Nuk kemi shpëtim nga stresi

Gazeta Paloma - - Argëtim -

Përshëndetje të nderuara! Mirëmëngjesi! Mirëdita! Mirëmbrëma! Ah, ju që po më lexoni, tek ju do e qaj hallin tim! E çfarë halli kam? Fëmijët, sigurisht! Si gjithmonë, fëmijët. Tani janë rritur, janë në një moshë që nuk përmbahen fare as në shkollë e as në shtëpi. Me siguri që kush i ka fëmijët adoleshentë, e kupton problemin tim. Kanë mendjen e tyre, janë në një moshë që nuk pranojnë këshilla, nuk duan t’ia dinë fare për pasojat që vijnë nga veprimet e tyre dhe nuk ia kanë idenë e mirësjelljes apo ndjenjave të njerëzve që kanë përballë.

Nuk ankohem, i kam fëmijët e mirë dhe, deri dje, shumë po shumë të sjellshëm. Ndërsa sot, e shoh që çdo mendim i ndryshëm nga i tyri u duket komplet “kot”. Vështirësi e madhe është të edukosh fëmijë. T’i bësh, është kënaqësi. Hajde, edhe shtatzënia është një moment shumë i dashur për shumicën e femrave, hiq mënjanë të vjellat e peshën që shton. Ja, po fus edhe sikletin e lindjes që mamatë e shkreta copëtohen, çmenden e vuajnë për aq shumë orë. Por pastaj, vjen momenti i ëmbël i mbajtjes së fëmijës në krahë, kënaqësia kur i sheh të rriten, dashuria e madhe që na mbush zemrat kur i sheh që ecin, thonë fjalën e parë apo qeshin me aq sinqeritet. Sa më ka marrë malli për atë periudhë aq të bukur kur fëmijët ishin tërësisht të varur nga unë dhe nuk kthenin fjalën fare! Ndërsa tani nuk i njoh më. Kanë një fjalor të çuditshëm. Më është dashur të mësoj edhe zhargonet e ndryshme që të dukem si një mama e kohës, si një mami që merr vesh nga jeta dhe që nuk është një “plakë” si gjithë mamatë e tjera. Epo pikë e zezë! Unë jam akoma e re, nuk ka njeri gojë të më thotë plakë. Ama akoma diskutohet ky status i imi nga djali i madh. I rrëshqiti goja një herë e më thirri ashtu. Edhe mua më rrëshqiti dora dhe i vesha një dackë turinjve.

E si të mund të edukoj fëmijët e mi kur e gjithë shoqëria e tyre është ndryshe? Nuk mund të pretendoj që të gjitha familjet të jenë njësoj si e imja, me të mirat e të këqijat e saj. Nuk mund të pretendoj që të gjithë prindërit të kenë të njëjtin arsim, të kenë të njëjtat pretendime për fëmijët e tyre dhe të mendojnë si unë e si bashkëshorti im. Sidoqoftë, pretendoj që të kem mbështetjen e tyre kur vjen puna tek edukimi dhe normat e fëmijëve me të cilët shoqërohen të mitë.

Takova dje një grua të lagjes time, mamanë e një shoqes së klasës së djalit të madh. Me të i kam problemet kryesore se ai ka arritur adoleshencën. Të tjerët janë çërra akoma. Kjo zonja më tha që mezi ia heq telefonin nga dora të bijës. Nuk ulet të mësojë pa mbaruar gjithë muhabetet me vajzat e tjera të klasës. Dhe larg qoftë nëse guxon t’i thuash një fjalë të vetme! Të hidhet në fyt si ndonjë grua llafazane që zihet me gratë e lagjes. Çfarë tmerri! Çfarë familje të mirë që ka ajo vajzë e prapë shkallon në këtë moshë.

E si të mos shkallojë? Që kur janë të vegjël, fëmijët mësohen me telefona në dorë, me tableta, me televizor pasi gjasme kështu rrinë urtë e nuk bezdisin njeri. E çfarë shohin në këto mjete elektronike? Dje isha në shtëpi në orën 16:00 dhe hapa televizorin te një film që m’u duk normal. Nuk e kisha parë ndonjëherë dhe nuk po ia vija shumë veshin në fakt pasi po merresha me punët e shtëpisë. Kthej kokën dhe të tre djemtë ishin duke parë televizor me gojën hapur. E çfarë të shikoja moj shoqeni? Skena seksi, të pacensuruara fare në pikë të drekës, në mes të filmit. Normale që nuk ndiheshin çunat e mi! Ua hoqa kanalin direkt dhe e çova në një film aksion. Aty dhunë e paparë, me skena të detajuara krimi. Epo pikë e zezë! Nuk kam shpëtim, mendova me vete.

Po atë pasdite, djali i vogël më pyeti nëse e dija unë çfarë ishte rab. E pashë një herë çuditshëm, ndërsa i madhi e shtyu që të mos fliste më ky i vogli. E kuptova që e kishin fjalën për hashashin. Kur i pyeta se pse pyesnin, më thanë që njëri nga djemtë e pallatit, kishte qenë duke folur me ca “të rritur” të tjerë dhe kishin diskutuar me të qeshur për këtë rab që të “çon lart fare lale”. Ua e tmerrshme! Si t’i mbaj fëmijët të kontrolluar? Janë ende shumë të vegjël për të diskutuar mbi droga e gjëra të tjera. Janë akoma në fillore e nëntëvjeçare! Po më ikën mendja fare! Në kohën time nuk ka pasur kështu gjërash. Edhe sikur të ketë pasur, unë kurrë nuk kam guxuar të bëj gjë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.