KUR PRINDI DHE FËMIJA BËHEN TË HUAJ PËR NJËRI - TJETRIN...

Gazeta Paloma - - Psikologji -

Si të pranosh e të duash vëllain apo motrën

Sjellja e shqetësuar e fëmijës së parë kur vjen fëmija i dytë nuk lidhet me moshën, por me dyshimin që ai ka se çfarë do të ndodhë me të. Një varg pyetjesh të cilat nuk ka kurajë t’i bëjë i vërtiten në mendje. Do ta duan më? Pse e bënë fëmijën e dytë, se nuk e duan më atë? Tani vëmendja nuk është vetëm për të, por ka ardhur ky i vogli dhe të gjithë janë të ekzaltuar pas tij. Nëna gjithë ditën rri me të voglin në dorë, madje fle afër tij, ndërsa fëmijës së parë i thotë: “Ti u rrite tani, ke shkuar në shkollë”. Madje i kërkon edhe ta ketë “xhan”. Në këto çaste të vështira për fëmijën e parë, nëna dhe babai duhet të jenë të vëmendshëm dhe të kenë shumë kujdes me fjalët që do të përdorin, pasi fëmija, edhe pse i rritur në raport me vëllanë apo motrën e vogël, është ende fëmijë. Mbase moshën mund ta ketë pesë, shtatë apo edhe dhjetë vjeç, por ai është ende fëmijë që ka nevojë për prindërit edhe për shumë kohë dhe ende nuk di të dojë apo të ndajë me të tjerët gjërat e tij, sidomos prindërit. Kjo vuajtje, sipas shkencëtarëve, zgjat minimumi tetë muaj, por me kushtin që prindërit dhe të rriturit pranë të jenë shumë të kujdesshëm. Këto vuajtje janë të shëndetshme, sepse i mësojnë fëmijës si të pranojë të tjerët, pasi edhe motra apo vëllai është një tjetër, edhe pse kanë të njëjtët prindër dhe janë pjesë e të njëjtës familje. Të mësosh të duash e të pranosh tjetrin kërkon kohë dhe shumë kujdes nga prindërit. Mësimi i të dashurit dhe të mirës për tjetrin fillon e mësohet e konkretizohet pikërisht kur bëhesh vëlla apo motër. Prindër, shpirti i fëmijës është shumë i brishtë, prandaj kujdes! Përpiquni, nëpërmjet butësisë, respektit dhe rregullit, t’i mësoni të mirën. Fëmija mëson dhe përvetëson fjalët, veprimet, deri tonin e zërit nga të rriturit me të cilët është në kontakt. I rrituri duhet të shmangë reagimin nga ndjesia, pra pa u menduar, sepse në të tilla raste, ai pa dashur e përdor fëmijën si mjet kënaqësie apo padurimi dhe zemërimi. Veprimet e të rriturit duhet të fuqizojnë themelet e psihës dhe të krijojnë mundësi për pasurimin e vazhdueshëm të sferës psikoemocionale të fëmijës. Veprimet e të rriturit duhet të ushqejnë te fëmija kurajën e përgjegjësinë dhe jo frikën e dyshimin. Mbi të gjitha ata duhet t’i mësojnë me insistim të mirën dhe respektin.

Kur prindi dhe fëmija bëhen të huaj për njëritjetrin

Fëmija ka nevojë për gjëra të vogla, siç është edhe vetë. E vetmja gjë e madhe që i duhet është dashuria e prindërve. Dashuria e tyre që i jep sigurinë dhe besimin për veten dhe jetën. Që nuk do të jetë vetëm, sepse ata e duan shumë dhe e kanë shumë të rëndësishëm. Do të jenë gjithmonë me të, sidomos kur të ketë vështirësi dhe nuk do të besojë te vetja. Këtë mesazh është mirë që prindërit t’ia transmetojnë fëmijës së tyre, pasi do të shmangnin shumë vuajtje dhe dyshime që shpesh i kanë bërë të huaj prindërit dhe fëmijët me njëri-tjetrin.

Të duash fëmijën nuk do të thotë t’i blesh rroba, makina, lodra apo t’i bësh një dhomë që prindit i duket e bukur. Kjo formë marrëdhënieje, që prindi pa dashur ndërton me fëmijën, është formë komerciale. Është sikur bën një kontratë: “Unë po të blej sendet, ti më lër rehat”. Me fëmijën nuk krijohen marrëdhënie kaq të përcipta. Marrëdhënia prind-fëmijë është marrëdhënie themel e njeriut me njeriun ku sendet kanë vlerë minimale. Të duash fëmijën do të thotë të jesh aty kur hedh hapin e parë. Ai, si atlasi, mban gjithë universin njerëzor mbi kurriz për të realizuar këtë veprim. Po aq energji, mbase edhe më shumë, i duhet për të artikuluar fjalën. Këto janë momente kyçe kur prindi duhet të jetë i pranishëm dhe të mbështesë fëmijën e tij. Këto momente fuqizojnë ose jo lidhjen mes tyre. Mbështetja, nxitja dhe durimi i prindërve janë edhe çelësi i suksesit të rritjes dhe edukimit. Edukimi nuk është urdhër, por akt dashurie e përgjegjësie. Është një proces i shtrirë në kohë për të cilin fëmija ka nevojë si për ajrin.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.