Shfrytëzoi vdekjen e vëllait për të më tradhtuar

Gazeta Paloma - - Histori -

Vendosa të ndaj edhe unë me ju, miqtë e mi, historinë time të trishtueshme, ndoshta pak ndryshe nga ato që kam lexuar deri sot në këtë gazetë. Ishte një ditë e zakonshme për mua, si gjithë të tjerat, një ditë e bukur qershori në qytetin grek të Rrethimnos, një ishull i bukur. Bëja një jetë normale me familjen time, prindërit, vëllezërit dhe motrat. Në atë kohë kisha edhe një të dashur, por pyetja që i bëja vazhdimisht vetes ishte nëse e dashuroja vërtet, pasi shpesh më dukej se nuk ndieja dashuri por thjesht përkushtim. Ajo punonte në qytetin pranë dhe unë shkoja shpesh e takoja.

Atë ditë të mallkuar qershori, unë do humbisja shumë gjëra, në radhë të parë vëllain tim që pësoi infarkt dhe u shtrua në spital me pak shpresa për të jetuar. Dhe më pas do humbisja edhe besimin jo vetëm në vete por gjithashtu te shokët dhe tek e dashura ime.

Pasi lashë punën atë ditë, vajta në shtëpi bëra një ban- jë. Më mori në telefon nipi 17 vjeç dhe më kujtoi se e ëma, motra ime, kishte ditëlindjen dhe që ta merrja në telefon. I thashë se do të kaloja nga shtëpia ta uroja përballë, pasi motra më ka qëndruar shumë pranë dhe e dua vërtet shumë.

Ishte ora 4- 5 pasdites e thashë të bëja një xhiro nga plazhi, të takoja shokët, të luaja ndonjë raketë se ishte shpejt për vizitë te motra. Shkova në plazh dhe pashë shokët që po luanin. Vendosa mos të futesha mes tyre, prandaj bleva një akullore dhe po qëndroja buzë detit duke parë.

Pas një ore më ra telefoni. Nuk e pashë kush ishte në telefon, por u dëgjua një zë i çuditshëm. Menjëherë e kuptova që diçka nuk shkonte mirë. Ishte gruaja e djalit të xhaxhait, më tha se kishte parë motrën time në rrugë dhe i kishte thënë se po shkonte për te vëllai im, por s’kishte ndaluar t’i shpjegonte se s’kishte kohë. Kuptova se diçka e keqe kishte ndodhur, vëllai ishte shofer në një kompani frutash dhe gjëja e parë që më kaloi në mendje ishte se mos ndoshta kishte bërë një aksident rrugës. I rashë telefonit të motrës, por ajo nuk u përgjigj. Mora motorin dhe u nisa drejt shtëpisë së vëllait. Më ra telefoni sërish dhe ishte vëllai tjetër, që më tha të shkoja në spital, pa më shpjeguar ç’kishte ndodhur. Kur arrita në spital, pashë motrën duke qarë. M’u hodh në qafë e më tha se vëllai kishte pësuar një atak zemre dhe hemorragji cerebrale dhe se kishte pak mundësi për të jetuar. Edhe pse thonë që shpresa vdes e fundit, pas këtyre që më tha motra, kuptova se nuk kishte më shpresa, pasi kisha parë shumë emisione dhe e dija që mundësitë ishte fare të vogla.

Nga spitali ku ndodhej u nisëm për në një tjetër, një spital më të specializuar aty pranë vendit ku punonte edhe e dashura ime. Pas 4-5 ditësh në koma, doktorët na thanë se nuk ka më shpresa për jetën e tij dhe se duhej të merrnim një vendim. Atë kohë, familja ime, prindërit e mi në Shqipëri, kaluan makthin më të keq në jetën e tyre. Kjo ishte hera e dytë që përballeshin me një dramë të tillë, pasi vite më parë kishin humbur një tjetër djalë në moshën 12 vjeç, një vëlla që ne fëmijët e tjerë nuk e njohëm kurrë pasi nuk kishim ardhur në jetë akoma. Lotët nuk më pushonin kur mendoja se si do kisha guxim t’ia çoja djalin nënës në një arkivol. A do ta gjeja dot guximin?

Pasi ramë dakord të gjithë në familje, në radhë të parë me gruan e vëllait e fëmijët, vendosëm t’i dhuronim organet e tij. Pasi e dërguam në Shqipëri dhe bëmë varrimin, mua m’u desh të qëndroja aty për të qenë pranë nënës dhe babait për mbështetje. Tërë këtë kohë e dashura ime më thoshte se i mungoja shumë dhe se mezi priste që unë të kthehesha. Kaluan 2 muaj në Shqipëri dhe më erdhi një mesazh prej saj, ku më thoshte se donte të ndahej pasi nuk vazhdon dot më ashtu. Për momentin u inatosa shumë, jo pse po ndahej prej meje, po që nuk kuptonte situatën time. Të paktën të kishte pak respekt për vëllain tim që më la në moshë kaq të re.

Pas d i sa d itësh nga ndarja, në Facebook ajo vuri disa foto me një djalë tjetër. Mësova se ata punonin në të njëjtin hotel bashkë dhe se kishin filluar një lidhje dashurie. Isha shumë i inatosur nga femra që më thoshte se më dashuronte dhe që donte të martohej me mua. Edhe pse unë e kam thënë edhe në fillim që nuk isha i sigurt për ndjenjat që kisha për të dhe nëse do të përfundonim bashkë dhe tani jam i lumtur që ndodhi kështu, inati nuk më linte. Doja të hakmerresha ndaj saj për mënyrën se si u soll me mua në situatën në të cilën ndodhesha. Unë desha një njeri pranë dhe jo një tradhti nga ana e saj. Edhe pse kanë kaluar 6 muaj, pak ditë me parë komunikoi me mua dhe më tha se e kishte lënë të dashurin dhe më bëri të kuptoja që donte të afrohej sërish me mua. I thashë që meqë po i flisja nuk do të thoshte që kisha ndjenja për të. Ajo filloi të më shpjegonte se kishte bërë gabim dhe se ajo lidhje që pati pas meje nuk ishte dashuri. Unë nuk e di nëse dashuria e saj isha unë, por për një gjë jam i sigurt: ka vetëm një dashuri në këtë botë dhe ajo është dashuria e nënës, e babit, e vëllait dhe motrës, pra me pak fjalë dashuria e familjes. Nëse do të dashurosh vërtet dikë, më parë fillo duke dashuruar ata që në të vërtetë të duan me pastërtinë më të madhe dhe që janë prindërit e tu. Kurse i dashuri apo e dashura juaj, sa mbaron dashuria fillojnë ironitë, urrejtjet dhe fyerjet. Ku shkoi dashuria e madhe në këtë rast?

Me vjen mirë që e ndava dhimbjen dhe mërzinë time me ju, të dashur miq.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.