Edhe ata kanë shpirt, njësoj si ne…

Gazeta Paloma - - Koktej -

Meqë koha është e zymtë, vjeshta ka nisur të lërë gjurmët e para, flokët po na bien pak më shumë… na duket sikur gjithçka po shkon gri. A keni pasur këto ditë të njëjtën ndjesi? Nëse po, qenkeni njerëz pesimistë! Unë mendoj se dielli nuk gjendet vetëm në hapësirë, por lum të gjithë ata që e kanë brenda vetes. Nga njerëz të tillë të jeni të sigurt se kurrë nuk ju gjen gjë e keqe. Janë të gjerë në zemër dhe përpiquni t’i kopjoni sa më shumë. Po ju listoj disa karakteristika, që të kontrolloni, t’i gjeni dhe t’i mbani pranë vetes: ata flasin me zë të butë, përdorin fjalë të zgjedhura dhe me etikë, ata ndihmojnë pa interes, ata qajnë edhe nga një film, ata qeshin fort pa komplekse, ata nuk paragjykojnë, ata duan gjithçka që ka shpirt… edhe kafshët, shumë i duan.

E dini ku qëndron ndryshimi mes nesh (humanëve) dhe atyre ( shtazorëve)? E keni mësuar vite më parë, por gjithsesi po jua rifreskoj unë memorien: kafshët nuk komunikojnë dot verbalisht, vetëm kaq. Uaaa, çfarë ju thashë, ë? Po pse, ne që komunikojmë e ndritëm fare, apo jo? Pastaj, kush tha që fjala është më e rëndësishme se gjuha e trupit? Ne, kur biem në dashuri, themi: Sa mirë, merremi vesh pa fjalë! Mos është një plus i madh për kafshët dhe minus për ne? Jo! Do të përqendrohem për mos t’ju bërë lëmsh! Nisur nga ngjarja makabre e disa ditëve më parë, ajo e 15 – vjeçarit që masakroi në mënyrë të tmerrshme qenushin e gjorë, kam disa fjalë për ju të nderuar.

Ju drejtohem në emër të të gjithë atyre që derdhën lot, sepse e njohin dashurinë e vërtetë dhe e vlerësojnë atë që kafshët i dhurojnë çdo ditë njëra – tjetrës, atë që na dhurojnë edhe neve. Po si guxon ai djalë, i rritur në një familje shqiptare, pikërisht në moshë të adoleshencës, të ushtrojë dhunë në këto përmasa? Po çfarë i bëri qeni atij qeni e bir qeni, që e pati hak atë fat? Po pse e nxjerr gjithë inatin te një krijesë e pafajshme? Në kaq vite evoluim është turp, por duhet ta pranojmë se shoqëria njerëzore po ecën përpara me hapa të ngadaltë. Teknologjia na ka lënë targën se ne nuk e ndjekim dot nga pas, kaq të zotët nuk bëhemi dot! Ne skllavërojmë një kafshë, e cila zbutet shumë më shpejt sesa ne. Neve na rrjedh ligësi në gjak, që është katërcipërisht e kundërta e ledhatimit me bisht, që na bën macja apo përkëdheljes me putër që na ofron qeni. Ne ngremë shoqata në mbrojtje të kafshëve, për ta diferencuar veten nga masa e për të përfituar nga ky atribut, jo për të edukuar masën.

Mendoni për një çast: ai fëmijë nuk është rastësisht i tillë! Dhuna prodhon dhunë dhe ai detyrimisht me këtë kulturë është rritur. Po nesër, a do ta bënte të njëjtën gjë me motrën, vëllanë, shokun e bankës? Patjetër që po! Nuk ka se si të bëjë diferencë, kur në fakt nuk ka ndonjë diferencë të madhe. Çdo krijesë ka shpirt, pavarësisht sesa pak ia njohim ne.

Ju lutem, shmangni paragjykimet! Mësojini fëmijët të duan gjithçka kanë rreth e rrotull. Mësoni fëmijët t’i mbajnë pranë kafshët, t’i njohin ato, të lexojnë për to, t’i kuptojnë. Në të kundërt, do të na duhet të kemi zili edhe njerëzit e shpellave, që dhanë e morën me kafshët, brenda një bashkëjetese të shkëlqyer. Kurrë nuk është vonë për të thënë: Ndal! Rasti i fundit nuk duhet të përsëritet, por kjo nuk vjen as nga ky editorial, as me një ditë reflektim, sepse patjetër që kërkon kohë. Nëse është e nevojshme, të merren edhe masa të rrepta ligjore, sepse mesa duket “frika e ruan vreshtin”!

Ne shpresojmë gjithsesi, shpresojmë të na bashkoheni, duke pranuar me mendje të hapur se ata janë njësoj si ne, edhe ata kanë shpirt! Ndaj, mos i lëndoni!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.