Si e humba virgjërinë me një burrë të martuar

Gazeta Paloma - - Histori -

E dashur “Paloma”, ti je i vetmi vend ku unë gjej qetësi. Këto javë kanë qenë më të tmerrshmet për mua dhe askujt nuk kam mundur t’ia rrëfej sekretin tim, një sekret të madh që po më ha shpirtin dhe po më gërryen nga brenda. E kam menduar edhe vetëvrasjen, por ja që qenka shumë e vështirë ta marrësh jetën me duart e tua! I kam hyrë një rruge pa krye që nuk di ku do të më çojë. Tri javë më parë i dhashë virgjërinë time dikujt, dikujt që nuk e meritonte, që është i martuar dhe ka një vajzë pak më të vogël se unë. Jam 18 vjeçe, ai është 38 dhe ka një vajzë 14-vjeçare. As vetë nuk e di se si ndodhi, di vetëm që e kisha tepruar pak me verën dhe e gjeta veten të pushtuar në krahët e tij, duke bërë dashuri dhe duke i dhuruar atë që ishte më e shtrenjta për mua, virgjërinë.

Tashmë më kanë pushtuar një seri ndjenjash që as vetë nuk e kuptoj se çfarë janë. Nuk e di nëse ndiej pështjellim, turp, neveri apo i druhem vetes. Më është krijuar një ndjenjë trazire brenda vetes, që nuk di se si t’ia vë emrin. Do t’ju tregoj historinë që më ndodhi, por ju lutem mos më paragjykoni. Nuk e di se si u gjenda në këtë situatë dhe më e keqja është se nuk di si të dal prej saj.

Unë jetoj në një qytezë të vogël, ku thuajse të gjithë nji- hen me njëri-tjetrin. Nëpërmjet një shoqes time të shkollës u njoha me të dashurin e saj dhe disa shokë të tij. Ata nuk janë nga qyteza jonë, por nga një qytet afër. Nuk kisha qëllim të lidhesha me asnjërin prej tyre, edhe pse njëri nga ata kishte shprehur interes për mua. Në fillim m’u duk simpatik, por nuk më pëlqeu fakti se ishte shumë vite më i madh se unë. Përveç kësaj, mora vesh se ishte i martuar dhe kishte fëmijë të rritur. Unë nuk kisha pasur kurrë të dashur dhe nuk kisha ndërmend që dashurinë e parë ta ndërtoja me një burrë të martuar. Prandaj, edhe pse ai m’u duk simpatik, hoqa dorë menjëherë nga çdo ide për ta pranuar. I thashë edhe shoqes time se nuk doja të lidhesha me të. Ajo më tha se mund të mbeteshim shokë. Dhe unë nuk kisha asnjë kundërshtim për këtë.

Ndonjëherë pas shkolle dilnim me këtë shoqen time, me të dashurin e saj dhe shokët e tij. Bëheshim një grup i madh dhe largoheshim pak nga qyteza jonë. Shkonim në ndonjë lokal ku nuk na njihnin se për ne vajzat ishte problem që të na shikonin me meshkuj. Këtu ku jetojmë ne nuk mirëkuptohen shoqëritë mes meshkujve dhe femrave. Madje paragjykohen ato femra që shoqërohen me meshkuj, qoftë edhe për miqësi.

Atë ditë na ftuan për drekë. Ishte shoqja ime me të dashurin e saj, dy shokët e tij dhe unë me dy shoqe të tjera të klasës. Shkuam në një lokal për të ngrënë drekë. Filluam të pinim verë. U krijua një situatë plot humor. E mbaj mend që vetëm qeshnim. Isha në qejf dhe nuk po e kontrolloja veten sa pija. Unë nuk pi asnjëherë, as në gëzime familjare nuk pi ndonjëherë pije alkoolike. Mirëpo atë ditë vera po më shijonte. U ngritën dolli pa fund dhe nuk isha në gjendje të frenohesha. Kam përshtypjen se të gjithë u dehëm, kush më shumë e kush më pak.

Kur erdhi koha për t’u larguar, shoqja ime dhe i dashuri i saj ikën bashkë. Dy shoqet e tjera i mori për t’i çuar njëri nga shokët e të dashurit të shoqes. Doja të shkoja edhe unë me to, por shoku tjetër, R-ja, i cili kishte shprehur më parë interes për mua, insistoi që të më çonte ai, që të mos ngushtoheshim në makinë. Doja të shkoja me shoqet, por ai më hipi në makinën e tij. Nuk është se e kundërshtova vendosmërisht. Nuk e di se çfarë më ndodhi, por nuk dija të thosha jo. Dhe shoqet ikën si duke bërë shaka dhe më lanë vetëm me të.

Sapo u nisëm me makinë, m’u përzie. Iu luta që të ndalonte sa të merrja veten sepse nuk mund të shkoja në shtëpi në atë gjendje. Ai ndaloi në një motel dhe më tha që të ngjiteshim sipër. Nuk doja të shkoja, por më tha se do të qëndronim atje sa të merrja veten dhe do të më çonte në shtëpi. Nuk kundërshtova. Isha në gjendje kllapie, madje edhe këto gjëra i kujtoj si në tym. Por e di se ai nuk më detyroi të bëja asgjë me zor. Pija më kishte mpirë të tërën.

Kur u ngjitëm në dhomë, ai m’u afrua dhe filloi të më puthte. Në fillim iu shmanga, pastaj nuk bëra më rezistencë. Kam frikë se po më pëlqente ajo që po ndodhte. Mirëpo truri nuk më punonte. Nuk arrija të arsyetoja që ai ishte një burrë i martuar dhe ajo që po ndodhte mes nesh nuk duhej të ndodhte. Ai filloi të më zhvishte. Hera- herës i thosha që të ndalonte se po e tepronim, por ai vazhdonte dhe unë i përgjigjesha dëshirës së tij. Nuk e di se çfarë ndodhi dhe ai u bë aq imponues ndaj meje. I bindesha sikur të isha e hipnotizuar. Arrita të vija pak në vete vetëm kur ai penetroi brenda meje. Atëherë fillova të qaja, por ai nuk ndaloi dhe e finalizoi atë që kishte nisur.

Në atë moment i dhashë lamtumirën virgjërisë time, gjësë më të shtrenjtë për një femër. Fillova të ndieja pendesë. Pija nisi të më dilte. Qaja me të madhe, ndërsa R. përpiqej të më ngushëllonte. Më thoshte se nuk kishte ndodhur ndonjë gjë e madhe, por për mua ajo ishte gjë shumë e madhe. Doja t’ia dhuroja virgjërinë time mashkullit me të cilin do të lidhja jetën dhe jo një burri të martuar e me fëmijë.

Ai më tha se nuk do t’i tregonte njeriu për atë që kishte ndodhur. Më tha se i pëlqeja shumë dhe nëse do të doja unë, ai do të më mbante në pëllëmbë të dorës. Më tha se edhe mund të ndahej nga gruaja, në të ardhmen, nëse ne të dy përputheshim si karaktere. U përpoq të më ngushëllonte duke më premtuar shumë gjëra, por nuk doja asgjë nga këto. E vetmja gjë që doja ishte të kisha përsëri virgjërinë time.

I thashë se atë që doja nuk mund ta ktheja prapa. Ai më sugjeroi se mund të kthehesha përsëri e virgjër, përmes një qepjeje, nëse e kisha kaq problem. I thashë se as nuk më shkonte ndër mend një gjë e tillë sepse nuk doja të gënjeja veten.

M’u duk e tmerrshme ajo që kisha bërë. I thashë të më çonte në shtëpi dhe ai nuk më kundërshtoi. Më la afër shtëpisë dhe u përpoq të më puthte, por unë nuk e lejova. Që kur hyra në shtëpi vetëm qaja. Më dukej e tmerrshme ajo që kisha bërë. Nuk e imagjinoja që për një moment gjithçka që kisha menduar ishte shkatërruar. Nuk doja të kisha të bëja me një burrë të martuar dhe nuk doja që të humbisja virgjërinë në atë mënyrë.

Që nga ajo ditë nuk e kam parë më. Nuk dua ta takoj sepse nuk dua ta vazhdoj më tej këtë histori. Dua ta hedh pas krahëve. Kam menduar edhe që të bëj gjëra të rënda, vetëm që të mos më rëndojë ndjenja e fajit dhe e turpit, por kam hequr dorë sepse nuk dua t’i jap një dhimbje kaq të madhe familjes time.

Edhe me shoqet nuk kam folur për atë që ndodhi atë ditë. Jam mbyllur në vete dhe ndihem keq, aq keq sa nuk jua shpjegoj dot me fjalë. Po e vuaj shumë këtë gjë. Unë kisha ëndërruar që virgjërinë t’ia jepja njeriut që do të dashuroja dhe jo t’ia dhuroja dikujt që ka vajzën thuajse sa unë.

Nuk di si të ngushëlloj veten. Nuk e di si ta harroj këtë që ndodhi dhe se si t’i kthehem normalitetit. Ju lutem më shkruani. Mos më ngarkoni me ndjenja negative, të cilat i kam me bollëk. Kam nevojë për një fjalë të ngrohtë e për një mendim të pjekur, që të më bëjë të harroj këtë ngjarje të tmerrshme dhe të më japë forcën për të vazhduar jetën.

Kjo është historia ime, që më duket sikur i ka dhënë një goditje shkatërruese jetës time. A do të rigjej përsëri forcën për të jetuar e lumtur si dikur? Si ta largoj këtë ndjenjë turpi që më ka pushtuar të tërën?

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.