Abhaas Mehta: “Jam stereotipizuar si personazh negativ”

Gazeta Paloma - - Koktej -

Aktori i talentuar Abhaas Mehta është i njohur për rolin e tij negativ në “Si ta quaj këtë dashuri”, Brahmarakshas. Që pas këtij roli aktori tregon se nuk ka më asnjë ofertë për një personazh pozitiv.

“Mendoj se më kanë stereotipizuar si një aktor që mund të bëj vetëm role negative. Nuk kam më asnjë kërkesë për audicion në role pozitive. Ngjitem në skenë me frikën se do të stereotipizohem, por mendoj se tashmë ka ndodhur diçka e tillë”.

Momentalisht aktori ka një rol tjetër të rëndësishëm, në telenovelën Anth Hi Aarambh Hai, si Shumbh. Ai tregon pak rreth punës së re. “Pasi filluan xhirimet, u përshtata menjëherë me rolin tim të ri. Isha i vendosur të sillja një varietet në diksion dhe tonalitet, sepse realisht zëri im nuk ka aspak djallëzi në të. Jam duke u rritur me karakterin tim dhe ende po mësoj. Nuk kam shumë dije rreth mitologjisë indiane, kështu që po mësoj shumë gjëra të reja. Për një aktor mitologjia është një punë e mirë, sepse të vë në provë shumë aftësi të tuat. Produksioni është i mrekullueshëm, kam dashur prej shumë kohësh që të punoj me ta. Nuk më pëlqen fakti që seti është në Mumbai, por përveç kësaj çdo gjë është e mrekullueshme”.

Abhaas mendon se të luajturit e një roli enigmatik është më sfidues. “Pjesa më e vështirë e të aktruarit të një karakteri negativ është se duhet t’i japësh personazhit tënd nuanca të ndryshme të grisë. Ideja është se duhet të realizosh një karakter të tillë që edhe pasi shfaqja të ketë mbaruar prej më shumë se 5 vitesh, njerëzit ende ta mbajnë mend. Mendoj se kjo është gjëja më sfiduese”.

Ndërsa për ta mbyllur, ai shton: “Unë dëshiroj vetëm që të realizoj role që më sfidojnë çdo ditë dhe deri tani ky është roli më i vështirë në karrierën time. Një personazh i mirë apo i keq, mendoj se çdo gjë është në lidhje me perspektivën”.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.