KUR SHPRESA HUMBET KUPTIMIN

Gazeta Paloma - - Histori -

Thonë se rastësia është mbreti i botës, por në rastin tim fundi i gropës skëterrë në llum që me epsh përpin këdo rrotull saj. Në një sallë të madhe me mure të akullta, tejmbushur me njerëz hallexhinj, syri më pikasi panoramën më të trishtueshme të portreteve bardhë e zi, mjerisht në një sfond të venitur nga çehrja e zymtë gati- gati në mpiksje unike. Në fokus të kësaj tabloje në bojë të errët dalloja figura të pozicionuara në situatat më makabre... Dikush me këmbë të prerë ofshante mbi patericë, një tjetër kish varur mëngën e xhaketës në vend të dorës që i mungonte, një burrë shtatshkurtër lëvizte si ta orientonte bastuni që të mos pengohej, më tej një vajzë rreth të 25-ve, me flokë të gjatë e të drejtë, sikletosej për strukturën e cunguar të portretit të saj (me hundën të fashosur mbi plagën e operuar), më tej... më tej vetëm fytyra të rraskapitura si mos më keq. Për një çast humba në tisin e largët të një shikimi zhbirues ku telepatia të shfaq atë që ke në mendje. Tunda kokën në shenjë habie të përzier me etjen e brendshme që ziente e gulçonte në shpirt nga ky ankth mbytës nën çatinë e rëndomtë të kësaj ngrehine. Sërish me një tundje të lehtë të kokës pulita pakëz sytë si për të shkundur mbulesën e kësaj sofre pa ushqim dhe u afrova në profilin që kisha përballë. Ajo qëndronte e heshtur, gjunjëmbledhur në një stol të drunjtë, e përhumbur në mendime... Në flokët e shkurtra ngjyrëgështenjë spikasnin thinjat, edhe pse ishte ende e re, pa i mbushur të pesëdhjetat. Eca lehtë në mesin e njerëzve duke citur me mirësjellje një tunel kalimi e me një timbër të ulët: Ju lutem, mund të kaloj? Faleminderit! Në heshtje testova memorien si për t’u bindur në isha në makth apo realitet. Një zë i lartë theu heshtjen rraskapitëse: “Të paraqitet Drilona” dhe u dëgjua krisja e një dere që u mbyll me vrull. Drilona ngriti kokën ashtu instinktivisht. Fytyrëlodhur dhe e vrarë nga pesha e vuajtjeve, shtatgjatë dhe hollake, me sy të nxirë të futur në skutat e dëshpërimit, me duart që i dridheshin ritmikisht, me dhimbje dhe boshllëk për fizionominë e dëmtuar të feminitetit ku mortja e sëmundjes së ligë ia gllabëroi gjoksin. Në çast do shembej përtokë nëse nuk do ish mbështetur në supin e një zotërie babaxhan që nuk ia lëshonte për asnjë çast dorën. U gjenda e përfshirë në ëmbëlsinë e përqafimit me Drilonën që dikur respektohej nga të gjithë. Në të kaluarën e largët ish betuar të jetonte si mashkull. Madje aq pengesa kish kapërcyer sa të gjithë e thirrnin “burrneshë”. I kapa lehtë dorën duke i dhënë zemër në kauzën e drejtë të përfiti- mit të statusit të saj. Ashtu e mbledhur dhe strukur si një fëmijë, Drilona trokiti lehtë derën llustrafinë dhe hyri brenda. Unë ngrita kokën dhe lexova “Kempi epror”. Dikush foli nën zë: “Më kot presim, askush s’do t’ia dijë për ne”. Ktheva kokën, ish një burrë mbi të pesëdhjetat që mbante një mal me dokumente në një dosje kartoni: “Kam ardhur të kërkoj kempin që me të drejtë i takon gruas sime të operuar tri herë në gjoks dhe që lëngon çdo ditë e më shumë nga kthetrat e kancerit që hedh rrënjë e lulëzon në trupin e saj. Mos! Mjerë kujt i bie fatkeqësia! Vetëm tri vite mori kemp dhe atë të çrregullt, pa përcaktim grupi, thuajse lëmoshë, thuajse lëmoshë... E për t’i mbijetuar tmerrit të sëmundjes zhyteshim në borxhe për të marrë ilaçe. O Zot...”. Ndërsa ai fliste, i dridheshin buzët e thara dhe duart që shtrëngonin shpresën e fundit, tufën e shkresurinave. Më saktë stërlodhjen nga burokracia e trashëguar. I thekur si mos më keq në heshtjen e durimit, mimika e fytyrës së tij stepej në dilemën: Ekziston vallë një grimë humanizëm për ne? Mëdyshjen ia lexova në shikimin e ngulur te dera llustrafinë që hapej e mbyllej me arrogancë. Ngushëllohej me shpresën që kempi epror do t’ia kthente të drejtën e mohuar gruas së tij. Por jo, komisioni i doktorucëve hidhte vallen “Më jep të të jap”.

Turp, shumë turp! O Zot, përse i mban në këmbë përbindëshat me fytyra njerëzish pa shpirt? Çfarë zhgënjimi! I vetmi ekzekutiv që duhej të jepte shpresë fryhet deri në shpërthim në korrupsion e përbuzje, pa kokëçarje dhe mëshirë duke kërcyer në versionin e tij “S’ka ligj, por Maliq”. Të mjerët njerëz, të katandisur qosheve të një dhome që të zë frymën, të pangrënë e të mbështjellë nën petkun e dhimbjes pafund! Mes lotëve që i rrëshqisnin mbi faqe, me zërin që sa vinte e shuhej, Drilona belbëzoi: “Më thanë je e aftë për punë... Nuk e mora... dhe u shemb përdhe pa mbaruar fjalën”. Tmerr dhe ironi! O Zot, ngado t’i hedhësh sytë vetëm dhimbje shikon! Flasin nën zë me turfullimin e pakënaqësisë nga egoja e këtij sistemi të mbështjellë në hipokrizi dhe shtirje. Pandjeshmëria ka tejkaluar skajet. Ka humbur ndjenja humane. Mbizotëron paraja. Vështirë ta kuptojnë ç’është dhimbja pa e provuar nën lëkurë. O Zot, sado të durojmë masakrën e sëmundjes duhet të përballojmë dhe lakminë e etjes së tyre për para! Sa të mjerë janë! Me xhepat plot, por shpirtin bosh. Vetëkënaqen kur u vrasin edhe shpresën e fundit njerëzve të thjeshtë nevojtarë, por harrojnë këta “zotërinj” se në fund do marrin vetëm një grusht dhe’.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.