendon për rastet e dështimit të sistemit mjekësor në vendin tonë? Cili është shkaku, mungesa e përgatitjes nga ana e mjekut apo fakti që ne shkojmë në spital kur ndihemi shumë keq dhe as mjekësia nuk na merr dot përsipër të na shërojë? Me respekt, Engjëllushja.

Përgjigje: Shëndetësia nuk rregullohet me urdhër të peshkut dhe aq më tepër me tendera për privatin. Sot jeton më shumë ai që ka xhepin e thellë. Reformat në shëndetësi janë të vështira. Amerika nuk po ia del dot. Që të rregullohet shëndetësia, përveç lekëve që mungojnë, duhen edhe menaxherët e duhur dhe gjykatësi që të ndëshkojë ata që abuzojnë. Neve na mungojnë për momentin të tria: paratë, menaxheri dhe gjykatësi. Ndoshta Vettingu do të bëjë punë, por pas 5 vitesh. Mister X, po si nuk ka një mashkull të kulturuar? E dimë që shumica shkollën e marrin me lekë. Mirë që për shkollën nuk kanë njohuri, por nuk kanë as kulturë të jenë pak xhentilë me vajzat. Sillen në kafene si të paedukatë. A do ndryshojë ndonjëherë kjo situatë? Se mua më duket sikur nuk ka dritë në fund të tunelit. Armela. Përgjigje: Ndërro shoqëri dhe hiq dorë nga përgjithësimet. Nuk janë të gjithë meshkujt si këta që përshkruan ti dhe as gjithë vajzat si Armela. Gjej njeriun e duhur. Për të njohur një njeri duhet të hash me të 10 kilogram kripë (e kam fjalën për kripën që hidhet në gjellë). Mister X, a mundet që një person homoseksual të ndryshojë orientim seksual dhe të bëhet heteroseksual? Unë jam heteroseksuale, por kam një shoqe lesbike dhe ma ka thënë të vërtetën e saj, pasi këmbëngula shumë të ma thoshte. Tani ajo pohon se nuk ka më ndjenja për femrat dhe do të vazhdojë në të ardhmen me meshkujt dhe unë e kam mbështetur plotësisht për këtë gjë, por më duket pak e pamundur. A mendon se mund të ndryshohet orientimi seksual kështu papritur? Të përshëndes, Fiorela. Përgjigje: I besoj rastit që ti thua. Edhe literatura, edhe google këtë thonë. I nderuar Mister X, kam rënë në dashuri me kushërirën time. Nuk e dija që e kisha kushërirë, pasi kisha vite pa e takuar. Nuk kishim shumë hyrje- dalje si familje me ta, por në një dasmë që kishim në gusht, mua më pëlqeu dhe i kërkova Instagramin. Folëm shpesh në ditët më vonë, derisa me terezi e pyeta babin për të dhe më tha që ishte vajza e xhaxhait tim që jetonte prej vitesh në Greqi dhe që unë nuk e kisha ditur. Nuk e di çfarë të bëj tani, sepse ajo thotë se më pëlqen, edhe pse e di që jemi kushërinj. Si ta bëj të kuptojë se kjo gjë është e gabuar dhe nuk duhet të vazhdojë më tej? Përgjigje: Albert Ajnshtajn, kur u martua për herë të dytë, mori kushërirën e parë. Presidenti amerikan Rusvelt u martua me kushërirën e tretë. Shpresoj që ti ke rënë në dashuri me kushërirën e katërt! Mister X, kaq mungesë kontrolli ka për ushqimet në Shqipëri? Kam parë këtë javë të publikohen në rrjetet sociale shumë raste të produkteve ushqimore të skaduara. Madje më ka rastisur edhe vetë të shkoj në disa supermarkete të Tiranës dhe të më ofrojnë produkte që kanë ditë që kanë skaduar dhe m’i kanë ofruar me gjysmën e çmimit. A funksionon AKU te ne? Me respekt, Redjola. Përgjigje: AKU nuk funksion, por tregu fshatar po. Po ashtu supermarketet në vendet fqinje janë hapur 24 orë. Mund të shkosh në Kosovë nëse jeton në veri ose në Ohër nëse jeton në juglindje. Mos bli në supermarketet që merr informacion që kanë mall të keq. Më mirë vuaj nga uria. AKU do të bëhet kur të mos shesim votën për një thes miell. Mister X, si ka mundësi që në ditët e sotme nuk po vlerësohet arti i vërtetë, por po quhet pornografia art? Më vjen inat ndonjëherë që disa këngë të bukura, disa emisione edukative, apo vepra të ndryshme arti nuk vlerësohen dhe nga ana tjetër marrin vëmendje poezi si “Vrima”, fotot thuajse nudo të Kim Kardashian etj. Çfarë po ndodh kështu? Ta shpif ky realiteti i shoqërisë dixhitale e të avancuar, apo jo? Përgjigje: Art sot quhet çdo gjë që sjell para. Ka ndryshuar përkufizimi i artit. Përderisa pranojmë ekonominë e tregut duhet të përtypemi dhe të mos bëjmë shumë naze për “gjërat” që ka në treg. Kur të vlerësojmë tregun e ideve atëherë do të kthehet edhe shija për artin që ti përmend. Mister X, Jam Xhesi nga Tirana, 22 vjeç dhe kam një vajzë 9 muajshe. Bashkëjetoj me tim shoq dhe me nënën time te shtëpia e nënës, meqë ishte vetëm. Burri ka filluar të mos na respektojë as mua dhe as nënën time. Unë e dëbova nga shtëpia. I thashë se nuk e dua më. U zu keq me mamin tim dhe s’është hera e parë. 100 herë ia kam falur për hir të vajzës, por s’mbajti më kupa. A kam vepruar mirë? Ajo nënë ka vuajtur shumë për mua dhe s’e meriton një zhgënjim nga unë. Të lutem më thuaj, a ia vlen ta mbaj kollovarin se i tillë quhet në shtëpinë time? Të përshëndes! Përgjigje: Ke bërë shumë mirë. Tani rezisto ndaj qaravitjeve të tij dhe hapja prapë derën kur të bindesh se do të jetë bërë pulë. Mister X, duke vajtur çdo ditë te shkolla me fëmijët rastësisht dëgjova mësueset duke iu ankuar prindit në sy të të tjerëve. Prindi turpërohet nga ky gjest por sërish nuk i kundërpërgjigjet për shkak të statusit që ajo ka. Është kjo një ankesë e denjë për të trokitur në drejtori? Gjithmonë me respekt për ju nga lexuesja e rregullt. Përgjigje: Patjetër. Mësues të tillë nuk meritojnë të punojnë si mësues. Radha për t’u zëvendësuar është e gjatë. Mister X, isha në Stamboll për disa muaj në një vend pune. Kishte rregull në gjithçka. Vij në Shqipëri dhe nuk respektohen as vijat e bardha. Kur do bëhet një herë Shqipëria si bota jashtë i nderuar? Klajdi. Përgjigje: Kur të qethen viçat. Mister X, përse nuk lexohet një libër në Shqipëri, në vend që të përdoret smartphone-i? M. Përgjigje: Nuk e di për ty, por unë lexoj një libër në javë. Dhe më pëlqejnë shumë. Edhe miqtë e mi lexojnë shumë. Kur e ke lexuar ti librin e fundit? Përshëndetje Mister X! Jam kurioze të di, pse vallë i shajnë aq shumë lushnjarët e shkretë? Kudo në rrjetet sociale sheh komente me tallje për ta. Pse vallë? Denisa. Përgjigje: Autoironia është shenjë e shëndetshme. Lushnjarët janë njerëzit më të mirë që kam njohur. Miqtë më të mirë me të cilët më ka lidhur puna janë nga Lushnja. Njerëzit për të cilët më merr malli janë nga Lushnja. Rrjetet sociale janë si kolektorët e ujërave të zeza... Mister X, çfarë do të mendoje nëse partnerja jote nuk do të të linte t’ia prekje celularin, apo të shikoje me cilët persona komunikonte në rrjetet sociale? A nuk do të mendoje që të tradhton me dikë tjetër dhe nuk do të donte që ti ta zbuloje duke kontrolluar celularin e saj? Theksoj që kjo situatë po më ndodh edhe mua dhe unë nuk kam refuzuar ndonjëherë që ajo të kontrollojë celularin apo mesazhet e mia. Dyshoj se mund të ketë diçka në sjelljen e saj, diçka që nuk do të ma thotë. Besard. Përgjigje: Besard, ka gjëra që janë të tuat dhe ka gjëra që janë të asaj. Celulari nuk është i yti. Mëso pak kufijtë e tu dhe respekto kufijtë e tjetrit. Vetëm për shkak të mosrespektimit të kufijve bota ka bërë 3 luftëra botërore, apo dy? Nuk po i kujtoj mirë tani.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.